1000 euro për finale

  • 06 May 2016 - 09:26
1000 euro për finale

Rriten çmimet për finalen e “San Siro”-s

Real Madrid dhe Atletico Madrid u kualifikuan në finale të Ligës së Kampionëve pas dy vjetësh, dhe tifozët madrilenë janë në ‘qiellin e shtatë’. Megjithatë, përkundër finales së ëndërruar, tifozët nga qyteti i Madridit duhet të kursejnë shumë, pasi një finale kushton rreth 1 mijë euro  

Derbi i Madridit në Milano

Kur kanë mbetur më pak se tri javë nga akti i fundit i Ligës së Kampionëve për edicionin 2015/16, kanë filluar të rriten ethet e finales. Dhe, për rrjedhojë, siç ndodh në këto raste, kanë filluar të rriten edhe çmimet. Më 28 maj, Milano do të jetë kryeqendra e një ‘pelegrinazhi’ me 5 yje. Pikërisht kështu, sepse udhëtimi me avion, biletat, por mbi të gjitha hoteli kanë shifra të jashtëzakonshme, dhe në Spanjë kanë filluar polemikat. Mëngjesin e djeshëm, në fakt, e përditshmja sportive “AS” ka folur për spekulimin ekonomik që shoqëron pritjen e madhe për finalen e Ligës së Kampionëve, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Çmimet e hoteleve rriten për 1000 %

Gazeta e Madridit ka bërë llogarinë: çmimi i udhëtimit me avion nga kryeqyteti spanjoll drejt Milanos ka pësuar një rritje me 17%, ndërsa ai i hoteleve ka kaluar madje 1000%.  Nëse sot rezervohet një biletë avioni dhe një dhomë hoteli për dy net (27 dhe 28 maj) për në Milano do të duhet të shpenzohen të paktën 944 euro, të cilave i duhet shtuar edhe kosto e biletës së finales, që shkon nga 70 deri në 440 euro. I njëjti udhëtim, vetëm një javë më vonë, kushton rreth 115 euro, pothuajse 87 % më pak. Ja cili do të ishte programi më i mirë për një tifoz të Real-it apo Atletico-s, për të ndjekur finalen ‘live’ në “San Siro”: nisja nga aeroporti i Barajas, Madrid, në orën 20:45 të ditës së premte me një fluturim me kompaninë “EasyJet”, që do të zbarkojë në aeroportin e Malpensas (325 euro).

Nga 21 mijë bileta për tifozët e dy skuadrave

Rezervimi i dhomës për atë natë dhe për atë të së shtunës, pas finales, në një hotel me 1 yll, që ndodhet 8 kilometra në këmbë nga “San Siro” (300 euro). Në fund, kthimi në atdhe pasditen e së dielës në orën 18:10 me një fluturim “RyanAir” (292 euro) që niset nga aeroporti Orio al Serio. Me pak fjalë, udhëtim pasanikësh. Dhe, si të mos mjaftonte, në 15 orët e fundit nga tetë avionët që udhëtojnë drejt Madridit të dielën më 29 maj, gjashtë nuk kanë më asnjë vend të lirë. Dy të mbeturit, të dy “RyanAir”, kalojnë nga çmimi 292 euro në orët e mbrëmjes në 361 euro në orët e para të mëngjesit. Nëse asgjë nuk do të ndryshojë, do të jetë e vështirë të kënaqen më shumë se 40 mijë tifozët madrilenë, UEFA do t’i japë 21 mijë bileta Real-it dhe 21 mijë bileta Atletico-s, që parashikohen të jenë në “Meazza” pas tri javësh.

Alternativat janë një udhëtim prej 1600 kilometrash me mjete të tjera dhe tifozët e zjarrtë kanë filluar të vihen në kërkim të zgjidhjeve “low cost” të minutës së fundit. Sido që të shkojë kostoja e kësaj aventure do të jetë e lartë edhe pse, dihet, një finale e Ligës së Kampionëve nuk ka çmim. Dhe, ideja se mund ta fitosh duke mundur rivalët e përjetshëm, në fund të fundit, ia vlen të bësh një sakrificë.

(Kosova Sot)