SAHITAJ:Gjykata Speciale u imponua nga ndërkombëtarët pikërisht pse dështoi Kosova ta bëjë vetë! (Video)

  • 26 May 2017 - 10:55
 SAHITAJ:Gjykata Speciale u imponua nga ndërkombëtarët pikërisht pse dështoi Kosova ta bëjë vetë! (Video)

Analisti politik Reshat Sahitaj konsideron liderët e krahut të luftës i kanë bashkuar të gjitha forcat e fundit të tyre për ta sfiduar Gjykatën Speciale, duke shpresuar t'i shpëtojnë kësaj gjykate, por, sipas tij, është e habitshme pse njëherë e pranuan e tash duan ta kundërshtojnë."Është për t'u habitur se si të njëjtit deputetë dikur e nënshkruan dhe u pajtuan rreth krijimit të Gjykatës Speciale, e të njëjtit e rrëzuan qeverinë për të pasur alternativa të reja në qeverinë e re, për t'i ikur kësaj gjykate. Rrëzimi i qeverisë nga vetvetja dhe ideja për formimin e një qeverie të re për ta sfiduar Gjykatën Speciale është një lojë e rrezikshme për imazhin e Republikës së brishtë të Kosovës, përmes së cilës ne e konfirmojmë teorinë e kahershme serbe se shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet. Rrëzimi i shpeshtë i qeverive tona që nga 2008 e dëshmon para botës se shqiptarët janë njerëz të porsazbritur nga mali dhe nuk janë në gjendje t'i respektojnë ligjet e shtetit, por ende në fuqi i mbajnë ligjet e egra fisnore, ku drejtësia ndahet sipas forcës fizike klanore", tha Reshat Sahitaj. Ai thotë se kjo gjykatë u imponua nga ndërkombëtarët pikërisht pse dështoi Kosova ta bëjë vetë. "Kosova nuk ka qenë në gjendje të krijojë gjykatën për krime të luftës që nga vitet 2000-2015, ku para drejtësisë do të përgjigjeshin të gjithë ata që gjatë luftës dhe disa kohë pas luftës kanë bërë krime mbi popullatën civile. Disa liderë të luftës për ta mbrojtur vetveten si mekanizëm vetëmbrojtës me të madhe e propagandonin se gjykatat e tilla e zhvlerësojnë luftën e UÇK-së dhe se gjykata të tilla janë produkt i Serbisë për ta injoruar luftën e UÇK-së. Duhet t'ia përkujtojmë opinionit tonë se Gjykata Speciale nuk është kundër vlerave të luftës, por kjo gjykatë vepron sipas rregullave të luftës të përcaktuara në Gjenevë para shumë dekadave ku janë të definuara vijat e kuqe për presidentët e shteteve, shefat e luftërave, komandantëve dhe gjeneralëve në tërë botën. Gjykata e Hagës asnjëherë nuk ka dënuar gjeneralët e komandantët e as presidentët, të cilët gjatë luftës frontale kanë vrarë ushtarë, por kanë dënuar dhe ende vazhdojnë të dënojnë ata të cilët gjatë luftës kanë përfituar të vrasin civilë të pafajshëm, si dhe ushtarët e zënë robër", tha Reshat Sahitaj. "Po ta kishte krijuar Kosova Gjykatën për krime lufte, sot kjo çështje do ishte harruar, mirëpo deklarimet e disa liderëve tanë në Gjykatën e Hagës së në Kosovë nuk ka pasur UÇK, por grupe njerëzish që luftonin pa pasur asnjë zinxhir komandues, është rrjedhojë e krijimit të Gjykatës Speciale, e që tani të njëjtit janë kundër kësaj gjykate. Ushtarët të cilët nuk i respektojnë rregullat ndërkombëtare të luftës, sipas Gjenevës, quhen kriminelë të luftës dhe ata i dënon secili shtet, siç mund të ilustrohet me faktin se amerikanët i dënuan më shumë vite burg ushtarët e tyre vetëm pse dy prej tyre kishin pshurrur kufomat e ushtarëve irakianë të vrarë", u shpreh Sahitaj për "Kosova SOT".

(Kosova Sot)