Ferrari bëri ndryshime rrënjësore

  • 13 February 2016 - 09:48
Ferrari bëri ndryshime rrënjësore

Viti 2016 konsiderohet si i duhuri për Ferrari-n për t’iu afruar Mercedes-it në luftën për titullin kampion të Formula 1. Kur kanë mbetur edhe pak javë nga starti i edicionit të ri, presidenti Sergio Marchionne ka bërë një përmbledhje të punës së bërë te “Kokëkuqja” italiane që nga momenti që ai mori këtë post e deri tani, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

“Me ardhjen në postin e presidentit të Ferrarit mu desh të bëja disa spastrime. Nuk ishim as kompetitiv e as të prezantueshëm. Ferrari aktual është krejtësisht ndryshe nga ai i vitit 2014. Momenti më i vështirë ishte muaji i parë kur u desh të kuptoja se cili ishte vendi ynë real në panoramën e Botërorit të Formula 1. Lëvizja e parë që u bë ishte rifokusimi i skuadrës në gjërat që kishin vërtet rëndësi dhe në këtë pikë ka ndihmuar shumë ardhja e Maurizio Arrivabene-s.

Ky i fundit ka aftësinë që të motivojë bashkëpunëtorët e tij dhe të bëjë që ata të punojnë shumë si një grup i vetëm”, tha Marchionne në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”. Sipas Marchionne-s, problemi i Ferrari-t në kohën e Montezemolos qëndroi në mënyrën sesi u kuptua rregulli i FIA-s për përdorimin e motorëve hibridë, duke bërë një krahasim me Mercedes-in:

“Kur dolën rregullat e reja për motorin hibrid, Mercedes-i i kuptoi menjëherë. Kurse ne i interpretuam jo mirë. Nga ajo çfarë kam kuptuar unë, nuk ishte motori ai që duhej me çdo kusht për të fituar, por njësia e fuqisë së tij dhe e jona nuk ishte në lartësinë e duhur, ndërkohë që edhe telajo e makinës kishte defektet e saj”, theksoi ai.

(Kosova Sot)