Ylli që nuk po shkëlqen në Madrid

  • 11 February 2016 - 09:31
Ylli që nuk po shkëlqen në Madrid

Forma e dobët mund ta largojë James Rodriguez-in nga “Santiago Bernabeu”  

Në një klub të madh si Real Madrid-i rendimenti i ulët nuk të falet

Nga një yll në rritje, në një futbollist që mund të largohet për shkak të rendimentit të dobët. Është kjo historia e James Rodriguez-it, zbulimit të Kupës së Botës “Brazili 2014”.  Futbollisti kolumbian, i cili u ble për 80 milionë euro nga Real Madrid-i në verën e vitit 2014, nuk po kalon një moment të mirë forme dhe nëse vazhdon kështu gjasat janë që t’i japë lamtumirën klubit madrilen në fund të këtij edicioni, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ka vuajtur shumë nga ndryshimet në drejtim te Real-i

James Rodriguez ka vuajtur shumë nga ndryshimet në drejtim te Real Madrid-it gjatë këtij edicioni, edhe pse shkaku kryesor për formën e dobët të tij është bërë një lëndim që pësoi me kombëtaren kolumbiane dhe që e mbajti jashtë fushave për rreth 2 muaj në startin e këtij edicioni. Me Carlo Ancelotti-n edicionin e kaluar 24-vjeçari amerikano-jugor përmbushi pritshmëritë e tifozëve, ndryshe nga ky kampionat ku e vetmja ndeshje për t’u mbajtur mend për James-in është ajo ndaj Real Betis-it në fazën e parë, takim në të cilin ish- lojtari i Monaco-s realizoi dy gola spektakolarë. Me Rafael Benitez-in, Rodriguez luante shumë pak, por minutat e tij në këmbë janë rritur me ardhjen e francezit Zinedine Zidane, edhe pse kjo ka ndodhur edhe për shkak të lëndimit që ka pësuar uellsiani Gareth Bale, por pavarësisht se ka luajtur shpeshherë si titullar në sfidat e fundit James nuk ka bindur aspak me paraqitjet e tij në fushë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Klubet angleze, të gatshme për ta blerë

Në një klub të madh si Real Madrid-i rendimenti i ulët nuk të falet dhe pas Gonzalo Higuain-it e  Mesut Ozil-it mund të jetë pikërisht kolumbiani ai që mund të largohet nga “Mbretërit” për një arsye të ngjashme. Rodriguez ka kohë të fitojë sërish besimin e të gjithëve në Madrid deri në fund të këtij edicioni, por nëse nuk e bën diçka të tillë verën e ardhshme Real-i mund të vendosë ta shesë atë. Klubet angleze nga ana e tyre janë të gatshme të derdhin deri në 70 milionë euro për kartonin e futbollistit.

(Kosova Sot)