Rosberg nuk ndalet, fiton edhe në Rusi

  • 01 May 2016 - 17:52
Rosberg nuk ndalet, fiton edhe në Rusi

Në Formula 1 është viti i Nico Rosberg. Gjermani i Mercedes fitoi edhe garën e 4-t sezonale pasi triumfoi duke dominuar në Cmimin e Madh të Rusisë. Suksesi i 4-t në 4 gara për Rosberg dhe 100 pikë të grumbulluara në këtë kampionat, vetëm Michael Shumacher dhe Nigel Mansell kanë bërë më mirë se piloti me origjinë finlandeze, në fillimin e sezonit pasi kanë fituar 5 garat e para. Kjo ishte fitorja e 7-t radhazi e Rosberg nëse marrin në konsideratë edhe 3 garat e fundit të sezonit të kaluar. Në Sochi Rosberg kryesoi nga fillimi në fund duke lënë pas shokun e skuadrës britanikun Lewis Hamilton dhe finalandezin e Ferrarit Kimi Raikkonen. I pafat Sebastian Vettel. 4-herë kampioni i Botës pati një kontakt me rusin e Red Bullit, Danil Kvyat që në xhiron e parë duke i dhënë lamtumirën e garës pa e nisur mirë atë. Vendi i 4-t në Rusi shkoi për Williamsin e Valteri Bottas, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës braziliani Felippe Massa. Ndërkohë që 10-shja e parë u kompletua nga Alonso, Magnussen, Grosjean, Perez e Button.

Fillimi i garës ishte i gjithi për dy makinat Mercedes. Rosberg ruajti kryesimin ndërkohë që Hamilton bëri një nisje me të vërtetë fantastike duke rikuperuar menjëherë 5 pozicione. Aksidenti i Vettel bëri që në pistë të hynte menjëherë makina e sigurisë. Me largimin e safety car, Rosberg vazhdoi i qetë dominimin kurse Bottas dhe Hamilton parakaluan një Raikkonen të përgjumur. Në xhirot në vazhdim gara foli më shumë për Hamilton që pasi parakaloi Valteri Bottas-in filloi të ushtronte presion ndaj Rosberg duke u afruar deri në 7 sekonda ndaj shokut të tij të skuadrës. Megjithatë ritmi i kampionit në fuqi të Botës nuk ishte më i njëjti deri në fund me Rosberg që fitoi garën i pashqetësuar dhe Hamilton që u rendit i dyti. Raikkonen nga ana tjetër arriti ti merrte vendin e tretë bashkëkombasit të tij Bottas duke u ngjitur në shkallën më të ulët të podiumit. Nëse vazhdon me këto ritme fitimi i titullit të parë kampion në karrierë mund të rezultojë thjeshtë një formalitet për Nico Rosberg që kryeson klasfikimin e përgjithshëm me 100 pikë kundrejt 57 të Hamilton dhe 43 të Raikkonen.

(Kosova Sot)