Gashi shënon, lë në hije Didier Drogba

  • 01 May 2016 - 11:47
Gashi shënon, lë në hije Didier Drogba

Shkëlzen Gashi pushton Amerikën. Pas vlerësimeve për lojën me Colorado Rapids, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ishte vendimtar në barazimin 2-2 që skuadra nga Denveri regjistroi në fushën e Montreal Impact të Didier Drogbasë.

Ishte pikërisht ylli nga Bregu i Fildishtë, me një të kaluar te Chelsea dhe Galatasaray, ai që kaloi në avantazh vendasit nga Kanadaja, pas 9 minutave lojë. Reagimi i Colorado-s erdhi me golin e Shkëlzen Gashit në minutën e 47-të.

Sulmuesi shqiptar shfaqi instiktin prej goleadori në zonë, duke realizuar rrjetën e dytë në aventurën në Major League Soccer amerikane.

Pak çaste më pas Montreal gjeti sërish avantazhin me Tissot, por Rapids u përgjigjën në minutën e 73-të të sfidës, me Gashin që ishte protagonist.

Harkimi i kuqeziut nga një goditje standarde u shfrytëzua nga Bobby Burling, që barazoi shifrat për rezultatin final 2-2, duke bërë që Colorado të marrë një pikë mjaft të vlefshme, që i mban përkohësisht në krye të renditjes së Konferencën së Perëndimit me 17 pikë në 9 ndeshje, në kuotë të barabartë me Real Salt Lake dhe Dallas./SuperSport/

(Kosova Sot)