Sponsorët largohen nga atletika

  • 12 February 2016 - 09:24
Sponsorët largohen nga atletika

Skandali i dopingut dhe korrupsionit po i kushton shtrenjtë Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF). Qeveria e “Mbretëreshës” së sporteve po përballet me probleme të shumta me sponsorët, të cilët kanë vendosur t’i japin fund bashkëpunimit me të. Përpara disa javësh ishte kompania gjermane e veshjeve sportive “Adidas”, ajo që vendosi të zgjidhë kontratën me IAAF-in dhe shembullin e saj tani do ta ndjekë edhe “Nestle”. “Vendimi për zgjidhjen e kontratës me IAAF-in u mor duke parë reklamimin negativ që po i bëhet për shkak të skandalit të dopingut dhe korrupsionit”, lexohet në një komunikatë për shtyp të “Nestle”-s. “Ne mendojmë se ky negativitet mund të ketë impakt dhe tek imazhi e reputacioni ynë, kështu që vendosëm t’i japim fund marrëveshjes së bashkëpunimit me IAAF-in të nisur në vitin 2012”, thuhej më tej në deklaratën e lëshuar për media, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

I përfshirë edhe ish-presidenti

Në muajin janar, një komision i pavarur i WADA-s publikoi një raport ku theksohej se korrupsioni kishte kapur zyrtarët më të lartë të IAAF-it. Në të njëjtën kohë në raport vihej në dukje edhe përfshirja e ish-presidentit Lamin Diak në këtë skandal. Diak tashmë është vënë nën hetim nga drejtësia franceze me akuzën për korrupsion dhe pastrim të parave që vinin nga bashkëpunimi me zyrtarët rusë për fshehjen e testeve pozitive të dopingut të sportistëve të këtij vendi. Presidenti aktual i IAAF-it, Sebastian Coe, ka deklaruar vazhdimisht se do të bëjë të pamundurën për të pastruar imazhin e institucionit që ai drejton, por në këtë moment ky duket një mision shumë i vështirë për t’u kryer duke qenë se kompanitë sponsorizuese po e braktisin njëra pas tjetrës Federatën Ndërkombëtare të Atletikës.

(Kosova Sot)