Kosova me lot në UEFA

  • 04 May 2016 - 10:17
Kosova me lot në UEFA

Historia e futbollit të Kosovës u shkrua në Budapest të Hungarisë. Në fakt, historia e futbollit tonë ka nisur shumë më herët, por të martën, në Kongresin e 40-të të UEFA-s, ishte kulmi i saj. Kosova është bërë anëtarja e 55-të e UEFA-s, e cila gjatë votimit për pranimin e saj mori 28 vota pro, 24 ishin kundër dhe 2 abstenime. Dita e djeshme ka qenë njëra nga më emocionueset për futbolldashësit kosovarë. Ankthi nëse do të mund të arrijmë shumicën e nevojshme ishte i madh dhe sigurisht i arsyeshëm, gjithmonë duke u bazuar në zhgënjimet që kishim përjetuar në të kaluarën, madje nga disa shtete mike.shkruan gazeta Kosova Sot.

Edhe këtë herë zhgënjimet të tilla nuk munguan dhe kulmi ishte Zvicra, e cila befasoi me reagimin e saj, pasi nga Serbia veç ishte e dijshme. "Disa shtete që i kemi konsideruar mike deshën t'i japin kahe tjetër ngjarjes. Megjithatë, ne ia dolëm dhe prapë ato i konsiderojmë mike", ka thënë kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, duke aluduar në reagimin befasues të shtetit të Zvicrës. Sido që të jetë, Kosova dje ka shënuar golin më të rëndësishëm në historinë e futbollit tonë. Shumë gjenerata e kishin nisur këtë rrugëtim, ndërsa atë e finalizoi i famshmi Fadil Vokrri, që pa dyshim i ka meritat më të mëdha që ne sot jemi pjesë e UEFA-s.

Erdhi dita jonë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, e ka vlerësuar historike ditën e djeshme. "Më në fund erdhi kjo ditë. Një drejtësi e vonuar, por rëndësi ka që tashmë jemi pjesë e UEFA-s. Edhe këtë herë u munduan të na bllokojnë, por në fund ia dolëm. Edhe më herët e kam thënë se me nenin apo pa nenin rreth Kombeve të Bashkuara ne do të jemi anëtarë të UEFA-s dhe kjo u bë. Anëtarësimi erdhi në momentin më të duhur", ka thënë Vokrri pas pranimit të Kosovës në UEFA. Ai e ka pranuar se ka pasur emocione të mëdha, si çdo kosovar tjetër gjatë rrjedhës së Kongresit të UEFA-s. "Kanë qenë momente mjaft të vështira, duke pasur parasysh kahun që i dhanë disa shtete që ne i konsiderojmë si mike, por ne prapë do t'i konsiderojmë të tilla, pa marrë parasysh se u përpoqën të na dëmtojnë.

Pas mosmiratimit të ndryshimeve statutore ne kemi pasur frikë se do të hiqet i gjithë procesi i votimit për ne, por atë frikë e kemi hequr pas konsultimeve me Zyrën Ligjore. Edhe pse ka qenë një votim tepër i vështirë, duke mos harruar rastin e UNESCOs, ne edhe në ato momente të votimit kemi bërë gjithçka që ka qenë në mundësitë tona dhe me përkrahjen e miqve tanë ia kemi arritur qëllimit për ta bërë ëndrrën realitet. Tash duhet të kthehemi dhe të mendojmë për Kongresin e FIFA-s. Gjithsesi, me anëtarësimin në UEFA na janë hapur dyert për në FIFA. Kjo është një fitore e të gjitha gjeneratave që punuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për futbollin e Kosovës dhe jam krenar që sot kam qenë përfaqësues i tyre", ka theksuar Vokrri.

Pas një jave në FIFA

Hapi i parë tashmë është arritur, ajo që duhet bërë tash është pranimi edhe në FIFA, i cili automatikisht do të na hapte rrugën për pjesëmarrje në eliminatoret për Kampionatin Botëror "Rusia 2018". Gjithsesi, inkuadrimi në FIFA duket shumë më i lehtë, kjo pasi do të bëhet me kërkesën e UEFA-së, derisa edhe aspektet ligjore për inkuadrim në këtë institucion janë shumë më të lehta. Të kujtojmë se Kongresi i FIFAs mbahet më 13 maj në Meksikë, derisa në agjendë tashmë është futur edhe pranimi i Kosovës. "E uroj Kosovën për anëtarësimin në UEFA. Tani ajo mund t'i bashkohet edhe FIFA-s dhe do të jetë pjesë e agjendës në Kongresin që do të mbahet në Meksikë", ka deklaruar numri një i FIFA-s, Gianni Infantino. Kongresi i FIFA-s do të mbahet më 13 maj, ku bashkë me Kosovën pritet edhe pranimi i Gjibraltarit.

Heroi i ditës

Alasdair Bell, zyrtari ligjor i UEFA-s, është njeriu, i cili me fjalimin e tij arsyetoi se pse do të duhej të votohet Kosova për pranim në UEFA, pa marrë parasysh Statutin që nuk i pranon vendet që nuk janë anëtare të OKB-së."Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t'i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet. Nëse nuk je anëtar i OKB-së nuk do të thotë se nuk je shtet", ka thënë Bell. "Katër kriteret e të qenit shtet janë përcaktimi i territorit, popullata, qeveria dhe aftësia për të arritur marrëveshje me të tjerët. Prandaj, anëtarët e Kongresit do të vendosin vetë nëse Kosova e meriton të pranohet në UEFA apo jo", ka thënë britaniku Bell në fjalimin e tij para votimit për Kosovën. Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, pas pranimit të Kosovës në UEFA në konferencën për shtyp ka thënë se nuk do të lejojnë që Kosova dhe Serbia të luajnë kundër njëra-tjetrës. Sekretari Theodore ka paralajmëruar se ata do të kujdesën që Kosova dhe Serbia të mos luajnë kundër njëra-tjetrës.

Ai ka theksuar se ka edhe raste të tjera, kur dy Përfaqësuese nuk mund të luajnë në një grup. "Për fat të keq, ne shpesh e aplikojmë këtë praktikë, e cila është e domosdoshme për garat ndërkombëtare, si rasti i Rusisë dhe Ukrainës, apo Azerbajxhani me Armeninë", ka thënë Theodoridis, i cili më pas ka folur edhe për përfaqësimin e klubeve kosovare në Kupat e Evropës. "Komiteti brenda UEFA-s për garimin e klubeve do të marrë vendim para fundit të majit. Më pas ai vendim aprovohet nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s se sa klube marrin pjesë në garat evropiane këtë vit", ka përfunduar Theodoridis.

(Kosova Sot)