KELMENDI: Duhen arrestime të të ashtuquajturve "peshqve të mëdhenj" (Video)

  • 19 May 2017 - 17:19
KELMENDI: Duhen arrestime të të ashtuquajturve

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar tashmë janë bërë pengesë e integrimeve të Kosovës në BE dhe mbase për këtë e ka tërhequr vërejtjen pushtetit në ikje qe sa kohë se krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë duhet të luftohen seriozisht, por kjo vërejtje, sipas tij, ka hasur në veshë të shurdhër krejt këtë kohë, ngase të korruptuarit nuk mund ta luftojnë vetveten.

Sipas Kelmendit, qeveritarët e korruptuar e të inkriminuar në krim s'do të mund ta luftonin veten e tyre, kështu që, siç tha, edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kushte për liberalizimin e vizave. "Por, kjo Qeveri në ikje nuk ka pasur vullnetin as kurajën ta luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin, sepse dyshohet se ishte e involvuar vetë në krim e korrupsion, derisa politikanët dhe oligarkia mafioze kanë instaluar në prokurori e gjykata, pra në sistemin e drejtësisë, prokurorë që u japin përgjegjësi vetëm oligarkëve të pushtetit", ka potencuar ai. "Sigurisht se do të ishin sinjale të mira arrestimi i të ashtuquajturve "peshqit e mëdhenj"për t'i nxjerrë kështu para drejtësisë, për të treguar fuqinë e vet shteti i së drejtës dhe drejtësia, se nuk frikësohet nga pushteti politik dhe nga njerëzit e krimit, por duket se kjo nuk po ndodh deri më tash, e për çka tregon se shteti i së drejtës është sfiduar nga krimi. Kjo do të tregonte fuqinë e ligjit dhe të shtetit edhe për njerëzit e tjerë të pushtetshëm që kanë rënë dhe bien ndesh me ligjin si shkelës të tij përmes veprave kriminale e të korrupsionit", u shpreh analisti Naim Kelmendi.

(Kosova Sot)