De Biasi i mbyll derën Berishës

  • 10 February 2016 - 17:55
De Biasi i mbyll derën Berishës

Besart Berisha nuk do të jetë në Francë. Gianni De Biasi ka bërë të qartë faktin se sulmuesi kosovar nuk do të udhëtojë me grupin e tij në Evropianin e 2016-ës. Në një intervistë për mediet shqiptare, trajneri i kuqezinjve ka bërë të qartë se Berisha nuk do të ftohet në Francë. “Berisha nuk do të vijë me ne. Edhe nëse shënon çdo të diel. Problemi qëndron se kur Besart Berisha mori ftesën, nuk erdhi sepse ishte në pjesën tjetër të botës. Tani është po në pjesën tjetër të botës dhe le të rrijë atje!”, u shpreh italiani. Ai ka folur edhe për Rey Manaj dhe Milot Rashicën. “Manajn e ndjek më pak sepse pothuajse nuk luan fare tek Inter-i që është një skuadër e madhe. Përsa i përket Rashicës, është një lojtar që po zhvillon një kampionat të jashtëzakonshëm, ka shënuar shumë gola. Ndërkohë, vendimet do të merren në një moment tjetër”, theksoi De Biasi, i cili në fund foli edhe për futbollistët që luajnë në Kampionatin Shqiptar. “Ndonjë lojtar mund të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare të futbollit në Evropian, gjithmonë duke u bazuar tek ata lojtarë që kanë qenë pjesë si Orges Shehi apo Alban Hoxha. Më pas do të shohim nëse do ketë lojtarë të tjerë që do jenë pjesë e skuadrës sonë”, përfundoi Gianni De Biasi. (Kosova Sot)