description

?Toyota Auris?, siguria dhe komfori në rend të parë

Publikuar: E marte 1 Qershor 2010, 23:04 0 Komente

“Toyota” ka dalë me versionin e ridizajnuar të modelit “Auris”, e cila pasi që është testuar për herë të parë në vozitje, shumëkënd e ka lënë pa mend.

Ngjashmëria me karakteristikat vozitëse të modeleve „Volkswagen Golf“ apo „Ford Focus“ megjithatë nuk është çuar deri në fund, meqë „Toyota“ i ka mbetur besnike filozofisë së saj se harxhimet dhe aspektet ekologjike të mbesin në të njëjtin nivel me performancat e tjera. Kritikët thonë se kjo ka shkuar në dëm të fuqisë së motorit të kësaj veture, e cila në testim nuk është parë se zhvillon të gjitha 132 kuaj-fuqitë që i ka. Shkak i kësaj është sistemi i përsosur teknologjik “Toyota Optimal Drive”, i cili mban të balancuar kombinimin e performancave, harxhimeve dhe lirimit të gazrave të dëmshme. Por, kjo nuk është se do t’u pëlqejë edhe aq tepër adhuruesve të shpejtësive të mëdha, të cilët janë mësuar që ta shkelin deri në fund pedalin e shpejtësisë. Momenti maksimal i rrotullimit prej 160 Nm megjithatë është larg rezultatit të „Golf 1.4 TSI“, i cili zhvillon 122 kuaj-fuqi dhe 200 Nm.

 

Kabina pa zhurmë

Mund të thuhet se versioni i ri i “Toyota Auris”-it është më i mirë sesa versioni origjinal, i paraqitur në vitin 2007. Timoni është më direkt dhe përgjigjet më shpejt në të gjitha kërkesat e vozitësit, nën dorën e të cilit gjendet ndërruesi preciz manual me gjashtë shpejtësi. Ndërrimet e shpejtësive janë të qarta, pa kurrfarë mundimi. Një përparim i madh është bërë edhe në aspektin e izolimit të kabinës, ku udhëtarët mund të kënaqen në qetësi të plotë edhe në shpejtësi maksimale. „Auris“ është i tillë sa që edhe kur të kalojë nëpër gropa, kjo nuk hetohet brenda. Vetëm pak minuta pas timonit të kësaj veture, mjaftojnë që të ndiheni sikur e keni vozitur me vite të tëra, pra nuk nevojitet kurrfarë kohe e përshtatjes. Për këtë shkak, mund të thuhet se „Auris“ mbetet ‘cruiser’ i vërtetë, i cili 99,9% plotëson të gjitha nevojat e blerësve, që janë të gatshëm psh që të ndajnë 16.500 euro për modelin „Toyota Auris 1.6“ me pesë dyer dhe me pakon e pajisjeve „Luna“, e cila nënkupton klimën automatike me dy zona, shtatë erbegë dhe pajisjen CD/mp3.

 

Çmimi 13.990 euro

Gjithsesi duhet thënë edhe se plastika e enterierit është e kualitetit të lartë, gjë që vlen edhe për instrumentet. „Toyota Auris“ starton me një çmim prej 13.990 eurosh me versionin me pesë dyer, me motorin e benzinës me 1,33 litra dhe me 99 kuaj-fuqi, i cili harxhon vetëm 6 litra për 100 km të kaluara. Natyrisht, në rrethanat tona, me karburant të kualitetit të dyshimtë, harxhimet rriten për të paktën 20%.

 

Modelet dizel

më të kërkuara

Për këtë shkak, pritet që pjesa më e madhe e blerësve eventualë të përcaktohen për modelin „Auris“ me motorin dizel 1,4 litra D-4D, me 90 kuaj-fuqi (me moment rrotullues 205 Nm), çmimi fillestar i të cilit është 16.700 euro. Ekziston edhe motori me dy litra D-4D, që zhvillon 126 kuaj-fuqi dhe ka 310 Nm.

 

Karakteristikat teknike - Toyota Auris 1.6

 

Dimensionet

Gjatësia: 4.245 mm

Gjerësia: 1.760 mm

Lartësia: 1.515 mm

Distanca ndërboshtore: 2.600 mm

Gepeku: 350 l

Pesha: 1.245 kg

 

Motori

Vëllimi: 1.598 kubikë

Fuqia: 132 kuaj-fuqi

Momenti rrotullues: 160 Nm

 

Performancat

Përshpejtimi 0-100 km/h: 10,2 sekonda

Shpejtësia maksimale: 195 km/h

Harxhimet: 9,2 litra/100 km

Çmimi: 18.800 euro

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve