Kurti i kërkon llogari, balotazhi mund ta fundosë Shpend Ahmetin nga VV-ja! (Video)

  • 25 October 2017 - 07:55
Kurti i kërkon llogari, balotazhi mund ta fundosë Shpend Ahmetin nga VV-ja! (Video)

GODITJA ELEKTORALE ME VOTË NGA ABUZIMET E VV-SË NË PRISHTINË NXIT AUTOKRITIKË TE KRYETHEMELUESI I SAJ PA KRYETAR

Skandalet me jahtin, abuzimet kriminale me mafio-oligarkët 'Devolli' dhe nëntokën e krimit të ndërtimit dhe mospuna e bllokimet dhe zhvillimit në kryeqytet, rëndojnë edhe penalisht mbi kryetarin në ikje...

"Edhe Albin Kurti tani është i bindur se Shpend Ahmeti me këtë Komunë tashmë katër vjet është sjellë sikur i dehur, i papjekur dhe ka marrë vërejte edhe vetë Shpendi nga Albini, prandaj, duke qenë në dijeni se Shpendi edhe me qytetarët e Prishtinës dhe projektet e tyre zhvillimore ishte sjellë si i dehur dhe bllokues, ai tani e ka adresuar edhe këtë vlerësim kritik. Dhe, kjo është arsyeja pse Kurti për herë të parë po kërkon vetëkritikë publike, pikërisht te kjo Komunë, që në fakt e shkatërruan", është shprehur për gazetën analisti Ragip Guraziu

Duke parë rezultatin e pafavorshëm dhe teposhtën që shënoi "VETËVENDOSJE" në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, me theks të veçantë edhe dështimin e egos mashtruese të Shpend Ahmetit, që Prishtinën ta fitojë pa balotazh, edhe deputeti i Lëvizjes "Vetëvendosje", ish- kryethemeluesi i këtij subjekti politik, Albin Kurti, ka pranuar publikisht se rezultati i VV-së nuk është ai që kishin pritur, e madje për këtë ai thotë se duhet vetëkritikë për këtë dështim nga protagonistët brenda VV-së. Kurti ka shtuar se ata duhet të bëjnë analiza për të parë se ku pati probleme VV-ja, duke u ndalur në të gjitha komunat. Pasi e vetmja komunë që VV-ja e ka pasur kryetarin e komunës nga VV-ja është vetëm Prishtina, sipas analistëve politikë, kjo i bie që Kurti për herë të parë po kërkon vetëkritikë, pikërisht te kjo komunë , tanimë (ndoshta) te humbur. Për më tepër, sipas njohësve të këtyre rrethanave, kjo do të thotë se në këtë mandat Shpend Ahmeti vetëm është sjellë si një i dehur dhe tepër i dëmshëm për qytetarët me nivel qytetarie, madje gjatë tërë mandatit të tij, duke u dhënë pas qejfeve e JAHTEVE, pas mafisë dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar, duke u shëtitur nëpër kafene, restorante dhe lokale të shtrenjta natës dhe i financuar me paratë e krimit të organizuar, e duke mos marrë mundin që të pranojë në vizitë qytetarët dhe bizneset shembuj, ose edhe vetë t'i vizitojë bizneset e palidhura me politikën dhe qytetarët e tjerë me nivel e kulturë të lartë në të bërit biznes puro ligjor, e jo me militantë të inkriminuar të VV-së abuzive, por duhej injoruar e bllokuar plotësisht ata, e për t'u hapur krahun më të mirëve në respektim të ligjit, e jo duke u dhënë në tërësi pas krimit dhe pas milionave dhe bosëve të mafisë kriminale të ndërtimit, prandaj edhe po i rrezikohet mundësia për vazhdimin e mandatit nga sovrani i zhgënjyer, sikur që para katër vitesh humbi edhe LDK-ja me fajin ekskluziv të ish-kryesuesit të Asamblesë, Sami Hamitit, që njëkohë- sisht ishte për më shumë se 10 vjet rresht edhe ish-shefit i krimit të organizuar të ndërtimit në Prishtinë.

Shpendin e "dehën" me para të krimit të organizuar mafio-oligarkët e ditur!

