Sfidat për klubet e volejbollit

  • 02 May 2016 - 08:30
Sfidat për klubet e volejbollit

Drenica reagon ndaj Federatës

Klubet e volejbollit nga edicioni i ardhshëm mund të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve, që është gara më e fortë për klube në Evropë, dhe kjo është një sfidë e madhe për klubet tona, që ballafaqohen me shumë probleme. Megjithatë, ato pritet të japin maksimumin, nëse marrin pjesë dhe të përfaqësojnë sa më mirë volejbollin kosovar në këtë garë

 Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) njoftoi ditë më parë se nga edicioni i ardhshëm, katër skuadra do të marrin pjesë në garat evropiane, dhe jo dy si edicionin e kaluar. Kampionët do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve, derisa finalisti i "Play-off"-it në Kupën Sfiduese. Klubet që janë të interesuara duhet të deklarohen deri më 5 maj se janë të gatshme, derisa në Federata duhet të deponojnë shumë prej pesë mijë eurove si garanci, që do të marrin pjesë dhe do t'i kryejnë obligimet ndaj Federatës Evropiane të Volejbollit (CEV). Kampion dhe fitues i Kupës te meshkujt është Besa nga Peja, kurse Drita nga Gjilani te femrat. Historike për qytetin e Gjilanit .

Trajneri i Dritës, Lorik Ilazi, thotë se kjo garë është shumë e vështirë, por do të mundohen të bëjnë më të mirën. "Po, këtë vit CEV-i ka ndryshuar rregullat për në Ligën e Kampionëve dhe ne jemi pjesë e kësaj gare. Kjo është gara me nivelin më të lartë në botë, pasi që këtu bëjnë pjesë ekipet më të mira botërore dhe normalisht që për ne është shumë vështirë, por do të mundohemi të japim më të mirën e mundshme dhe shpresojmë që të kemi ndonjë short të favorshëm. Siç dihet në bazë të rregullave ekipet, të cilat humbin në Ligën e Kampionëve bien në garën e dytë, që është Kupa CEV (CEV Cup) dhe aty janë ekipet e rangun më të ulët, por prapë shumë të mira. Ne jemi të lumtur që këtë vit jemi pjesëmarrës në këto gara, pasi që është nder e krenari dhe shpresojmë që të kemi short të mirë dhe të tregojmë cilësitë tona. Në minimum do t'i zhvillojmë katër ndeshje dhe kjo do të jetë një përvojë e re për të gjithë ne dhe qytetin tonë, pasi që është hera e parë që një ekip nga Gjilani luan në gara evropiane dhe hera e parë që një skuadër e volejbollit luan në Ligën e Kampionëve", ka thënë Ilazi për "Kosova Sot".

Ai brengoset nëse do të mund t'i organizojnë ndeshjet. vendas në Ligën e Kampionëve. "Për ne do të jetë shumë e vështirë që të mobilizohemi, pasi është hera e parë, por unë besoj se së bashku me Federatën, Departamentin e Sportit dhe Ministrinë mund t'ia dalim dhe të na ndihmojnë, siç i kanë ndihmuar vitin e kaluar klubet pjesëmarrëse në garat evropiane. Unë jam shumë i lumtur për këtë lajm, por e kam vetëm një brengë se sa do të arrijmë që të organizojmë ndeshjet si vendas për Ligën e Kampionëve, pasi palestra duhet t'i plotësojë shumë kritere dhe mos të na ndodhë që në këtë garë të zhvillojmë dy ndeshjet jashtë vendit. Në garat e CEV Cup, garantoj se do të luajmë pranë shikuesve tonë, pasi që nuk kërkohen shumë kushte", theksoi trajneri i vashave gjilanase. Drita kishte një edicion të jashtëzakonshëm, duke fituar titullin, Kupën e Federatës, Kupën e Republikës së Kosovës dhe Superkupën, dhe nuk pësoi asnjë humbje.(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)