Armend Dallku mes Europës dhe lamtumirës nga Vorskla

  • 01 May 2016 - 13:40
Armend Dallku mes Europës dhe lamtumirës nga Vorskla

Dy vjet pas tërheqjes nga Kombëtarja Shqiptare, menjëherë pas ndeshjes së 5 Marsit 2014 ndaj Maltës, Armend Dallku po mendon seriozisht tërheqjen nga futbolli. Mbrojtësi nga Vushtrria la që diçka e tillë të nënkuptohej pas postimit në faqen personale në “Facebook”, ku festoi kualifikimin e Vorskla Poltavas në Europa League, pas fitores 3-0 me Karpaty. “Përsëri në Evropa Ligë. Misioni u përmbush, po vjen koha t’i themi lamtumirë futbollit…”, ishin fjalët e Armend Dallkut, që nuk kaluan pa u vënë re mes miqve dhe ndjekësve të tij.

Për të shpjeguar më tepër rreth situatës, shërbeu një tjetër postim i ish-mbrojtësit kuqezi, që theksonte se “në kampionatin ukrainas do të luhen edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit dhe më pas do të vendosë përfundimisht se çfarë do të bënte në të ardhmen”.  32-vjeçari nuk e përjashtoi as mundësinë që të kthehej në Kosovë për të luajtur, në mënyrë që të ndihmojë klubet e vendlindjes me eksperiencën dhe organizimin e lojës.

Armend Dallku është kapiten i Vorskla Poltavës, klub me të cilin militon prej vitit 2005 dhe numëron rreth 240 ndeshje të luajtura. Me Kombëtaren Shqiptare mbrojtësi i djathtë luajti 64 ndeshje nga viti 2005, duke shënuar edhe një gol. Në vllazëroren e 13 Nëntorit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë, Federata Shqiptare së bashku me homologen kosovare organizuan ceremoninë e lamtumirës së Armend Dallkut dhe Debatik Currit nga Kombëtarja.

(Kosova Sot)