Manaj e dëshiron Evropianin

  • 13 February 2016 - 18:22
Manaj e dëshiron Evropianin

Qëndrimi i Rey Manajt tek Inter-i ishte disi befasues, duke parë se për të kishte disa kërkesa të rëndësishme huazimi. Ai ka luajtur dy ndeshje me Inter Primavera, teksa tek njëra, ajo ndaj Lazio-s në gjysmëfinalen e Kupës, ka shënuar edhe dy gola duke kualifikuar zikaltrit e Stefano Vecchi-t në finale ndaj Juventusit. Agjenti i sulmuesit nga Lushnja, Alberto Fontana, ka treguar arsyet pse sulmuesi i Kombëtares shqiptare qëndroi në “Giuseppe Meazza”. “Ka pasur shumë interesim për të, si në Itali, ashtu edhe nga jashtë, por si ne, ashtu edhe Inter-i, menduam se gjëja më e mirë për të ishte të rritej pranë kampionëve të mëdhenj. Nuk mund ta mohojmë që është bërë një profesionist i shkëlqyer, në krahasim me 2-3 vjet më parë. E priti me kënaqësi kalimin te Primavera (të rinjtë e klubit), sepse përpiqet të shfrytëzojë çdo rast për të treguar sa vlen”, shprehet Fontana, i cili zbulon objektivin e Manajt. “Ëndrra e tij është Kampionati Evropian, por e di mirë që duhet të tregojë në fushë dhe jashtë saj se e meriton të shkojë”, theksoi Fontana. 18-vjeçari është mes kandidatëve për të qenë pjesë e të përzgjedhurve të trajnerit Gianni De Biasi për në Evropian, megjithëse tekniku e ka theksuar disa herë që futbollistët duhet të luajnë në vazhdimësi për të pretenduar një vend për në Francë. Një vend në Evropian po e kërkon edhe Milot Rashica, dhe sulmuesi Besart Berisha. (Kosova Sot)