Probleme te “Mbretërit”

  • 30 April 2016 - 11:03
Probleme te “Mbretërit”

Nuk i besojnë stafit mjekësor

Real-i, pa Ronaldo-n dhe Benzema-n kundër Sociedad-it

Karim Benzema, por edhe futbollistët e tjerë të Real-it të Madridit, nuk kanë më besim te stafi mjekësor i madrilenëve. Sulmuesi francez postoi një foto në llogarinë e tij në “Instagram” ku shfaqet me fizioterapistin Juan Muro, i cili u pushua nga puna nga drejtuesit verën e kaluar.

27-vjeçari u detyrua të braktiste para kohe fushën me Rayo Vallecano-n, por pasi iu nënshtrua rezonancës magnetike, u stërvit për të qenë në fushë me Manchester City-n në Ligën e Kampionëve, ku për të njëjtën arsye u detyrua të luante për vetëm një pjesë-loje.

Fakti që Benzema po trajtohet nën vëzhgimin e një fizioterapisti që nuk është më pjesë e Real-it, tregon mungesë të plotë besimi për stafin mjekësor. Verën e kaluar presidenti Florentino Perez, kërkoi riorganizimin e departamentit mjekësor, duke i larguar të gjithë ata që kishin më shumë se një dekadë që punonin në infermieri, duke nisur nga traumatologu Paco Morate, fizioterapistët Pedro Chueca, Juan Muro, Carlos Heredia dhe Dani Pirri e deri te rikuperuesi Santi Lozano.

Skuadra nuk është aspak e kënaqur nga stafi i ri mjekësor që kryesohet nga doktor Olmo, një njeri shumë i afërt me kardiologun personal të Florentino Perez-it, që është njëkohësisht anëtar i kupolës drejtuese.

Konfirmohet mungesa 

Zinedine Zidane ka vlerësuar lëndimet e Cristiano Ronaldo-s dhe Karim Benzema-s, duke thënë se ka vendosur të mos rrezikojë duke i aktivizuar në ndeshjen e së shtunës në La Liga, kundër Real Sociedad-it. “Gjëja më e rëndësishme është që ata (Ronaldo dhe Benzema) të shërohen sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të luajnë të mërkurën. Shpresojmë që kjo të ndodhë”, u shpreh francezi.

Dy fjalë i ka pasur Zidane edhe për “rrëmujën mjekësore” të këtyre kohëve të fundit te Real Madrid-i: “Unë jam i shqetësuar, sepse sa herë që një lojtar lëndohet, gjërat bëhen të vështira. Por, tani gjëja më e rëndësishme është shërimi i plotë dhe të lënduarit, sidomos Cristiano dhe Karim, të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk do të flas më shumë për këtë çështje”.

Lidhur me sfidën e radhës në La Liga, kundër Real Sociedad-it, trajneri Zidane shtoi: “Duam të fitojmë që të mbetemi në luftën për titull. Kuptohet, duhet të mendojmë edhe për të mërkurën e ardhshme, por jo duke u kursyer. E dimë se kemi edhe tri ndeshje në La Liga dhe nuk mund të dështojmë. Nuk mendoj se Bale paraqet ndonjë rrezik për të shtunën, do të luajë si zakonisht. Nuk do të jenë Karim dhe Cristiano, ndërsa të tjerët janë të gjithë të gatshëm për të luajtur.

Do të luajmë me ekipin më të mirë dhe do të përpiqemi për të fituar. Nuk mund të them asgjë për rivalët, Atletico dhe Barcelona. Gjëja më e rëndësishme është që të bëjmë mirë detyrën tonë. Ne jemi pas tyre dhe duhet të fitojmë çdo gjë, që të presim ndonjë hap fals të kryesuesve”, theksoi Zidane.

Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema nuk pritet të luajnë ndaj Real Sociedad dhe janë në dyshim për ndeshjen ndaj Manchester City-t, që zhvillohet të mërkurën

(Kosova Sot)