Shaqiri e Xhaka nuk largohen nga Zvicra

  • 06 May 2016 - 17:44
Shaqiri e Xhaka nuk largohen nga Zvicra

Ish-trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld ka folur në lidhje me të ardhmen e Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës te Zvicra pas pranimit të Kosovës në UEFA. Sipas tij, dy-ish lojtarët e tij nuk do ta ndërrojnë Zvicrën për Kosovën. “Së pari duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të vendos Kongresi i FIFA-s dhe më pas do të vendosin nëse lojtarët që kanë luajtur për një vend tjetër, mund të luajnë tani për tani për Kosovën, apo pas dy ose pesë vitesh”, ka thënë Hitzfeld për “Blick”. Sipas tij, Shaqiri e Xhaka kanë lidhje të ngushta me Përfaqësuesen zvicerane. “Përfaqësuesja është e paprekur, është krijuar atmosferë e mirë. Ata janë të lumtur kur e shohin veten e tyre aty. Janë rritur që nga fëmijëria së bashku, prandaj jam i bindur se Xherdani dhe Graniti do të vazhdojnë me Zvicrën”, shtoi trajneri gjerman. “Unë mund ta imagjinoj se sa të vështirë e kanë ata. Kjo është si të jesh në familje dhe të diskutosh për fëmijën tuaj. Të luash për rrënjët e tua, apo për vendin ku je rritur. Është çështje e ndërgjegjes tuaj. Nëse ata i kushtojnë vëmendje karrierës së tyre, me Përfaqësuesen zvicerane shanset i kanë për suksese më të mëdha. Nëse zgjedhin Kosovën, kjo është gjë emocionale”, u shpreh Hitzfeld. Mediet në Zvicër po frikësohen se futbollistët si Shaqiri e Xhaka do të luajnë për Kosovën, pasi të pranohet në FIFA. Kongresi i FIFA-s mbahet më 12-13 maj në Meksikë dhe nëse Kosova pranohet, atëherë edhe Përfaqësuesja kosovare do të ketë të drejtë të marrë pjesë në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. (Kosova Sot)