Edhe Atlanta në gjysmëfinale

  • 30 April 2016 - 10:44
Edhe Atlanta në gjysmëfinale

Është Atlanta skuadra e dytë gjysmëfinaliste e Konferencës së Lindjes në NBA. Hawks zhvilluan një ndeshje fantastike në “TD Garden” të Masacusettsit duke triumfuar me shifrat 104:92 përballë rekordmenëve të Boston Celtics dhe duke mbyllur përfundimisht serinë ndaj tyre.

Me avantazhin 4:2, skuadra nga Georgia avancoi më tej dhe tashmë do të sfidojë në gjysmëfinale Cleveland Cavaliers. Një sfidë e dominuar e gjitha nga Atlanta ajo e “TD Garden” me formacionin e trajnerit Mike Budenholzer, i cili la në hije vendasit e Celtics. Hawks e hipotekuan fitoren që në periodën e tretë pasi në përfundim të saj kryesonin me plot 22 pikë avantazh, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Të pamjaftueshme 25 pikë dhe 10 asistimet e Isaiah Thomas për Boston-in që në këtë sfidë gaboi me të vërtetë shumë duke realizuar vetëm 36 % të gjuajtjeve nga loja. Më i miri për Atlanta-n rezultoi Millsap me 17 pikë dhe tetë kërcime, ndërkohë që paraqitje të mira bënë edhe Al Horford e Bazemore që shënuan nga 15 pikë secili.

Triumfi i Hawks ndaj Boston-it ka një shije me të vërtetë speciale sepse skuadra nga Georgia nuk i eliminonte 17-herë kampionët e NBA-së në fazën “Play-off” që prej vitit të largët 1958, madje në atë periudhë ishte me qendër në St Louis dhe arriti të mundte Celtics pikërisht në finalen e madhe duke fituar edhe të vetmin titull që numëron deri më sot në NBA.

(Kosova Sot)