KRASNIQI: Historiografia shqiptare ka rënë në ndikimin e historiografisë serbe (Video)

  • 25 May 2017 - 10:47
KRASNIQI: Historiografia shqiptare ka rënë në ndikimin e historiografisë serbe (Video)

Në një prononcim për "Kosova Sot", historiani Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në IAP, ka thënë se gjithë ky fond arkivor ka ardhur në kuadër të projektit të institutit "Shqiptarë në historinë e Ballkanit perëndimor 1689- 1839", që përfshin periudhën historike gjatë së cilës janë zhvilluar luftërat habzburgo-osmane. Me theks të veçantë për të zbardhur errësirën e së ashtuquajturës shpërnguljes së madhe të serbëve."Për këtë arsye ne jemi përcaktuar për këtë temë, për të hedhur fakte dhe dëshmi ku për afro dy javë pune në Stamboll janë mbledhur materiale arkivore osmane për një periudhë të gjatë historike nga shekulli i 15-të deri tek i 19-ti, kryesisht për trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Pasi këto territore, e sidomos Kosova, pak janë të mbushura me dokumente osmane, posaçërisht gjatë shekullit të 17-të", ka thënë ai.

Sipas tij, dokumentet osmane hedhin poshtë pretendimin serbe se në fund të luftërave austro-turke, ka ndodhur shpërngulja e madhe serbe më në krye patrikun Arsenije III. Krasniqi ka thënë se dokumentet osmane dëshmojë se edhe pas luftërave mes turqve dhe austriakëve dhe aleatëve kristianë, Kosova ishte e populluar me shumicë dërmues shqiptare, bile të besimit islam. Krasniqi ka thënë se dokumentet e sjella tregojnë edhe për pasojat që pësoi popullsia vendase e Kosovës, pas tërheqjes së Ushtrisë Habzburge, pakësimin e popullsisë, sëmundjet, urinë, por edhe fuqizimin e familjeve shqiptare, deri te shumë aspekte me rëndësi deri në shekullin e 19-të. Një kontribut sipas shefit të Degës së Historisë, për të sjellë dokumentet osmane në Prishtinë ka thënë edhe osmanologu Nehat Krasniqi. Në fakt, duke studiuar shumë dokumente të këtij fondi historiani Nehat Krasniqi ka arritur të zbardhë të vërtetën rreth familjes së njohur shqiptare Gjinolli, por edhe shumë dëshmi mbi qytetin Gjilanit dhe rrethinës së tij. Por më e rëndësishmja është se osmanologu Krasniqi ka arritur të vërtetojë popullsinë e Kosovës në fillim dhe mbarim të luftërave osmanohabzburge.

Gjatë Javës së Albanologjisë, të mbajtur javën e parë të majit, Nehat Krasniqi pati prezantuar kumtesën pikërisht mbi popullsinë e Kosovës gjatë këtyre luftërave. Sipas asaj që ka prezantuar ai popullsisë së Kosovës gjatë luftës austriako-osmane në fund të shekullit 17 dhe fillim të shekullit 18 popullsia shumicë ishte shqiptare e besimit mysliman. Ndërsa ka thënë se pas disfatës së Habzburgëve dëshmitë nuk tregojnë se kishte një shpërngulje masovike të serbëve nga Kosova, por të një pjesë të aleatëve austriakë dhe familjeve të tyre, ku kishte edhe shqiptarë, bullgarë dhe grupe të tjera ortodokse."Për lëvizjet e popullsisë së Kosovës në këtë periudhë historiografia shqiptare, por edhe ajo ballkanike në përgjithësi ka rënë në ndikimin e historiografisë serbe, janë marrë vetëm me gjoja shpërnguljen e madhe serbe, gjë që nuk është e mbështetur në dokumente", pati thënë osmanologu Krasniqi.

(Kosova Sot)