Vazhdojnë problemet për Bale

  • 12 February 2016 - 18:27
Vazhdojnë problemet për Bale

Gareth Bale vazhdon të ketë probleme në pulpën e këmbës, por askush te Real-i i Madridit nuk guxon të japë afate për rikthimin e uellsianit. Pavarësisht se u përfol për tre javë mungesë, rreziku është i madh. Sipas gazetës, “Marca”, sulmuesi mund të mungojë deri në ndeshjen e kthimit me Roma-n në Ligën e Kampionëve, më 8 mars. Stafi mjekësor në ‘Bernabeu’ do të ndjekë moton e “riskut zero”. Një kërkesë e qartë e bërë nga stafi teknik, që nuk dëshiron të rrezikojë lojtarët. Bale mungon të shtunën kundër Athletic Bilbao, do të humbasë sfidën e parë me Roma-n, që luhet mesjavën e ardhshme dhe përballjen me Malaga-n në kampionat. Vetëm një përmirësim i dukshëm mund të bënte që uellsiani të luante në derbin kundër Atletico Madrid më 27 shkurt. Në të kundërt, lojtari do të qëndrojë pushim për aq kohë sa nevojitet. Këtë e ka theksuar edhe trajneri Zinedine Zidane. “Dëmtimi i Bale nuk më shqetëson. Nuk mund t’ju them se javën e ardhshme do të nisë stërvitjet, pasi mund t’i nevojitet pak më tepër kohë për rikuperimin. Megjithatë, jemi të qetë. Bale është një lojtar mjaft i rëndësishëm për Real-in dhe nuk do të rrezikojmë. Do ta aktivizojmë vetëm nëse është në 100 për qind të formës”, ka thënë francezi. Prej transferimit në vitin 2013, Gareth Bale ka pësuar dhjetë lëndime, e thuajse të gjitha në pulpë. Nga ky problem, uellsiani ka humbur 29 ndeshje të Real-it, duke qëndruar pushim për një total prej 189 ditësh. (Kosova Sot)