Analisti politik Ragip Guraziu vlerëson se deputeti Albin Kurti e ka parë të arsyeshme me të drejtë dhe ka pranuar se rezultati i "Vetëvendosjes" nuk është ai që kishin pritur. "Pasi e vetmja Komunë që VVja e ka pasur kryetarin e Komunës nga VV-ja është Prishtina, edhe ai tani është i bindur se Shpend Ahmeti me këtë Komunë që katër vjet është sjellë si i dehur dhe ka pasur vërejte edhe vetë Shpendi nga Albini, prandaj, duke qenë në dijeni se Shpendi edhe me qytetarët e Prishtinës ishte sjellë si i dehur, ai e ka adresuar edhe këtë vlerësim kritik. Dhe, kjo është arsyeja pse Kurti për herë të parë po kërkon vetëkritikë nga bartësi i fajit, pikërisht te kjo Komunë", u shpreh ai. "Kjo do të thotë se Ahmeti është sjellë si një i dehur gjatë tërë mandatit të tij kriminal, duke u dhënë pas qejfeve e JAHTEVE, pas mafisë dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar, duke u shëtitur nëpër kafene, restorante dhe lokale të shtrenjta të natës, e duke mos marrë mundin që të pranojë në vizitë ose edhe vetë t'i vizitojë bizneset e palidhura me politikën dhe qytetarët e tjerë shembull, e jo militantë të VV-së, por duke i injoruar e duke i bllokuar plotësisht ata, duke u dhënë në tërësi pas parave te krimit te organizuar e milionave dhe bosëve të mafisë kriminale", vijoi më tutje Guraziu. "Gabimi tjetër i VV-së është se fitorja e tyre në zgjedhje parlamentare të 11 qershorit i bëri të sillen tërësisht si injorantë, kur menduan se së shpejti mund të bëhen padronët e rinj të politikes së inkriminuar të Kosovës, duke u tallur me qytetarët dhe nga këtu duke iu turbulluar tërë- sisht edhe mendja Shpend Ahmetit, i cili e ka luajtur rolin si një mafioz i pirë në tërë këtë mandat, si 'shef i shefave' dhe klanit 'PRONTO'. Prandaj, qytetari o sot, o kurrë duhet të vendosë e t'i thotë jo një mashtruesi dhe injoranti të tillë kërcënues e të rrezikshëm për qytetarët dhe kryeqytetin, që shet leje të ndërtimit me çmime marramendëse deri edhe shumë milionëshe", thotë analisti Ragip Guraziu.

Megalomania e VV-së u ndëshkua 

Edhe prof. Muhamet Kelmendi thotë se si çdo parti pas zgjedhjeve, edhe VV-ja duhet ta bëjë analizën e rezultateve dhe të gjejë defektet dhe sukseset që janë treguar në fushatë, por edhe analizën për qeverisjen që ka pasur në të kaluarën. "Në këtë kontest është edhe deklarimi i Albin Kurtit. Natyrisht se sipas analizës dhe mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve qendrore, të atyre parlamentare, të qershorit, është pritur një rezultat tjetër, jo ky që doli nga VV-ja. Kuptohet se në krahasim me vitin 2013, VV-ja ka ecur para, por në krahasim me zgjedhjet qendrore të këtij viti kemi ngecje dhe prapaveprim të qytetarëve kundruall VVsë", u shpreh ai. "VV-ja humbi në shumë komuna, edhe pse doli në Prishtinë e para, përkatësisht Shpend Ahmeti doli i pari, por nuk fitoi dhe kjo bëri që LDK-ja të vijë afër. Në disa komuna të tjera humbi shumë. Në disa të tjera doli e dyta dhe në krahasim me diferencën shumë të vështirë e ka fitoren dhe më afër humbjes së garantuar. Kjo vjen nga megalomania e VV-së dhe sidomos të kuadrit udhëheqës dhe nga mosrealizimi i premtimeve dhe pretendimeve të theksuara, sidomos në Prishtinë…E tërë kjo e përcjellë edhe me thashetheme lidhur me ndërlidhjen e hapur të udhëheqësve të kryeqendrës me Devollët e kriminalizuar e solli VV-në shumë shpejt deri në këtë gjendje që e kemi", thotë analisti prof. Muhamet Kelmendi.

