Barcelona e rekordeve

  • 11 February 2016 - 18:13
Barcelona e rekordeve

Me barazimin 1:1 në fushën e Valencia-s, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit, Barcelona u ngjit në kuotën e 29 ndeshjeve radhazi pa pësuar humbje. Një rekord absolut për klubin. Ecuria e “Blaugranave” me Luis Enrique-n në stol, është edhe më e mirë se periudha kur skuadra drejtohej nga Pep Guardiola. Me trajnerin e ardhshëm të Manchester City-t në stol, nga shtatori 2010 deri më janar 2011, katalunasit kishin regjistruar 28 ndeshje pa humbje. Në edicionin aktual, Barça e rekordeve është mposhtur për herë të fundit nga Sevilla, më 3 tetor të vitit 2015. Më tepër se katër muaj më parë. Primati ka rëndësi, edhe për mënyrën sesi u vendos. Në barazimin 1:1 në fushën e Valencia-s, Barcelona që kishte fituar 7:0 në ndeshjen e parë, i lejoi vetes luksin të linte pushim shtatë titullarë. Në “Mestalla” “Blaugranat” evidentuan një tjetër talent të Akademisë. 19-vjeçarin Kaptoum, që në minutat e fundit të sfidës barazoi shifrat pas avantazhit të Valencia-s me Negredo. Barça siguroi finalen e tretë radhazi në Kupën e Mbretit dhe të 38-ën në histori. Një tjetër rekord, për klubin që në këtë edicion ëndërron të fitojë tre trofetë për të dytin vit radhazi. Sigurisht se nëse e arrijnë këtë sukses nuk do të ishte aspak befasuese, duke marrë parasysh që edhe treshja sulmuese Messi-Suarez-Neymar është në top-formë dhe po udhëheqin skuadrën në tri frontet. (Kosova Sot)