Fytyra e vërtetë e Prishtinës

  • 02 May 2016 - 08:33
Fytyra e vërtetë e Prishtinës

Dueli i katërt, në mesjavë në kryeqytet
Peja tashmë e ka siguruar një vend në finalen e madhe, pasi e ka eliminuar Trepçën me rezultat 3:0 në serinë gjysmëfinale, kurse kësaj rruge është edhe Sigal Prishtina, e cila tashmë e ka marrë kryesimin në seri ndaj Bashkimit me shifrat 2:1

Më në fund Sigal Prishtina e ka treguar fytyrën e saj të vërtetë në "play-off"-in e Superligës së Kosovës në basketboll. Bardhekaltrit pas tri ndeshjeve gjysmëfinale të zhvilluara kundër Bashkimit tani udhëheqin në seri 2:1. Në ndeshjen e parë të luajtur në kryeqytet Prishtina pati triumfuar me rezultat 67:59, kurse në duelin e zhvilluar në mesjavë në Prizren ka pësuar disfatë dhe atë pas vetëm dy vazhdimeve me shifrat 88:86, ndërsa sërish është kthyer të dielën mbrëma në "Sezai Surroi", por kësaj radhe ishte skuadër e një niveli më lartë se Bashkimi, andaj në fund shënoi fitore me shifrat 78:58.

Dominim i plotë i kryeqytetasve Prishtina e nisi furishëm takimin dhe ia doli që qysh në çerekun e parë të krijojë epërsi prej 8 pikëve, 23:15. Me të njëjtin ritëm mysafirët vazhduan edhe në dhjetëminutëshin e dytë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 43:28, gjë që e tregon më së miri dallimin e forcave në parket. Me t'u kthyer nga pushimi nikoqirët nuk ia dolën assesi të gjejnë ritmin, derisa në anën tjetër.prishtinasit e menaxhuan mjaft mirë situatën edhe në dy dhjetëminutëshit e fundit (12:18, 18:17) dhe kështu ia dolën të kthehen me fitore nga Prizreni. "Ishte e pamundur ta përsëritnim ndeshjen e dytë, kur dihet se ne luajmë me 5 lojtarë. Prishtina në anën e saj ka ekip më të mirë, vetëm Jason Washburn paguhet sa i gjithë stafi i Bashkimit. Kjo tregon mjaft", është shprehur pas takimit Petar Mijoviq, trajner i portokallinjve. Në anën tjetër, trajneri i Prishtinës, Antonis Constantinides pas ndeshjes është shprehur i kënaqur me lojën e treguar nga ana e të përzgjedhurve të tij: "Më në fund e luajtëm lojën tonë. Ajo çfarë bëmë në dy ndeshjet e para ka qenë e papranueshme, andaj jam i lumtur që basketbollistët e mi dolën në parket dhe treguan lojë të mirë, e cila na solli fitoren e thellë. Kjo është fytyra e vërtetë e Sigal Prishtinës". (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)