Në balotazh vuloset disfata

Ish-shefi i Grupit të asamblistëve të LDKsë në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, e sheh këtë debakël të VV-së dhe tani thirrjet për përgjegjësi e llogaridhënie, pikërisht për shkak të peshës së madhe që ka fatura e keqqeverisjes në kryeqytet nga Shpend Ahmeti. "Ka shumë kohë që kemi konstatuar se Shpend Ahmeti dhe qeveria e tij po keqqeverisin dhe po abuzojnë me ligjin. Gabimet e njëpasnjëshme të tij janë argumenti bindës se ai, për katër vjet, jo vetëm që e ngulfati zhvillimin e Prishtinës, por e solli dhe e mbolli në Prishtinë kulturën e urrejtjes, shantazhit, zhvatjes, diferencimit politik, keqplanifikimit dhe keqmenaxhimit dhe shumëçka tjetër. Ai nuk bashkëpunoi me subjektet politike, ai nuk bashkëpunoi edhe me qytetarët e komunës së Prishtinës, ai nuk e çmoi besimin që i dhanë votuesit për të vazhduar me qeverisjen e mirë në Prishtinë", theksoi ai. "Ahmeti e instaloi kulturën e gënjeshtrës, ai e instaloi kulturën e piskamës dhe vajtimit. Plot katër vjet i gënjeu e mashtroi qytetarët se Kuvendi po e bllokon, se partitë e tjera politike nuk po bashkëpunojnë. Ai gënjeu për zhvillimet pozitive në fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit, ai gënjeu për investime cilësore dhe për zhvillimin e politikave në fusha të ndryshme. Ai punësoi vetëm militantë të VV-së dhe nga komuna të tjera për t'i përmbushur premtimet e partisë së vet. Kështu u ndëshkua dhe do të ndëshkohet në balotazh me Arban Abrashin, i cili e ka fitoren shume te sigurt", tha Agim Gashi për "Kosova Sot".

Humbja e kryeqytetit mund ta këndellë Lëvizjen

Analisti Reshat Badallaj thotë se Shpend Ahmeti, i hutuar dhe i pirë pas pasurisë përrallore që e mori nga banda serbiane Devolli, atje larg syve të popullit thellë në det, në jahtin dhjetëra milionësh, nuk lodhi kokën më as për popullin dhe as për premtimet që i kishin dhënë para elektoratit, që i tradhtuan dhe i mashtruan si mos më keq."Tashmë e ka parë edhe Albin Kurti, se Shpend Ahmeti u tregua dembel i sojit te Stambollit në saje të 'Vetëvendosjes' dhe kryeqytetit dhe ishte dhënë vetëm pas bandës serbe Devolli, takimeve me ta dhe jo me elektoratin, duke luajtur bisht se është i zënë atje e këtu. Shpend dembeli e kishte mashtruar edhe veten, se e kishte fitoren pa balotazh në Prishtinë dhe sillej vërdallë me mafiooligarkët atje ku e ka grazhdin e tagjisë kriminale dhe çdo gjë tjetër e kishte lënë pas dore", thotë analisti Badallaj. Ai ka pohuar se tani populli, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha komunat e Kosovës i ka rënë shuplakë "Vetëvendosjes", duke e përbuzur si të pabesë atë dhe bën që të mos e fitojë as edhe një komunë tjetër të vetme. Ndërsa, analisti politik Mustafë Kadrijaj konsideron se vetëm marrja e pushtetit nga një subjekt tjetër politik dhe humbja e Prishtinës nga VV-ja do ta detyrojë këtë parti të re politike të reformohet, të strukturohet dhe të kthehet kah interesi qytetar në pritje të zgjedhjeve të radhës. "Mendoj se këto zgjedhje treguan më së miri peshën reale të secilit subjekt, ndërsa Lëvizjes 'Vetëvendosje' iu hakmor elektorati për të kaluarën e saj të vrazhdët dhe nga vetëkënaqësia nga rezultati aksidental i zgjedhjeve të fundit 2017. Po ashtu, edhe qeverisja shumë anemike e Shpend Ahmetit, aspak investive, si dhe me disa afera të dyshuara e te lidhura me krimin", tha Kadrijaj për "Kosova Sot".

