Gati për Kupë

  • 11 February 2016 - 19:30
Gati për Kupë

Gjithçka është gati për Turneun Final të Ipko Kupës së Kosovës në basketboll. Kështu kanë deklaruar të enjten në konferencën për media të organizuar në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nga organizatori i këtij eventi, klubi i Sigal Prishtinës në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Të pranishëm në konferencë ishin kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, kryetari i KB Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci, përfaqësuesi i KB Sigal Prishtinës, Luan Maloku dhe tre kapitenët e ekipeve gjysmëfinaliste, Edmond Azemi (Prishtina), Qëndrim Biraj (Bashkimi) dhe Rron Grapci (Peja), ndërsa për shkak të obligimeve personale nuk ishte i pranishëm kapiteni i KB Trepça, Valdrin Haxhiu. Po ashtu me arsye kanë munguar edhe kapitenet e të dyja skuadrave finaliste në konkurrencën e femrave, Artina Hasani (Prishtina) dhe Valbona Bytyqi (Penza).

Konferencën e ka hapur numri një i FBK-së, Erolld Belegu, i cili i ka falenderuar të gjitha mediat për interesimin e madh që e kanë shprehur për ta përcjell Turneun Final të Ipko Kupës së Kosovës si dhe e ka përgëzuar KB Sigal Prishtinën për punën e madhe që e ka bërë deri më tani rreth organizimit të këtij eventi: “E përgëzoj klubin së pari që e ka fituar të drejtën për të organizuar Turneun Final të Ipko Kupës së Kosovës dhe për organizimin që e ka bërë në bashkëpunim me ‘Orange’, si dhe Luan Malokun për punën e madhe që po e bën në mënyrë që gjithçka të shkoj ashtu siç duhet në këtë ngjarje. Po ashtu ne si federatë jemi duke i kryer me përpikëri detyrat tona që na takojnë në bazë të Udhëzuesit për organizimin e Turneut Final të Ipko Kupës së Kosovës. Vikendi i dytë i shkurtit tash e tutje do të jetë gjithnjë ai kur do të organizohet ky Turne, gjë e cila bëhet në rreth 30 shtete të tjera të Evropës dhe është në kalendarin e FIBA-s. Unë uroj që gjithçka të shkoj sipas planit të paraparë dhe që të gjithë adhuruesit e basketbollit të kënaqen me këtë festë basketbolli, e cila do të filloj të premten dhe do të përfundoj të dielën”.
Ndërkaq Blerand Stavileci kryetar i KB Sigal Prishtinës ka thënë se kjo nuk është hera e parë që qyteti i Prishtinës, por edhe klubi janë dëshmuar për organizime të mëdha, derisa ai ka premtuar se kësaj radhe do të jetë dukshëm edhe më mirë. “Ne si skuadër gjithnjë kemi harxhuar energji për organizimin e ngjarjeve të mëdha, gjithnjë duke u përshtatur me infrastrukturën, e cila në gjendjen në të cilën është tani na i pamundëson disa gjëra dhe ne duhet të improvizojmë. Megjithatë ne jemi të kënaqur që mund t’ju ofrojmë adhuruesve të sportit, në këtë rast basketbollit në Prishtinë një event kaq të madh siç është Turneu Final i Ipko Kupës së Kosovës. Ne premtojmë se në bashkëpunim me FBK-në do të dëshmojmë se basketbolli është numri 1 në Kosovë, gjithnjë duke u bazuar në perfeksionim të organizimeve të mëdha”.

Ndërkohë përfaqësuesi i KB Sigal Prishtina, Luan Maloku, njëherësh edhe përgjegjës për organizimin e kësaj ngjarje para mediave i ka prezantuar të gjitha materialet e Turneut, duke filluar nga logoja zyrtare, biletat, bilbordin, ftesat, akredimet etj: “Të gjitha punët i kemi kryer duke u bazuar në Udhëzuesin për Turneun Final të Ipko Kupës së Kosovës dhe mendoj se ia kemi dal me sukses deri më tani. Po ashtu jam i bindur se gjithçka do të jetë në rregull edhe të premten e të dielën. Tifozët do të jenë në përgjegjësi të Policisë së Kosovës, me të cilët kemi rënë dakord dhe ata kanë hasur në mirëkuptim për një gjë të tillë”.

Edmond Azemi, kapiten i KB Sigal Prishtina: “Unë besoj se do të jetë një atmosferë e mirë dhe se nuk do të mungoj basketbolli cilësor. Ne jemi përgatitur maksimalisht për gjysmëfinalen kundër Bashkimit. E dimë se do të jetë shumë vështirë, por besojmë se me këtë ekip që e kemi do t’ia dalim të plasohemi në finalen e madhe dhe nëse e bëjmë këtë atëherë duam që para tifozëve tanë ta fitojmë trofeun e Kupës”.

Rron Grapci, kapiten i KB Pejës: “Ne jemi fitues të kupës për edicionin e kaluar dhe të gjithë e dimë se më vështirë është ta mbrosh trofeun se sa ta fitosh atë. Sidoqoftë ne së pari duhet të mendojmë për Trepçën, të cilën skuadër për asnjë çast nuk do ta nënçmojmë dhe më pas do të fillojmë të mendojmë për finale”.

Qëndrim Biraj, kapiten i KB Bashkimit: “Ne jemi përgatitur shumë për duelin me Sigal Prishtinën, kur e dimë se përballë do ta kemi një ekip shumë të fortë, por ne premtojmë se do ta japim maksimumin për të arritur deri te rezultati pozitiv. Vështirë do të jetë, për këtë jemi të vetëdijshëm, mirëpo ne nuk do të dorëzohemi për asnjë çast”.
Turneu Final i Ipko Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 12 dhe 14 Shkurt 2016 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Të premten në gjysmëfinalen e parë, e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 17:00 do të përballen KB Peja – KB Trepça, kurse ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet duke filluar nga ora 19:45, ku do të takohen KB Bashkimi – KB Sigal Prishtina. Ndërkaq finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 17:00 dhe 19:45. Në finalen e femrave do të ballafaqohen Prishtina dhe Penza nga Peja. (Kosova Sot)