Juve-Napoli, sfida që kushton 850 milionë euro

  • 11 February 2016 - 09:30
Juve-Napoli, sfida që kushton 850 milionë euro

Sfida mes Juventus-it dhe Napolit që do të luhet këtë të shtunë në Torino nuk është vetëm përballja e dy skuadrave kryesuese të Serisë A, por edhe ajo mes ekipeve më të shtrenjta në këtë kampionat. Futbollistët e të dyja skuadrave që do të zbresin në fushën e lojës kushtojnë në afatin kalimtar të transferimeve gjithsej 850 milionë euro: 486.6 milionë kushtojnë lojtarët e Juves dhe 359.9 milionë ata të Napoli-t, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Futbollistët që cilësohen si më të shtrenjtët për këto dy skuadra, por edhe për të gjithë futbollin italian, janë pikërisht Paul Pogba dhe Gonzalo Higuain. Për francezin, i cili është vënë në shënjestrën e shumë klubeve evropiane, shifra minimale që kërkohet nga drejtuesit e kampionëve të Italisë është 90 milionë euro, pretendim ky që mund të rritet edhe më shumë nëse këmbëngulet për blerjen e tij nga gjigantët e futbollit të “Kontinentit të Vjetër”.

 Për sa i përket Higuain-it, argjentinasi ka me Napoli-n një kontratë ku përfshihet edhe një klauzolë e zgjidhjes së saj që kap vlerën prej 94 milionë eurosh.

(Kosova Sot)