Shpendi të paguajë faturën e lidhjeve me mafinë

Edhe analisti Faton Mehmeti vlerëson se thirrja e Albin Kurtit për vetëkritikë, nëse është konkrete dhe serioze, është gjëja më e mirë që mund dhe duhet ta bëjë jo vetëm VV-ja, por edhe tërë ato parti që janë humbëse të këtyre zgjedhjeve. "Është pritur që VV-ja të fitojë më shumë komuna sesa realisht doli rezultati, dhe kjo natyrisht se ka një shkak. Nëse krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara në raundin e parë, Shpendi kësaj radhe ka më shumë vota, mirëpo nëse e krahasojmë me mundësitë për të fituar pa balotazh, kjo është humbje. Është një fenomen shumë i kuptuar, se kryetarët e komunave që kanë qenë deri tani, shumica kanë dalë të parët, e disa kanë fituar pa balotazh, kjo për faktin se politikanët i kanë të lidhura interesat me biznesmenë, me oligarkë dhe njerëz që janë mafia e ndërtimit e të cilët sjellin pastaj edhe vota",u shpreh ai. "Nëse Shpendi u ka dhënë tenderë mafiozëve, siç flitet e shkruhet e dyshohet , atëherë kjo është edhe kostoja që ka paguar për mosfitimin e Prishtinës pa balotazh. Prandaj, besoj se është e nevojshme që Shpendi të jetë autokritik për këtë rezultat, të shpjegojë arsyet dhe shkaqet e dështimit. Gjithashtu, Shpendi duhet të dëshmojë që nëse fiton në balotazh, çfarë do të bëjë ndryshe nga çfarë ka bërë deri tani dhe të shpjegojë shqetësimet e njerëzve dhe medieve për inkriminimin e tij me Devollët dhe me mafinë e ndërtimit", tha Faton Mehmeti.

Rritja artificiale e "Vetëvendosjes"

Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ish zv. ministër i Pushtetit Lokal, thotë se fitorja e VV-së në Prishtinë, në vitin 2013, ishte vërtet një fitore e PDK-së dhe, siç e quajnë ata, klanit "Pronto". Ndërsa, ngritja e VV-së në zgjedhjet nacionale ishte ngritje artificiale e që vinte si rezultat i një fryme kundërshtuese, posaçërisht ndaj PDK-së. "Ata në zgjedhjet nacionale kishin mbetur e vetmja parti opozitare, duke marrë parasysh se AAK-ja dhe NISMA u shndërruan në bisht të PDK-së, dhe për këtë nga shumë ishin konsideruar e vetmja opozitë "reale" ndaj tyre. Pra, zgjedhjet nacionale ishin një kundërshtim popullor ndaj PDK-së, dhe ne si LDK, natyrisht që kishim pësuar ca për shkak të koalicionit paraprak me ta. Tani, në zgjedhjet lokale, VV-ja ka rënie në votën e tyre shumë, jo pse kemi VV tjetër, jo pse ata kanë ndryshuar, porse ngritja artificiale e votës është mu e tillë, pra është jonatyrale dhe jo e qëndrueshme. Megjithatë, unë besoj se VV-ja ende mban një pjesë të atij elektoratit artificial, pasi disa qytetarë edhe në zgjedhjet lokale kanë votuar me inercion, duke u mbështetur pra në zgjedhjet e qershorit", u shpreh ai për "Kosova Sot".

Rimat dhe betë nuk kryen punë

Analisti politik Dardan Grapci thotë se tani vetë Albin Kurti duhet të merret personalisht me Shpend Ahmetin, duke i kërkuar llogari për çdo pazar dhe për çdo tender ilegal që e ka bërë në bashkëpunim me Dardan Sejdiun, Liburn Aliun, Dardan Molliqajn dhe korporatën e inkriminuar "DEVOLLI", pasi si i tillë nuk e meriton më pozitën e kryetarit të Prishtinës. "Siç e dimë, Shpend Ahmeti jo vetëm që po sillet si SHEFI I SHEFAVE, por edhe ka menduar që nëse e fiton edhe mandatin e dytë, do të bëj shitje të tenderëve me shuma të mëdha parash, por, si duket, kjo ëndërr i ka dështuar më 22 tetor", u shpreh Grapci. Analisti Gani Qarri vlerëson se pikërisht atë që e pësoi PAN-i në zgjedhjet e qershorit e përjetoi edhe "Vetëvendosje" më 22 tetor. "Madje, asaj nuk i ndihmuan më as rimat qesharake, që unë do t'i quaja "Rima të humbjes", as bërjet "Be" rrejshëm në "Kur-an e Mus-af" të Albin Kurtit se kinse do të fitonin" si VV, theksoi ai. Sipas tij, kjo situatë mund të ripërsërisë edhe një herë rezultatin e 4 vjetëve më parë, por këtë herë në dëm të "Vetëvendosjes", nëse LDK-ja arrin marrëveshje me PDK-në, për votimin e kandidatit Totaj në Prizren, në mënyrë që me votat e mbështetësve të PDK-së dhe partive të tjera që kanë sinjalizuar pozitivisht, Abrashi të fitojë në Prishtinë. 

