Mbijetesa, në kufirin e ekzistencës për familjen Sadriu (Video/Foto)

  • 17 August 2017 - 12:03
Mbijetesa, në kufirin e ekzistencës për familjen Sadriu (Video/Foto)

Valbona Sadriu: Nuk po arrijmë t'i përballojmë nevojat më elementare për tre fëmijët e vegjël

Varfëria në kryeqytetin kosovar si duket ka ngulur këmbë dhe vështirë se do të zhbëhet. Papunësia që ka kapluar vendin, moszhvillimi ekonomik dhe mosndërtimi i një skeme sociale për mirëqenien e qytetarëve, po godet familje të shumta. Një ndër to është edhe familja Sadriu në Prishtinë. E vendosur në një shtëpi të braktisur në rrugën "Edmond Hoxha" në kryeqytet, familja Sadriu për 15 vjet me radhë po bën jetë të vështirë, jashtë çdo imagjinate, në kushte ekstreme, pasi pothuajse mungon çdo gjë minimale për jetë. Të papunë dhe pa ndihmë sociale, kryefamiljarët e familjes janë vënë në udhëkryqin e jetës dhe skamja e sëmundja gjithnjë e më shumë po e vështirësojnë jetën e kësaj familje. Oborri, hyrja dhe gjendja e shtëpisë brenda, ku jeton familja, në katin e parë të shtëpisë së braktisur, tregojnë atë se çfarë mund të ndodhë kur jeton në një vend të qeverisur keq dhe pa ndihma sociale. Dritaret e shtëpisë janë si mos më keq, pa kuzhinë dhe me një banjë të improvizuar, vetëm mure, pa asgjë brenda. Me një dhomë pakushte për të rritur fëmijët. Bile që në çdo kohë ua rrezikon fëmijëve shëndetin.

Të varur nga bamirësia

Valbona Sadriu, kryefamiljarja e familjes Sadriu, ka thënë në një bisedë për "Kosova Sot" se familja e saj mbijeton në kufirin e ekzistencës, duke treguar për vështirësitë me të cilat ajo dhe bashkëshorti i saj po përballen për mbijetesë e tyre dhe tre fëmijëve të vegjël. Valbona ka thënë se deri para një viti ata gëzonin një ndihmë sociale solide, kurse pas një viti ajo ndihmë u është ndalur nga autoritetet dhe gjithçka tani varet nga vullneti i bamirësve dhe punës së pakët që mund të bëjë bashkëshorti i saj, duke mbledhur mbeturina hekuri, kënaçe plastike e ndonjë grumbull letrash. Por, gjitha që mund të grumbullojë, sipas saj, janë 3-4 euro, nga mbledhja e metaleve apo letrës, e cila natyrisht se është shumë pak, për të përballuar jetesën, madje as ditore. Por asaj i është shtuar edhe një brengë më e madhe tani, pasi fëmija i madh i saj duhet të shkojë në shkollë dhe duhen blerë gjërat e nevojshme, që ajo nuk mund t'ia sigurojë. E mërzitur ajo ka thënë se është pikërisht ky problem që nuk i ka mundësuar asaj që fëmijën e madh ta dërgojë në shkollë, në parashkollor, pasi familjes i mungon çdo gjë. Sidomos ka thënë se kur u është ndalur ndihma sociale varfëria u është thelluar dhe problemet u janë shtuar, pasi tashmë gjithçka varet nga ndihma e vullnetmirëve. Posaçërisht në rast të sëmundjeve.

15 vjet vuajtje

"Që 15 vjet jemi duke jetuar në këtë shtëpi të braktisur dhe me kushte ekstreme, e cila më së paku i përngjan një shtëpie ku shiu dhe bora depërtojnë brenda dhe të ftohtët gjatë dimrit është i papërballueshëm. Por, më e keqja është se nuk po arrijmë t'i përballojmë nevojat më elementare për tre fëmijët e vegjël", ka thënë ajo. Shton se shumë rrallë i nxjerrë fëmijët për të shëtitur, për shkak se nuk ka me çfarë t'u blejë akullore, ëmbëlsira apo edhe ndonjë lodër. Mandej as në Parkun e Qytetit, pikërisht për shkak se nuk ka me çka t'u blejë ndonjë gjë. 

Papërgjegjësia institucionale

Valbona Sadriu ka thënë se kanë kërkuar tek autoritetet t'u vazhdohet ndihma sociale, por gjithçka ka qenë e kotë. Autoritetet, pavarësisht dëshmive mbi gjendjen e burrit dhe shtëpinë, nuk e kanë marrë për bazë ankesën e saj."I ka dërguar burri të gjitha për të dëshmuar, edhe për sëmundjen e vet, gjendjen e keqe të shtëpisë, por nuk u janë marrë parasysh asnjë prej tyre. U tregova se ligjërisht ndihma na takon, por nuk morën asgjë parasysh", ka treguar ajo, duke shpresuar se Komuna e Prishtinës do t'i vendosë sa më parë në një banesë që u është premtuar në Hajvali. Kështu, pas refuzimit të ndihmës dhe pas përfundimit të sezonit veror familjen e pret edhe një brengë e madhe, për të bërë gati fëmijën për në klasën e parë dhe sigurimin e lëndës djegës për dimrin dhe natyrisht veshmbathjeve. Pa harruar këtu edhe nevojat e përditshme që nevojiten për familjen. Duke u larguar nga kjo familje me emocione të përziera dhe me dëshpërim të skajshëm, ajo që mbetet është një thirrje për të gjithë ata që sadopak kanë ndjeshmëri ndaj qenies njerëzore të tregohen solidarë për aq sa munden me këtë familje. Një ndihmë solide do të thotë shumë për këtë familje, e cila e zbardh dhe mbyll ditën në një shtëpi me kushte të tmerrshme, që nuk mund të imagjinohet në asnjë mënyrë.

Image
Image
Image
Image