description

Enis Zabërgja, i vërshuar nga ofertat

Publikuar: E premte 30 Korrik 2010, 12:56 1 Komente

Futbollisti “i rebeluar” i Hysit , Enis Zabërgja, vazhdon të jetë i suspenduar nga klubi llapjan. Kështu ka njoftuar të premten sulmuesi i spikatur nga Vushtrria, i cili në dy vitet me mjaft sukses i barti ngjyrat e klubit llapjan së bashku me vëllanë e tij, Ardianin. Goleadori Enis Zabërgja njoftoi se është i vërshuar nga ofertat e klubeve jo vetëm kosovare, por edhe atyre shqiptare nga Maqedonia e Shqipëria, të cilat duan ta kenë në radhët e tyre. Në një prononcim të tij për “Kosova Sot” Zabërgja tha se beson që së shpejti do të arrijë marrëveshje me pronarin e klubit Hysen Sadiku. “Unë kam kontratë me Hysin edhe për dy vitet në vazhdim, por shpresoj se do të arrij marrëveshje me pronarin e klubit, Hysen Sadikun. Klubi ka qenë korrekt në raport me mua dhe ndaj meje janë kryer të gjitha obligimet financiare”, ka thënë Zabërgja. Në kohën kur të gjitha skuadrat e Superligës së Kosovës janë në vlugun më të madh të përgatitjeve, Zabërgja është duke stërvitur në mënyrë individuale. “Unë po punoj individualisht në mënyrë që kurdo që arrij marrëveshje me ndonjë skuadër të jem i gatshëm”, ka shtuar Zabërgja. Interesimin për shërbimet e tij e kanë shprehur disa skuadra, ndërsa më këmbëngulëse janë ato mitrovicase, Trepça dhe Trepça ’89. “Ofertat janë të shumta, por dy skuadrat e mitrovicase janë duke kërkuar me ngulm që unë të kaloj në radhët e tyre. Synimi im është që fillimisht të huazohem për gjashtë muaj në ndonjë skuadër, por nëse nuk ekziston kjo mundësi, ka skuadra që janë shprehur të gatshme të kompensojnë shumën që mua më është dhënë kur kam nënshkruar kontratë me Hysin”, ka theksuar sulmuesi vushtrrias. Enis Zabërgja dy vjet më parë ishte shpallur golashënuesi më i mirë i Raiffeisen Superligës në futboll duke shënuar më shumë se 20 gola. Njëkohësisht ai është edhe anëtar i Përfaqësueses së Kosovës.

S. Blaku

Printo Dërgo
  • di

Komente

  • zaim 01.08.2010 - 14:51

    Mir de

KARAKTERE TE MBETURA

arkivi i lajmeve