Partizani përfiton 70 mijë euro nga Rrahmani

  • 10 February 2016 - 17:58
Partizani përfiton 70 mijë euro nga Rrahmani

Partizani fiton gjyqin në FIFA për Amir Rrahmanin dhe do të arkëtojë një shumë të konsiderueshme për qendërmbrojtësin që u transferua me parametra zero verën e kaluar te RNK e Splitit në Kroaci. Edhe pse në atë kohë Rrahmani ishte i lirë nga detyrimet kontraktuale me klubin tiranas, pasi i kishte përfunduar marrëveshja me 15 herë kampionët e Shqipërisë, Partizani duke u treguar i vëmendshëm ndaj rregulloreve dhe detajeve teknike paralajmëroi klubin kroat se i takonte një shumë e caktuar për Rrahmanin duke qenë se Partizani rezultonte klubi i parë profesionist në të cilin ishte aktivizuar mbrojtësi dhe kështu duhej të përfitonte një shumë nga transferimi i tij i parë si klubi amë që kishte formuar futbollistin. Në atë kohë RNK e Splitit nuk pranoi, por juristët e klubit tiranas vendosën ta ndjekin çështjen në FIFA, ku ju dha e drejtë Partizanit që në këtë mënyrë pritet të përfitojë rreth 70 mijë euro për dy vitet që Rrahmani luajti me fanellën e kuqe. Partizani e kishte marrë futbollistin po me parametra zero pas eksperiencës së tij në Kosovë me Drenicën, por duke qenë se Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk është anëtarësuar në UEFA dhe FIFA klubet e saj ende nuk konsiderohen teknikisht profesioniste, ndaj Drenica nuk mund të përfitonte shumën për formimin e lojtarit, e cila shkon tanimë për të kuqtë. (Kosova Sot)