Shkëlqimi mashtrues dhe rënia e shokut Shpend! (Video)

  • 24 October 2017 - 07:46
Shkëlqimi mashtrues dhe rënia e shokut Shpend! (Video)

Duke analizuar rezultatin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, analistët politikë vlerësojnë se në rrafshin e përgjithshëm ky rezultat ka bërë një filtrim mjaft të mirë dhe ndëshkim të shumicë së kandidatëve të cilët nuk arritën të përmbushin premtimet dhe objektivat e tyre të shpalosura para katër vjetësh dhe në këto zgjedhje të reja kërkuan rikonfirmimin edhe të një mandati të ri. Në mesin e të ndëshkuarve nga vota qytetare, edhe pse ka shkuar në balotazh, sipas analistëve politikë, radhitet edhe Shpend Ahmeti, kryetari i deritanishëm nga Lëvizja "Vetëvendosje", i cili për katër vjetët e kaluar mbahet në mend vetëm për lidhjet e tij dhe te VV-se me krimin e organizuar dhe me mafio-oligarkët kriminalizuar Devolli. Sipas analistëve, qytetarët ndëshkuan VV-në, që doli të jetë humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, kur të kihet parasysh që në zgjedhjet e 11 qershorit kishte një trend rritjeje të jashtëzakonshme. Janë pikërisht lidhjet e VV-së përmes Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut me nëntokën dhe krimin e organizuar shkaku që u ndëshkua kjo parti. Edhe pse kishte financa marramendëse nga krimi i organizuar dhe Devollët e jahteve, ata nuk arritën të fitojnë në raundin e parë në Prishtinë, por tani janë partia e tretë me numrin e votave në nivel të Kosovës, pas LDK-së dhe PDK-së.

Image

 

Lidhjet kriminale i ndëshkuan me votë

Analisti politik Ragip Guraziu vlerëson se është shumë e qartë që në këto zgjedhje lokale të 22 tetorit u ndëshkua kryesisht Lëvizja "Vetëvendosje", pa përjashtuar edhe ndëshkimin për keqqeverisjen e Prishtinës. "'Vetëvendosje' nuk mundi të rrijë në këmbë, që do të thotë për një afat shumë të shkurtër e dënuan vetveten kur kemi parasysh se VV-ja ishte e para si subjekt politik në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit të këtij viti, ndërsa tani pësoi ''nokdaun'',që në rundin e parë dhe mbeti mbrapa si subjekti i tretë politik, pas LDK-së dhe PDK-së. Rezultatet e së dielës për partitë kosovare treguan se qytetari-votuesi, është më i fuqishmi se gjithë këto parti, që vlen nga Qeveria e teposhtë, se mu këta votues, qytetarët, janë ata që e ndëshkuan Shpend Jahtin dhe Devollët për lidhjet me krimin dhe mafio-oligarkët. Kësaj radhe në këto zgjedhje lokale të 22 tetorit reflektuan qytetarët-votuesit dhe kjo nuk do më shumë koment. Këtë më së miri e kanë kuptuar tani edhe vetë ata, VV-ja dhe Shpendi, dhe oligarkët që u ndëshkuan bashkë me VV-në, që ishte humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, kur kihet parasysh që në zgjedhjet e 11 qershorit kishte një trend rritjeje të jashtëzakonshme", potencoi ai. "Lidhjet e VV-së përmes Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut me nëntokën dhe krimin e organizuar janë shkaku kryesor që u ndëshkua kjo parti. Edhe pse kishte financa marramendëse nga krimi i organizuar dhe Devollët e jahteve, ja që nuk arritën të fitojnë në raundin e parë në Prishtinë, por edhe të jenë partia e tretë me numrin e votave në nivel të Kosovës, pas LDK-së dhe PDK-së. Kjo pra nuk do shumë koment,por VV-ja duhet ta dijë që është dashur të distancohet nga këta bosë të shkatërrimit të Komunës së Prishtinës dhe nuk e ka bërë atë", u shpreh Guraziu.

Image

 

VV-ja dhe Shpendi korrën atë që mbollën dhe merituan!

Rezultat të keqqeverisjes dhe lidhjes me krimin e organizuar e sheh humbjen e VV-së në rrafshin nacional, për dallim nga zgjedhjet e qershorit, edhe analisti Gani Qarri. "Për fat të mirë, nuk vonoi shumë dhe 'Vetëvendosje' korri atë që mbolli, mori mësimin e duhur dhe atë që meritoi, akt që nuk duhet të përfundojë me kaq. Votimet e kësaj të diele e nokautuan VV-në, nga partia e parë në zgjedhjet e qershorit, në vendin e tretë e të katërt si parti pjesëmarrëse në zgjedhjet komunale të tetorit. Sa i takon kryetarit të deritanishëm të Prishtinës Shpend Ahmetit, besoj se ai më tepër ka rënë viktimë e udhëheqësve kryesorë të 'Vetëvendosjes', të cilët për përfitime mafioze partiake, e ndoshta edhe personale, janë lidhur këmbë e krye me dreqin e të birin, që nga islami ekstremist e deri te korporatat më të përfolura kriminale në vend, si ajo e vëllezërve biçiklistndreqës 'Devolli'", u shpreh ai. "Është tejet interesant se si udhëheqësit kryesorë të 'Vetëvendosjes', Visar Imeri dhe Albin Kurti, edhe fushatën zgjedhore e kthyen në teatër kukullash, duke u paraqitur në tribuna jo si politikanë seriozë e me programe prosperuese për vendin, por si klounë para kalamajve me poezi qesharake, duke i trajtuar votuesit si fëmijë e të parritur dhe nxënës të dëgjueshëm të tyre", tha Qarri.

