Festojnë Besa Famiglia e Prishtina

  • 30 April 2016 - 10:02
Festojnë Besa Famiglia e Prishtina

Janë zhvilluar ndeshjet finale të Kupës së Kosovës në Hendboll

Besa Famiglia në konkurrencën e meshkujve dhe Prishtina në atë të femrave, janë pronare të trofeut të Kupës së Kosovës, pas triumfit në finalet, që u zhvilluan në Prishtinë

Pejanët vazhdojnë të dominojnë hendbollin tonë

Kupa e Kosovës në hendboll ka mbetur aty ku ishte edhe edicionin e kaluar, pra në sirtarët e Besa Famiglia. Skuadra pejane ashtu siç është pritur pa shumë problem ka mposhtur Kastriotin në finale me rezultat 36:27 për të konfirmuar edhe një herë dominimin që ka në hendbollin kosovar. “Ishte më lehtë se që kemi pritur, edhe pse finalja duhet të jetë e fortë. Megjithatë, Kastrioti tregoi lojë të mirë, por ne fituam me meritë. Ky është vetëm suksesi i parë, pasi besoj se do ta fitojmë edhe titullin e kampionit”, ka thënë trajneri i Besa Famiglias, Arben Muqolli.

Të kujtojmë se Besa Famiglia deri në finale kishte arritur duke e mposhtur Prishtinën në gjysmëfinale, derisa Kastrioti e kishte mposhtur Zhegrën. Sa i përket takimit Besa Famiglia – Kastrioti, duhet pranuar që pejanët ishin dukshëm më të mirë dhe pothuaj për asnjë moment nuk e rrezikuan këtë trofe. “Kam pritur një lojë më të fortë nga ekipi im, por realisht kjo është forca jonë. Lojtarët u angazhuan maksimalisht, por Besa ka ekip më të mirë dhe meritoi fitoren”, ka thënë Burim Zaskoku, kryetrajner i Kastriotit. Në fund kapitenit të Besës Kupën ia dorëzoi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Thyhet dominimi i ferizajasve

Skuadra e Prishtinën në konkurrencën e femrave në hendboll ka arritur të fitojë Kupën e Kosovës, pasi ka mposhtur në finale Kastriotin me rezultat 40:32. Kjo finale është pritur të sjellë më shumë cilësi, pasi dihet se rivaliteti ndërmjet këtyre dy skuadrave është shumë i madh, por ja që këtë herë vashat e Prishtinës ishin shumë mirë të mobilizuara dhe nuk lejuan që Kupa të ikë nga Prishtina. Të kujtojmë se kryeqytetaset me këtë triumf e thyen dominimin e ferizajaseve në garat e Kupës. “Jam shumë e lumtur që e fituam Kupën.

Me të vërtetë ka qenë e vështirë, por e deshëm fitoren dhe luftuam deri në fund, kështu që na u shpërblye mundi. Mbrojtja e fortë dhe kundërsulmet ishin arma më e fortë e ekipit tonë ndaj rivales”, ka thënë hendbollistja e Prishtinës, Mimoza Sefedini. Në anën tjetër hendbollistja e Kastriotit, Bellma Beba, e justifikoi humbjen me problemet që kishin në skuadër. “Krejt e dimë se kemi pas probleme financiare, sepse shumica e lojtareve me përvojë nuk kanë stërvitur, përveç unë që kam stërvitur pandërprerë, për shkak se nuk u ditë kush ka me qenë kryetar i klubit.

Tek ne lajmi më i mirë është që u zgjedh kryetari i ri e besoj se është një kohë e mjaftueshme, që ne të përgatitem fizikisht dhe ta mbrojmë titullin, që është më e rëndësishme se Kupa”, ka thënë Besa.

(Kosova Sot)