Dybala sfidon Higuainin

  • 13 February 2016 - 16:58
Dybala sfidon Higuainin

 

Paulo Dybala kundër Gonzalo Higuainit është dueli që mund të prezantojë më mirë se çdo gjë tjetër sfidën e titullit, JuventusNapoli, sot në mbrëmje, në orën 20:45 në Torino. Të dy argjentinas, të dy liderë dhe të dy golashënues, por golin e tyre më të bukur presin ta shënojnë në “Juventus Stadium”, në një takim që vlen më shumë sesa tri pikë, siç nënvizojnë dy protagonistët e skuadrave respektive.  Paulo Dybala – Ai e di që nuk mund të rivalizojë sivjet me bashkatdhetarin e tij të Napolit për “Kë- pucën e Artë”, por është gati të bëjë një pakt edhe me “Djallin”, thjesht për ta fituar ndeshjen e sotme: “Higuain golashënues dhe unë kampion Italie? Më tregoni ku duhet të firmos pa u menduar fare, – bën hyrjen e tij numri 21 i Juventusit. – E vlerësoj Gonzalon, por në këtë sfidë ai nuk do të jetë vetëm një shok, por edhe një rival dhe një futbollist për ta mundur. Dhe shpresoj që kundër nesh të mos jetë shumë i motivuar, edhe pse kjo është e vështirë për të ndodhur.  Unë, Tevezi i ri? Me Karlitosin fola në telefon në javët e fundit të kampionatit të kaluar, por do kisha dashur që ai të kishte qëndruar, sepse kështu do ta kishim pasur shumë më të lehtë. Gjithsesi, ne jemi gati, Alegri më ndihmon dhe na ndihmon të gjithëve, na karikon dhe shpresoj që unë dhe skuadra t’ia shpërblejmë atij, klubit dhe tifozëve. Goli im më i bukur i sezonit? Nuk e di, shpresoj t’ia shënoj Napolit atë”, tha Dybala.  Gonzalo Higuain – Ndërkohë kundërpërgjigjja vjen e fortë nga “asi” i Napolit. “Sekreti i këtij Napoli sivjet është Sarri. Ai diti të zgjojë jo vetëm skuadrën, por edhe mua. Më kujton babanë tim, i cili nuk lodhet së më mbajturi nën presion, sepse ai, por edhe Sarri e dinë se kështu jap maksimumin tim. Frikë nga Juventusi? Aspak, madje të luajturit jashtë nën trysninë e tifozëve kundërshtarë më bën edhe më të fortë, prandaj kam besim se mund ta fitojmë edhe këtë duel të radhës, pse jo me një tjetër gol timin. Unë, përjetë te Napoli? Këtë nuk e premtoj dot, por dua që t’i dhuroj diçka speciale kësaj skuadre, për sa të qëndroj këtu. E dua këtë fanellë, i dua këta tifozë”.

(Kosova Sot)