Image

 

Qytetarët u ngopën me mashtrime

Edhe Ylber Çitaku tha për "Kosova Sot" se rezultatet e zgjedhjeve të 22 shtatorit 2017 treguan gjendjen faktike të subjekteve politike. "Qytetarët e njëjtë ndëshkuan me votë VV-në. Arsyet janë prej më të ndryshmeve, por e para dhe më qenësorja mendoj se janë aferat korruptive dhe dalja në pah - sipërfaqe e flirtimeve të hapura dhe bashkëpunimi i ngushtë me 'BOSSËT' e krimit dhe të korrupsionit në krye me Devollët nga të 'Brendshmit', kurse për ata të "Jashtmit" qytetarët do të dëgjojnë dhe do të kuptojnë në të ardhmen e afërt . Partia VV mori goditjen - 'nokdaun' në zgjedhjet 22 tetorit 2017, por mendoj që 'nokautin' e vërtetë do ta marrë në balotazh", theksoi ai. "Personalisht, besoj se qytetarët e Prishtinës do të përdorin vetëdijen dhe kapacitetet e tyre intelektuale e në balotazh kryetarin aktual do ta dërgojnë në shtëpi", u shpreh më tutje Çitaku. "Qytetari i Prishtinës është i ngopur me FB dhe rrjete sociale, qytetarit të zakonshëm të Prishtinës nuk i duhen jahtet luksoze, madje, madje, irritohet nga jahtet e Devollëve, Arkanëve e Abramoviqëve. Qytetari i Kosovës po edhe ai i Prishtinës duhet t'ia tregojë vendin Shpendit, pse jo edhe të gjithë Shpendëve që pasojnë, se në rast se nuk punohet në interes të kryeqytetit e qytetarëve 'pensionimin' ua garanton qytetari me votë", ka thënë ai. Veprim të drejtë me votë qytetare e sheh ndëshkimin e VV-së në zgjedhjet e 22 tetorit edhe analisti Dardan Grapci. "Rezultatet e së dielës kanë treguar se Shpendi me Liburn Aliun, Dardan Sejdiun, Dardan Molliqajn më nuk kanë me çka të merren. Populli i Prishtinës kanë vepruar me të drejtë, duke i mbështetur kandidatët e tjerë të partive politike, e jo VV-në. Tash, Shpendit i mbetet ta mbajë jaraninë që e ka me DEVOLLËT dhe nganjëherë të shkojë në zyrë me ta për të pirë kafe, sepse e kam një ndjenjë që edhe Albin Kurti do ta largojë Shpendin nga partia e tij pas balotazhit te humbur", thotë Dardan Grapci.

Populli me votë ia prishi matematikat "Vetëvendosjes" së inkriminuar

Analisti Reshat Badallaj thotë se, pavarësisht një avantazhi të vogël në raundin e parë që ka Shpend Ahmeti, ai e di dhe e ndjen humbjen, por nuk di si ta shpjegojë atë. "Matematikën e këtij klubi të 'Vetëvendosjes' e prishi deri në themel populli, duke e dënuar fort Shpend Jahtin", potencoi Reshat Badallaj. Edhe Mustafë Kadrijaj konsideron se në bazë të rezultateve në terren ka shpresë për një rritje të vetëdijes qytetare, që përmes votës së tyre kanë favorizuar kandidatët më kompetentë dhe potencialë, duke mos anashkaluar edhe ndonjë votë me presion. "Mendoj që këto zgjedhje treguan forcën reale të subjekteve politike...Ndërsa kur është fjala për subjektin 'Vetëvendosje', mendoj që së pari në zgjedhjet e fundit parlamentare votat për 'Vetëvendosjen' ishin votë e revoltës qytetare dhe një ndëshkim i koalicionit LDK &PDK, por që në zgjedhjet lokale të 22 tetorit treguan që 'Vetëvendosje' nuk e ka këtë peshë politike", u shpreh ai. "Ndëshkimin e 'Vetëvendosjes' nga qytetari e sjellin dy arsye: qeverisja jo e mirë e Shpend Ahmetit dhe dyshimet për afera të mëdha korruptive, edhe pse akoma nuk janë gjetur faktet dhe nuk e ka thënë fjalën e vet gjykata dhe Prokuroria Speciale, por mjafton që qytetari përmes peshores së vet të peshojë aq sa vlen secili", tha Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot"

