description

Përvjetori i 60-të e gjen në kushte tejet të vështira

Publikuar: E premte 30 Korrik 2010, 12:53 0 Komente

Zërat se për shkak të mungesës së mjeteve financiare, Trepça është në rrezik të mos vazhdojë garat në elitën e hendbollit kosovar, madje shuarjen e saj, bëhen gjithnjë e më aktualë. “Xehetarëve” ua kanë kthyer shpinën edhe ish-hendbollistë e punëtorë tjerë sportivë, të cilët nga klubi përfituan e po përfitojnë në forma të ndryshme, nga FHK-ja e Republikës së Kosovës. “Trepça nuk është klub profesional e as amator, kurse kërkesat materiale janë të natyrës profesionale”, ka thënë Luan Buçinca, i cili me vite ka kontribuar në mbarëvajtjen e klubit. “Hendbollistët kërkojnë paga të një profesionisti, kurse statusi ynë është i papërcaktuar dhe paraqet problem për të gjitha klubet e Kosovës”. Sipas tij, vetëm tri skuadra mund të konsiderohen si profesionale, të cilat me pak para po i mashtrojnë hendbollistët për t’i sjellë në radhët e tyre e ato janë Prishtina, Kastrioti e Besa. “Nuk kemi probleme me lojtarë e as me trajnerë, por vështirësi paraqet mungesa e mjeteve materiale”, tha Buçinca dhe shtoi se Trepça ka strukturat e veta dhe nuk është shoqatë amatore e as shoqatë profesionale, por klub i cili sivjet kremton 60-vjetorin e themelimit, në kushte tejet të vështira materiale. “Lin Projekti me pronarin Isuf Haxhimehmeti, ofroi mbështetje me gjithë faktin se ai nga klubi nuk kishte kurrfarë përfitimi, por edhe ai sikur u lodh me probleme tonat dhe u lirua nga obligimet sikur edhe donatorët tjerë”, ka njoftuar Buçinca. Ai tha se firmat që kanë madje edhe nga 200 punëtorë nuk e ndihmojnë këtë klub, kurse ai me dy punëtorë në një depo të vogël (të cilën e ka hapur për të mbajtur familjen) ka mbetur i vetmuar në këtë klub me traditë shumëvjeçare i cili është sjellë në pozitë madje edhe ndoshta të heq dorë nga garat e rregullta në kampionatin e ri. Trepça në kampionatin e kaluar ka zënë pozitën e gjashtë në tabelën e klasifikimit. Buçinca theksoi se kriza nisi me largimin e Kabashit, ndërsa këtë zeje e ushtruan Florent Beqiri e Eroll Ibrahimi që pa kompensim material drejtuan skuadrën në ndeshjet për pikë. “Janë 14 mitrovicas të cilët dikur kanë qenë të lidhur me Trepçën, tash janë të lidhur drejtpërdrejt në Federatën e Hendbollit të Kosovës, 4 delegatë në Superligë, 14 çifte të gjyqtarëve, trajnerë…, të cilët marrin të ardhura, kurse nuk e shohin të arsyeshme të ndihmojnë më asgjë klubin e tyre në të cilin u afirmuan dhe arritën ato poste”, ka theksuar Buçinca, duke kritikuar më pas edhe kreun e FHK-së: “Trepça është klub amator, kurse Superliga duhet të këtë kornizë amatore, pavarësisht çka thotë për këtë kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Mexhid Devaja, i cili merret më internacionalizimin e hendbollit kosovar, pa shikuar më çfarë problemesh ballafaqohemi, pasi ende nuk mund të krahasohemi me shtete përreth nesh, të cilat statusin e tyre e kanë të rregulluar më ligj”. Buçinca tha se është i gatshëm të largohet nga klubi po qe se dikush mendon se mund të japë kontribut më të madh se ai, por e vërteta është se ka individë që kanë kaluar në klube të tjera për të bërë biznes.

F. Beka

Printo Dërgo
  • di

Komente

KARAKTERE TE MBETURA

arkivi i lajmeve