Udhëtimi i shpresës

  • 30 April 2016 - 09:54
Udhëtimi i shpresës

E gjithë vëmendja e kosovarëve te Kongresi i UEFA-s, që mbahet në Budapest

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, i përcjellë nga një numër i madh personalitetesh nga sporti e politika, të hënën, do të marrin rrugën drejt kryeqytetit të Hungarisë, Budapestit, aty ku pritet të vendoset për fatin e Kosovës

Entuziazmi i futbolldashësve është në maksimum

Izolimit po i vjen fundi. 3 maji do të jetë dita që nuk do të harrohet kurrë nga futbolldashësit shqiptarë, pasi pikërisht në këtë ditë pritet pranimi i FFK-së në UEFA, aty ku padrejtësisht i është ndalur të garojë. Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Fadil Vokrri, e i mbështetur edhe nga një numër i madh personalitetesh si sportive, ashtu edhe politike, të hënën, do të marrin rrugën drejt kryeqytetit të Hungarisë, Budapestit, aty ku do të mbahet Kongresi i UEFA-s dhe pikërisht në këtë kongres është paraparë të votohet pranimi i Kosovës. Pritshmëritë janë të mëdha, madje vetë numri një i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se asgjë nuk mund ta ndalë ndërkombëtarizimin tonë, megjithatë ai si gjithmonë është treguar modest, duke lënë të pritet 3 maji.

Bunjaki: Po fillon epoka e re

Pa dyshim njëri që meriton më së shumti t’i gëzohet pranimit të Kosovës, është përzgjedhësi Albert Bunjaki, i cili përkundër që punoi në kushte shumë të vështira, e nganjëherë edhe i nënçmuar nga klubet, të cilat e refuzonin t’ia lëshojnë lojtarët e kontaktuar, ai, asnjëherë nuk u ndal duke u deklaruar gjithmonë se rrugëtimi i tyre i nisur vite më herët drejt arenës ndërkombëtare po i afrohet fundit, dhe se pranimi është shumë afër.

Tash kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në marrjen e këtij vendimi, Bunjaki është optimist, por sigurisht që tash shumë më i emocionuar, derisa me entuziazëm po e pret mbledhjen e 3 majit. “Si gjithë të tjerët edhe unë këtë udhëtim të delegacionit të FFK-së e pres me një optimizëm të shtuar, se do të kthehen me misionin e kompletuar, dhe këtë gjithmonë duke u bazuar në të drejtën tonë ligjore. Unë që nga dita e parë, kur e kam marrë detyrën, kam punuar sikur të jemi në UEFA, dhe sigurisht që pas pranimit dallimi i vetëm do të jetë se edhe zyrtarisht hymë në një cikël që për disa çështje mund të jetë edhe më lehtë të punohet, duke e ditur në problemet që kemi kaluar më herët”, ka thënë numri një në bankinën e Kosovës, Albert Bunjaki, duke shtuar se Kosova është e gatshme për hapin e madh, dhe se pranimi do ta gjejë gjithsesi gati.

“Përfaqësuesja e Kosovës është e gatshme të fillojë rrugën e saj të ndërtimit, dhe se për këtë është punuar shumë edhe para pranimit”, ka përfunduar përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki.

Serbët në aksion

Mediet serbe dje sikur e kanë kuptuar të vërtetën për rrugëtimin e Kosovës drejt pranimit në UEFA. Ato kanë vazhduar reagimet e tyre me gjuhën e urrejtjes, duke e quajtur këtë një skandal të UEFA-s. “Planifikimi i UEFA-s për ta njohur Kosovën, edhe pse shteti i ri nuk është anëtar i OKB-së, siç kërkon statuti i UEFA-s, por që pritet ta kalojë apo ta ndryshojë paraprakisht Kongresi i kësaj organizate  është skandaloz dhe i papranuar”, shkruajnë mediet serbe, duke theksuar se Serbia do ta përdorë një amendament, për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në UEFA.

Sipas tyre, me të njëjtin amendament Serbia e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO muaj më parë. Gjithsesi, kjo duket se këtë herë do të mbetet vetëm ëndërr e tyre, pasi tashmë disponimi i gjitha vendeve dashamire të sportit është pro Kosovës, dhe se pranimi duket se është punë e kryer.

“Nga dita e parë, kur e kam marrë detyrën, kam punuar sikur të jemi në UEFA, dhe sigurisht që pas pranimit dallimi i vetëm do të jetë se edhe zyrtarisht hyjmë në një cikël të ri”, ka thënë Kosovës, Albert Bunjaki

Pa dyshim njëri, që meriton më së shumti t’i gëzohet pranimit të Kosovës  është përzgjedhësi, pasi punoi në kushte shumë të vështira e nganjëherë edhe i nënçmuar nga klubet, të cilat refuzonin t’i lëshojnë lojtarët e kontaktuar nga ai

3…maji është data kur do të votohet pranimi i Kosovës në UEFA-s. I madh e i vogël në Kosovë janë optimist se do të votohet pozitivisht, kjo duke u bazuar gjithmonë në të drejtën ligjore.

Legj: Albert Bunjaki përzgjedhës i Kosovës

(Kosova Sot)