Alban Meha joshet nga “sheikët”, transferohet në Arabi Saudite

  • 29 April 2016 - 10:58
Alban Meha joshet nga “sheikët”, transferohet në Arabi Saudite

Njëri prej futbollistëve më në formë shqiptarë të këtij sezoni futbollistik, Alban Meha, nga sezoni i ardhshëm do të luaj me skuadrën e Superligës së Arabisë Saudite, Al Nasr.

Mesfushori nga Mitrovica ka rënë dakord me kushtet e skuadrës saudite pasi në fund të këtij stinori atij i përfundon kontrata një-vjeçare me Konysporin, shkruajnë mediet turke.

Sipas asaj që shkruan “Anadoludabugunspor” bëhet me dije se Al Nasr ka arritur të fitojë konkurrencën e shumë skuadrave nga i njëjti kampionat që kanë shprehur interesimin për shërbimet e Mehës.

Në të njëjtin shkrim shtohet fakti se vetë “Snajperi” shqiptar e ka dëgjuar ofertën, për të cilën bëhet fjalë dhe se ka dhënë pëlqimin e tij për këtë transferim.

Alban Meha ka shkëlqyer në sezonin e tij të parë me Konyasporin, duke arritur të bëhet protagonist pozitiv me gola dhe shërbime. Shqiptari ka arritur që të realizojë 5 gola dhe po kaq asiste për skuadrën e tij gjatë këtij sezoni.

Konyaspor është thuajse i sigurt në vendin e tertë në kampionat që i siguron Europa Ligën, ndërkohë që në Kupë ka arritur në fazën gjysmëfinale, ndeshjen e parë të së cilës e ka humbur me rezultatin 0-3.

(Kosova Sot)