Dieta e Messi-t

  • 28 April 2016 - 17:40
Dieta e Messi-t

Mjeku italian Giuliano Poser, në një intervistë për “El Mundo Deportivo” zbuloi dietën e yllit të Barcelona-s, Lionel Messi. “Uji, vaji i mirë i ullirit, drithërat, frutat e freskëta dhe perimet natyrale janë disa nga produktet që ndihmojnë një sportist. Ai që dëmton më shumë është sheqeri. Sheqeri është armiku më i rrezikshëm për muskujt. Edhe miellrat e rafinuar janë një problem i madh, kjo sepse sot është e vështirë të gjesh drithëra që nuk janë bërë më parë me pesticide”, tha Poser. Ai e ka këshilluar Messi-n edhe për një përdorim të reduktuar të kripës, për të cilën gjithsesi trupi dhe muskujt kanë nevojë. Poser foli edhe për konsumin e mishit nga Messi, që është më i ulët nga sa ndodh zakonisht me popullsinë amerikano-latine. Megjithatë, sipas Poser, vetëm dieta nuk mjafton për të zgjidhur problemet me shëndetin. Mjeku italian shtoi se është e nevojshme që të përdoren medikamente natyrale dhe ushtrime për muskujt. (Kosova Sot)