Besa, e pandalshme

  • 29 April 2016 - 10:02
Besa, e pandalshme

Prishtinasit, të pafuqishëm përballë pejanëve

Besa Familglia nuk po ka konkurrencë. Skuadra pejane ka mundur Prishtinën 34:28, për t’u kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës në hendboll te meshkujt. Besa në finale do të ndeshet me Kastriotin e Ferizajt, që mundi Zhegrën 29:28

Prishtina-Kastrioti, finalja e femrave

Besa Famiglia vazhdon dominimin në hendboll kosovar. Pejanët të enjten mundën Prishtinën me rezultat 34:28, duke u kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës. Ata në finale do të ballafaqohen me Kastriotin e Ferizajt, që eliminoi Zhegrën. Të enjten gjithashtu u zhvilluan edhe dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës në konkurrencën e femrave, ku Prishtina ishte më e mirë se Istogu 24:21, derisa Kastrioti mposhti Shqiponjën 46:40. Ndeshjet finale zhvillohen sot. Nga ora 14:30 fillon finalja e femrave, derisa nga 16:45 ajo e meshkujve.

Pejanët dëshmojnë forcën

Sfida në mes Prishtinës dhe Besa Famiglias ishte mjaft interesante dhe me kthesa. Në fillim u zhvillua e barabartë, me dy skuadrat që nuk lejonin njëra-tjetrën të shkëputeshin në rezultat. Megjithatë, me kalimin e minutave, Besa ishte shumë më e mirë, sidomos në sulm, duke pasur edhe gjashtë gola epërsi, por prishtinasit nuk dorëzohen dhe arrijnë të afrohen në rezultat në vetëm dy gola, sa përfundoi pjesa e parë 16:18. Në pjesën e dytë kryeqytetasit luajnë edhe më të organizuar dhe arritën edhe të barazojnë rezultatin në 22:22. Kur u mendua se do të zhvillohet një takim më dramatik, pejanët shkëputen sërish në 25:22.

Bardhekaltrit prapë tentojnë kthesën, duke afruar rezultatin në 26:25, por kjo ishte e tëra, pasi më nuk kishin fuqi dhe u desh të pajtohen me humbje. Në fund rezultati përfundimtar ishte 34:28 për Besën, që në finale do të përballet me Kastriotin. Kastriot Shala dhe Drilon Tahirukaj kanë qenë më të dalluarit në radhët e Besës, duke realizuar secili nga 9 gola. Takimi në mes Kastriotit dhe Zhegrës ka qenë mjaft interesant, por ferizajasit në saje të përvojës ia dolën të shënojnë fitore me rezultat të ngushtë 29:28 (16:14), duke u kualifikuar në finalen e Kupës. Ndeshja fund e krye u përshkrua me një rivalitet të madh, por Zhegra nuk arriti të futet në histori të këtij sporti, që të jetë në finalen e madhe. Këtij ekipit i mungoi fati sportiv, ndërsa ferizajasit synojnë ta fitojnë trofeun e çmueshëm. Jeton Bislimi me shtatë gola, i ndihmuar nga Korab Syla me 6 sosh, janë me të merituarit që ferizajasit janë në finale.

Interesant edhe te femrat

Kastrioti i Ferizajt u kualifikua në finalen e Kupës së Kosovë në hendboll, në konkurrencën e femrave, pasi e mposhti me rezultat 46:40 (21:19) Shqiponjën nga Gjakova. Kjo ndeshje më shumë i ngjasonte asaj të basketbollit, pra për nga numri i golave që u shënuan për gjatë 60 minutave, gjithsej 86. Bellma Beba si gjithmonë bën diferencën, e cila me 15 golat e saj ka qenë edhe vendimtare për fitoren e madhe. Gjakovaret u munduan me të gjitha forcat, por nuk arritën t’i befasojnë ferizajaset, që kësaj radhe u paraqit me të gjitha hendbollistet dhe ky ishte edhe çelësi i kësaj fitore. Prishtina me mjaft mund eliminoi Istogun, duke e mundur me rezultat 24:21 (11:10). Shpresa Fazlija realizoi pesë gola, derisa ndihmë të madhe kishte edhe Pranvera Ferataj, duke qenë kreatore të fitores së Prishtinës. Elma Kameri ishte më e mira në petkun e Istogut, e cila realizoi tetë gola, por nuk mundi të bëjë më tepër kundër Prishtinës.

Ndeshjet finale zhvillohen sot në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Kastrioti-Prishtina është finalja e femrave që fillon nga ora 14:30, derisa nga ora 16:45 zhvillohet finalja e meshkujve në mes Kastriotit dhe Besa Famiglias.

Rezultatet

Femrat

Kastrioti-Shqiponja 46:40

Istogu-Prishtina 21:24

Meshkujt

Kastrioti-Zhegra 29:28

Prishtina-Besa F. 28:34

Finalet

Femrat: Kastrioti-Prishtina, 14:30

Meshkujt: Kastrioti-Besa Famiglia, 16:45

(Kosova Sot)