description

Metush Kamberi në gjyq për terrorizëm

Publikuar: E marte 21 Shkurt 2012, 20:48 0 Komente

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është mbajtur procesi gjyqësor kundër Metush Kamberit, i njohur si “Komandant Rrapi”, i cili ka qenë i përfshirë në të njëjtën aktakuzë me tani të dënuarin me 10 vjet e një muaj heqje lirie për akte terroriste, Amir Sopa. Edhe Kamberin e rëndon akuza për akte terroriste, meqë nëpërmjet një letre kërcënuese në emër të AKSH-së, të nënshkruar nga “Komandant Rrapi” dhe me vulë të AKSH-së e ka dërguar në adresë të Islam Islamit, biznesmen, të cilit i ka kërkuar që t’i ndërpriste veprimet e tij, që, sipas letrës, ishin antikombëtare.

 Plikot me vula të AKSH-së

Gjatë seancës pothuajse janë kryer që të gjitha veprimet procedurale, ndërsa verdikti përfundimtar nxirret më 6 mars. Trupi gjykues, në krye me gjyqtaren e EULEX-it, Laura Liguori, dhe anëtarët e këtij trupi, Shemsi Hajdini dhe Rafet Haxha e kanë dëgjuar dëshmitarin, i cili në të njëjtën kohë është edhe palë e dëmtuar, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës. Islam Islami gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka thënë se në vitin 2003 ka qenë duke u marrë me veprimtari biznesi. Islami e kishte pasur lokalin në katin përdhes të shtëpisë së tij, me ç’rast një ditë vëllai i tij i Agimi e kishte gjetur një pliko të bardhë, në të cilën kishin qenë dy shkresa të vulosura me vulë të AKSH-së, si dhe të nënshkruara nga një person, që e citon veten si “Komandant Rrapi”. Islami ka thënë se me të marrë letrën sigurisht që fillimisht ka qenë i shqetësuar dhe për një moment i kishte analizuar veprimet e veta, të cilat e kishin çuar atë në një situatë që të mendonte që letra t’i jetë adresuar gabimisht. Sipas tij, ndonëse dy motrat e tij po punonin në Policinë e Kosovës, duke qenë i interesuar që ta ndriçojë këtë rast, e kishte denoncuar në Polici.

I akuzuari shprehet i pafajshëm

Pas këtij dëshmitari është marrë në pyetje i akuzuari Metush Kamberi, i cili ka thënë se nuk e ndien veten të fajshëm në lidhje me akuzat me të cilat ngarkohet. Edhe i akuzuari e ka konfirmuar thënien e dëshmitarit - të dëmtuarit Islami se ata janë njohur edhe më herët, ndonëse i akuzuari kishte qenë myshteri në dyqanin e Islamit. Kamberi tha se asnjëherë nuk ka pasur të keqe ndërmjet tij dhe Islamit, duke shpjeguar më tej se në vitin 2003 ai ka qenë i shtrirë në spital vetëm pesë ditë pas datës kur akuza thotë se plikoja kishte shkuar në adresë të Islamit. I akuzuari gjithashtu ka pohuar të jetë arrestuar nga KFOR-i amerikan në vitin 2001 në regjionin e Gjilanit, kur i akuzuari kishte qenë në trajtim mjekësor. Ai nuk e ka mohuar as njohjen me tani të dënuarin Amir Sopa, i cili për akt të terrorizmit nga një trup gjykues, i përbërë prej gjykatësve vendorë dhe të EULEX it, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, u dënua me dhjetë (10) vjet e një (1) muaj burgim, pasi u shpall fajtor për veprat penale të terrorizmit dhe posedimit të paligjshëm të armëve.

 

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve