Kosova pret rikthimin e yjeve, por Zvicra voton “Pro”

  • 02 May 2016 - 13:49
Kosova pret rikthimin e yjeve, por Zvicra voton “Pro”

Vetëm pak orë përpara Kongresit të UEFA-s, ku Kosova pritet të votohet si anëtare me të drejta të plota, përkrahja për përfaqësuesen më të re në Europë nuk mungon.

Përveç Shqipërisë, që prej vitesh ka lobuar për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, një prej vendeve dhe federatave që e mbështesin fuqimisht pranimin është edhe Zvicra.

Federata helvete do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës, edhe pse ky fakt mund të duket paradoksal. Kjo sepse me lejimin e ekipit në arenën ndërkombëtare, Zvicra do të ketë problemet më të mëdha, me yje si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri apo Shani Tarashaj, që mund të vendosin të luajnë me Kosovën.

Konfirmimi për mbështetjen erdhi nga sekretari i Federatës Zvicerane të Futbollit, Alex Miescher, sipas të cilit “qeveria zvicerane ka qenë ndër të parat që e ka njohur politikisht Kosovën” dhe se “është e natyrshme që ata të mbështesin edhe pranimin e Federatës Kosovare si anëtare e UEFA-s”.

Megjithë votën “Pro”, Miescher pranoi se Federata Kosovare dhe homologia Zvicerane ende nuk i kanë sqaruar të gjitha çështjet përsa u takon futbollistëve.

(Kosova Sot)