Kolni nuk e lëshon Mavrajn

  • 05 May 2016 - 22:24
Kolni nuk e lëshon Mavrajn

Brenda pak muajsh, gjithçka ka ndryshuar në karrierën e Mërgim Mavrajt.

Në dimër zgjidhja e vetme dukej largimi nga Koln, për të rigjetur formën e plotë fizike pas një dëmtimi të rëndë dhe për të luajtur rregullisht, për të mos humbur vendin te Shqipëria para Euro 2016.

Megjithatë, Kolni as që e mori në konsideratë mundësinë e largimit, sepse trajneri Peter Stoger kishte në mendje një mbrojtje me tre lojtarë qendre dhe në këtë aspekt Mavraj ishte i rëndësishëm.

Vendimi i trajnerit ka rezultuar perfekt për të dyja palët, sepse në pjesën e dytë të sezonit Mavraj ka luajtur 9 herë titullar, duke pasur një rendiment të lartë, ndërkohë që mungoi në Augsburg për një dëmtim të lehtë, por këtë fundjavë do të jetë sërish në fushë.

Tani Kicker.de raporton se mbrojtësi i kombëtares sonë do të “blindohet” nga Kolni, që e konsideron mjaft të rëndësishëm dhe po mendon rinovimin, me një lojtar që është perfekt për skemat e trajnerit Stoger, njeh mirë ambientin dhe ka një rendiment konstant, duke qenë një garanci sa herë luan.

(Kosova Sot(