Besnik Hasi, gati të refuzojë 3 klube për kombëtaren

  • 04 May 2016 - 16:30
Besnik Hasi, gati të refuzojë 3 klube për kombëtaren

Flirti i Xhani de Biazit me kombëtaren e Italisë ka vënë në lëvizje Federatën Shqiptare të Futbollit, që duket se tashmë kanë një listë me emra si pasardhës të mundshëm të italianit.

Në krye të listës është Besnik Hasi, trajneri i Anderlehtit i cili pritet t’i japë lamtumirën skuadrës aktuale. Mediat belge raportojnë se në tryezën e 44-vjeçarit ka disa oferta serioze, por ai është i gatshëm të refuzojë të gjitha për stolin e kombëtares shqiptare.

Përveç Aston Vilës, e cila prej kohësh ka shprehur interesim për shqiptarin, në garë janë futur edhe turqit e Trabzonsporit dhe francezët e Nantës, përcjell “Top Channel”.

Mirëpo, gjithnjë referuar mediave në Belgjikë, Hasi është duke pritur një sinjal nga Shqipëria, pasi nuk dëshiron që ta refuzojë për të dytën herë kombëtaren “kuqezi”, edhe pse në vjeshtën e 2011-s ishte pikërisht Anderlehti që këmbënguli që trajneri gjakovar të qëndronte në Bruksel.