Shpërthen Guardiola: Më keni vrarë, por nuk kam vdekur

  • 29 April 2016 - 16:43
Shpërthen Guardiola: Më keni vrarë, por nuk kam vdekur

“Më keni vrarë menjëherë pas ndeshjes së parë. Secili nga ju më ka vrarë. Por unë nuk kam vdekur akoma, miq. Kemi edhe një ndeshje. Dakord, më pas mund të më vrisni. Por unë kam akoma edhe një fishek në dispozicion”.

Fjalë të forta, të thëna me humor nga trajneri i Bayern Munich, Pep Guardiola, i cili është sulmuar ashpër nga shtypi gjerman në përfundim të ndeshjes Atletico-Bayern, të humbur 1-0 nga skuadra e tij në raundin e parë të gjysmëfinaleve të Champions League. Dhe ai ka vendosur të mbrohet në këtë mënyrë në konferencën e sotme për shtyp në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Gladbach, që mund t’i dhurojë titullin e tretë radhazi në Gjermani.

“Nuk dua të them se këtu më trajtojnë keq dhe në Barcelonë mirë. Kudo të trajtojnë mirë nëse fiton. Shkoni dhe shikoni çfarë kanë shkruar gazetat kur kam marrë drejtimin e Barcelona-s dhe kam humbur ndeshjen e parë. Nuk ka më respekt për trajnerët, në asnjë vend”.  Kritika kryesore për Guardiola-n ka pasur lidhje me zgjedhjen për të përjashtuar Muller nga formacioni titullar: “Në Lizbonë kam lënë në stol Leweandowski-n, por meqë jemi kualifikuar nuk ka ndodhur asgjë. Ka qenë një zgjedhje taktike: nuk doja të kishim të njëjtin fund si në sezonin e kaluar në Barcelonë (3-0 në “Camp Nou” në gjysmëfinalen e parë), duke luajtur me dy sulmues në qendër. Nuk kam asgjë kundër Muller, e adhuroj, ka nuhatje për golin. Ndoshta do të kishte qenë më mirë sikur të kishte luajtur nga fillimi. Ndoshta. Por unë kam menduar për çdo skenar të mundshëm dhe në fund duhej të merrja një vendim. Por akoma nuk ka mbaruar”.

 

(Kosova Sot)