Gashi: Moment historik për Kosovën

  • 06 May 2016 - 17:43
Gashi: Moment historik për Kosovën

Kosova tashmë është anëtarja e 55-të e UEFA-s, ndërsa pas disa ditësh pritet të anëtarësohet edhe në FIFA. Në Budapest, Kosova mori 28 vota për, ndërsa 24 i kishte kundër. Për futbollistin e Kombëtares shqiptare që luan te Colorado Rapids, Shkëlzen Gashi, i cili ka prejardhje nga Kosova, ky vendim ishte i madh edhe pse e priste 5 mijë mile larg shtëpisë së tij. “Është një moment historik për Kosovën. Besoj që lojtarët do t’i tregojnë botës se sa vlen futbolli i Kosovës”, ka thënë Gashi për “MLSsoccer.com”. Me prindër kosovarë, Gashi ka lindur në Zvicër dhe 27-vjeçari shkon në pushim në Kosovë sa herë ka kohë. Më 2012 lojtarë të njohur, si kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana dhe yjet e Zvicrës Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, por edhe lojtarë të tjerë shqiptarë nënshkruan peticion drejtuar Sepp Blatter-it që Kosova të luajë dhe më 2014 asaj ju garantuan miqësoret, shkruan “MLSsoccer.com”. Sikurse Shaqiri, Xhaka, e Behrami edhe Gashi ka qenë pjesë e grupmoshave të Zvicrës. Ai tashmë ka vendosur që ta përfaqësojë Shqipërinë dhe do të marrë pjesë në “Euro 2016” së bashku me Canën. “Shumë lojtarë të mirë vijnë nga Kosova. Jemi krenarë dhe të fokusuar. Është me rëndësi pasi njerëzit shikojnë për atë që bëjmë dhe kjo është një punë e rëndësishme”, ka theksuar Gashi. Tashmë hapi i radhës për Kosovën është pranimi në FIFA, ndërsa deri më tani është njohur nga 108 shtete, përfshirë edhe Kanadanë dhe SHBA-të. Kjo mund të ndodh në Meksikë, ku mbahet Kongresi i 66-të i FIFA-s. “Shpresojë që Kosova të pranohet dhe të luajë në eliminatoret për Kupën e Botës. Do të jetë një ditë e bukur për lojtarët dhe shtetin”, ka thënë Gashi. (Kosova Sot)