Nuk janë pishman

  • 14 February 2016 - 13:47
Nuk janë pishman

Ani pse u kritikuan për shkak të zhvillimit të ndeshjeve miqësore me skuadra shumë të ulëta, nga të cilat duhet pranuar se nuk mund ta nxjerrësh assesi më të mirën nga futbollistët e ekipit tënd, gjithsesi, skuadrat tona fare nuk janë pishman për përgatitjet dhe shpenzimet që i kanë bërë jashtë vendit, duke theksuar se maksimalisht e kanë përmbushur planin e punës.  Kampioni aktual i Superligës, njëherësh edhe fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës, Ferronikeli, duket se maksimalisht i ka “mbushur bateritë” në Antalia dhe se në Kosovë janë kthyer shumë mirë të përgatitur, gjë e cila të bën të kuptosh se kjo skuadër prapë është favorite numër një në Kosovë për të fituar trofe. Të kënaqur me punën jashtë vendit janë edhe futbollistët e Prishtinës të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në Durrës. Sulmuesi kryesor i kësaj skuadre, Labinot Osmani mendon se në Shqipëri kanë arritur të komponojnë skuadrën shumë mirë, pas atyre përforcimeve të shumta që kanë sjellë në ekip.

Antalia ja vlen

Ish trajneri Prishtinës dhe Trepçës’89, Afrim Tovërlani është shumë i kënaqur me punën që kanë bërë atje. Edhe pse nga miqësoret është pritur te ketë më shumë, gjithsesi, ai thotë se e vetmja ndeshje që i dështoi ishte përballja me një skuadër nga Gjeorgjia e cila refuzoi të luajë pas bujës së madhe që u bë për shkak të takimit të parë që e kishte zhvilluar po ashtu ndaj një skuadre gjeorgjiane. Për Tovërlani, Antalia është një vend i jashtëzakonshëm ku të ofron kushte që të punosh si duhet, dhe këtë mundësi ai me skuadrën e tij e kanë shfrytëzuar maksimalisht.”Plani i punës është realizua. Përveç ndeshjes me një skuadër nga Gjeorgjia e cila nuk pranoi të luajë për shkak që Federata e këtij vendi nuk i lejoi, gjërat tjera janë realizuar 100 përqind”, ka thënë strategu prishtinas i Ferronikelit, Afrim Tovërlani i cili mendon se ja ka vlejtur ky udhëtim. “Gjithsesi që ja ka vlejtur pasi nuk ka vend në Ballkan që ofron kushte më të mira sesa Antalia për përgatitje. Pra është një vend i cili i plotëson të gjitha kërkesat e ekipeve dhe mundësia e ndeshjeve miqësore është shumë e madhe”, ka përfunduar Tovërlani.

E kënaqur edhe Prishtina

Hiç e pa kritikuar për shkak të kundërshtarëve gjatë miqësoreve nuk ka qenë as Prishtina, e cila edhe pse u përcaktua për Shqiperi nuk gjeti rivalë të mëdhenj, përjashto ndeshjen me Kukësin. Pavarësisht kësaj, sulmuesi vushtrrias i bardhekaltërve, Labinot Osmani, ka thënë se është një vendim shumë i mirë që skuadra të përgatitet në Shqipëri, pasi kanë gjetur kushte të mira dhe kanë punuar shumë. “Gjithçka këtu po shkon sipas planit. Për mendimin tim, vendimi për t’u përgatitur këtu në Shqipëri ja ka vlejtur pasi kemi punuar shumë mirë. Prishtina ka bërë një ekip të fortë i cili ka nisur të komponohet mirë dhe jam i sigurt se në pranverë do të paraqitet shumë më ndryshe ngase u paraqit në vjeshtë, ku rezultatet nuk ishin të kënaqshme”, ka thënë Osmani i cili beson shumë se edhe vetë do të ndryshojë, pasi po punon shumë dhe se fizikisht po ndihet më mirë sesa që ishte në gjysmën e pjesës së parë të kampionatit.

(Kosova Sot)