Qytetarët, të zhgënjyer në maksimum

Edhe qytetarët e Prishtinës, në pritje të balotazhit, presin që përfundimisht Shpend Ahmeti ta humbë betejën dhe ta lirojë pozitën e kryetarit përkundër kandidatin nga LDK-ja. Nevzat Fushtica thotë se Shpend Ahmeti e ka injoruar tërësisht ekzistencën e lagjes "Kodra e Trimave" si pjesë e qytetarit, prandaj me këtë mentalitet të ulët ai nuk e meriton më votën e prishtinasve, sepse është njeri që, pavarësisht mospunës, bën edhe dallime, qoftë edhe në një investim më të vogël. "Për katër vjet të mandatit të Shpend Ahmetit asnjë send nuk është investuar në 'Kodrën e Trimave', edhe për këtë arsye jam për ndryshime në komunën e Prishtinës", tha ky qytetar i zhgënjyer në punën e kryetarit të deritanishëm Shpend Ahmeti. Njësoj mendon edhe Beqir Batusha."Ne nuk jemi të kënaqur aspak me punën e Shpend Ahmetit edhe do të ishte dashur të ndërrohet ky kryetar, pa marrë parasysh se kush tjetër do të vinte aty. Konsideroj që skandalet nuk kanë lidhje me këtë, por është paaftësia e tij, që në Prishtinë nuk ka treguar asgjë dhe qytetarët nuk janë të kënaqur me punën e tij", tha Beqir Batusha. Po aq kritik dhe i pakënaqur është edhe Ymer Krasniqi. "Shpend Ahmeti nuk ka bërë asgjë në kryeqytet. Për raundin e dytë në balotazh nuk mund të them asgjë, sepse realisht janë të barabartë, por sidokudo besoj në Arban Abrashin që do ta fitojë balotazhin mbase për një nuancë të vogël, sepse ka treguar një program të kapshëm për votuesin që duhet të mbështetet", tha ai. "Sa i takon Shpend Ahmetit, dështimet e para i shoh tek rritja e vlerës së shtëpive për tatim në pronë, duke i përfshirë madje edhe ato shtëpi, të cilat i takojnë periudhës së hershme dhe që janë amortizuar hiç më pak se tash e 40 vjet, dhe kjo mendoj që është një gabim i madh dhe një ngarkesë e patolerueshme", potencoi Ymer Krasniqi. Gjykim për dështimin që nuk mund të falet ka edhe Salih Tahiri. "Unë konsideroj se në balotazh duhet të fitojë kandidati i LDK-së, sepse ai është njeriu që mund të bëjë më tepër dhe mund t'i japë shumë më shumë Prishtinës, e që nuk e ka bërë deri tash Shpend Ahmeti, sepse Shpendi nuk ka pasur, as nuk ka kapacitet", tha Tahiri. Të vetmen shpresë tani e sheh te kandidati i LDK-së, dhe fitorja në balotazh, për zhbllokimin e kryeqytetit, edhe Naser Ramadani. "Kur ka ardhur VV-ja në pushtet qëllimi ishte vetëm përvetësimet personale dhe partiake, e assesi angazhim për të mirën e qytetarit dhe të vendit. Tani, populli ka filluar t'i shohë këto dukuri, ku të vetmen mundësi e shohin LDK-në si subjektin më të organizuar për të arritur objektivat dhe të mirat qytetare", tha Ramadani. Komuna e Prishtinës, si edhe herave të tjera, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërgura për çështjet e shtruara. 

(Kosova Sot)