Votuesit mirëpresin balotazhin

Edhe Muhamet Mramori, i cili akoma e mban në zemër dhimbjen për fëmijët e tij që humbën jetën në gropën famëkeqe në Kolovicë, për shkak të papërgjegjësisë së Komunës, thotë se Shpendi e ka marrë vetëm fillimin e ndëshkimit në këtë raund të parë, kurse shtrirjen përtokë e merr në raundin e dytë. "Ky është tani dështimi më i madh dhe unë pres që tash në fazën e balotazhit të krijohet marrëveshje mes subjekteve politike, që të bëhen së bashku për ta mundur VVnë, sepse me 'Vetëvendosjen' dhe Shpend Ahmetin nuk besoj që do të shkojë në koalicion asnjë prej tyre. Pres që të ndodhë ndëshkimi më i madh për VV-në, duke rënë në atë nivelin e vitit 2010. Por, nëse VV-ja e humb edhe Prishtinën, atëherë nuk mbetet asgjë dhe nuk pritet asgjë më prej tyre", tha Muhamet Mramori.

Image

 

Edhe Shaip Leci nga fshati Barilevë i Prishtinës, që jeton në kryeqytet, thotë se Shpendi nuk i ka merituar madje as ato vota që i ka marrë, prandaj në balotazh duhet të ndëshkohet duke votuar një kandidat tjetër. "Secili që po vjen në Kuvendin komunal të Prishtinës po jep premtime tejet të mëdha, por asnjëra prej tyre nuk po realizohen. Nuk i ka realizuar as ky dhe as ai tjetri dhe as ky tjetri. Populli mbaroi, populli po shkon poshtë nga këto mashtrime dhe nga këto premtime që nuk po realizohen. Gjithmonë po del që populli po e han, populli po i trashëgon dhe përjeton ato vuajtjet. Këta po e marrin postin, po hipin aty, po ulen, por për popullin nuk po mendojnë, e unë që 20 vjet jam i papunë", tha Shaip Leci.

Image

 

Edhe Artan Dubova, një qytetar tjetër, thotë se humbja e votës së Shpendit dhe VV-së është rezultat i mospunës së tij për interesin e votuesit. "Krejt qytetarët, shumica, janë ankuar për keqqeverisjen e Shpend Ahmetit dhe që në fillim të mandatit të tij është ndërprerë puna në fushën e ndërtimeve, i la njerëzit pa punë për një kohë të gjatë. Në balotazh pres edhe një ndëshkim të ri", tha Artan Dubova.

Image

 

Edhe Rrustem Mahmuti tha se shkuarja e Shpendit në balotazh me një minus të votave për dallim nga qershori flet për mospunën e tij. "Deshën që ta zgjedhin atë, Shpendin përsëri, por ai nuk ka bërë asgjë për Prishtinën. Tash, meqenëse janë vetëm dy kandidatë në balotazh, nëse e merr LDK-ja mund të ketë diçka më të mirë dhe më pozitive për zhvillimin e Prishtinës, kurse nëse rastësisht ndodh që të fitojë Shpendi edhe njëherë nuk do të ketë asgjë të mirë për Prishtinën, Përveç këtyre autobusëve që i ka sjellë, asgjë tjetër që duket në Prishtinë nuk ka punuar", tha Rrustem Mahmuti.

Image

 

Po aq kritik është edhe qytetari Xhemail Krenzi. "Shpendi deri më tani nuk ka punuar asnjë send, absolutisht. Shpendi duhet t'i çelë sytë dhe të shkojë e të shohë se çka kanë punuar e si punojnë kryetarët e komunave në vendet e tjera dhe atëherë të vijë e të shohë a ka të drejtë të lavdërohet për Prishtinën. I ka ngulur do kunja, por tani le ta shohë edhe trotuarin se a është i lirë apo nuk është i lirë, andej nga po kalojnë fëmijët, nga po kalojnë pleqtë dhe të gjithë qytetarët", tha Krenzi.

Image

 

Njësoj mendon edhe Afrim Boshnjaku, i cili, duke parë dështimet dhe mashtrimet e VV-së, tani veç e ka ndarë votën për balotazh, për kandidatin e LDK-së. "Mua ma merr mendja që në balotazh do të ndëshkohet akoma më shumë Shpendi dhe kryeqytetin e Prishtinës do ta ketë LDK-ja", tha Boshnjaku.

Image

 

Edhe i riu Elton Abazi thotë se ka qenë një veprim i mirë dhe vlerësim real qytetar me ndëshkimin e Shpend Ahemtit në zgjedhjet e së dielës. "Shpend Ahmeti nuk e ka merituar të jetë kryetari Prishtinës nga këto zgjedhje, sepse nuk ka bërë asgjë për Prishtinën", potencoi Abazi.

(Kosova Sot)