Fitore dramatike e Pejës

  • 10 February 2016 - 21:58
Fitore dramatike e Pejës

Peja ka shënuar njërën nga fitoret më të rëndësishme këtë edicion në Ligën Ballkanike. Pejanët në duelin shumë të vlefshëm ndaj Kozuv-it triumfuan si vendas 77:76 për të arritur fitoren e parë në fazën e dytë të grupeve. Takimi në ‘Karagaçi’ ka qenë shumë interesant dhe fituesi nuk është ditur deri në çastet e fundit.Si Peja ashtu edhe Kozuv kishin humbur takimet e para dhe kjo përballje ishte me mjaft presion. Sidoqoftë, ndeshjen më mirë e nisën mysafirët që kishin një epërsi 11:2. Pejanët u munduan t’iu kundërpërgjigjen dhe afruan rezultatin, por maqedonasit sërish u shkëputën, duke shkuar në 22:11, derisa çereku i parë përfundoi 24:16 në të mirë të skuadrës nga Gjevgjelia. E në periudhën e dytë dominoi tërësisht skuadra kosovare, që u tregua shumë më e vëmendshme në të dyja fazat. Ata arritën të afrohen në rezultat, ta barazojnë dhe të kalojnë në epërsi. 40:36 ishte rezultati me të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Dramë deri në fund

 

Në dhjetëminutëshin e tretë u zhvillua një lojë edhe më interesante. Peja u shkëput në 49:41, por mysafirët nuk u dorëzuan dhe arritën të kalojnë në epërsi 61:60, rezultat që ishte pas 30 minutash lojë. Në çerekun e katërt u zhvillua lojë e fortë, mjaft interesante e dramatike. Tashmë asnjëra skuadër nuk guxonte të gabonte dhe më shumë i kushtuan rëndësi mbrojtjes. Në fund rezultati ishte shumë i ngushtë dhe dy skuadrat kishin mundësitë e tyre. Në minutën e fundit, Peja barazon rezultatin në 74:74 e më pas kalon në epërsi 75:74, por maqedonasit shënuan dy pikësh dhe dukej se fitorja do t’iu takonte atyre kur kishin mbetur vetëm edhe katër sekonda lojë. Por, kështu nuk mendoi qendra e Pejës, Nenad Deliq, i cili shënoi për dy pikë dhe i dha fitoren skuadrës së tij, pa dyshim njërën nga fitoret më të rëndësishme këtë edicion. Drilon Hajrizi dhe Nenad Deliq ishin lojtarët më të dalluar te vendësit me nga 17 pikë dhe shtatë kërcime. Ronald Davis kishte 14 pikë dhe 11 kërcime. Brandon Penn ishte shënuesi më i mirë te mysafirët me 23 pikë. Tashmë pejanët kanë tri pikë në Grupin D, sa ka edhe Levski, derisa Kozuv ka dy pikë. Lider është Sigal Prishtina me katër sosh. Në ndeshjen e ardhshme Peja është mysafire e Sigal Prishtinës më 24 shkurt, derisa Kozuv një ditë më herët e pret Levski-n. (Kosova Sot)