Mafio-oligarkët hedhin milionat e krimit në balotazh (Video)

  • 31 October 2017 - 09:09
Mafio-oligarkët hedhin milionat e krimit në balotazh (Video)

RAUNDI I DYTË, ARENË PËRPLASJESH DHE PAZARESH TË PISTA POLITIKE

Votat në shitblerje, procesi demokratik drejt degradimit

"Partitë politike në garat elektorale të raundit të balotazhit rrisin koston milionëshe të shpenzimit të parave, edhe pse burimi i tyre i financimit nuk zbulohet kurrë. Zakonisht, janë milionat e oligarkisë kriminale ato që shpenzojnë partitë politike në fushata zgjedhore në këmbim të favoreve për oligarkët. Partitë politike shpenzojnë miliona euro për të "manipuluar" mendjet e qytetarëve të Kosovës, në vend se milionat të shpërndahen për nevojat e qytetarëve", tha analisti Ymret Reshiti
Ndonëse fushata zgjedhore për vazhdimin e garës për kryetar komunash, në ato komuna ku shkohet në balotazh, nuk ka filluar akoma, analistët politikë presin se do të ashpërsohet edhe më shumë beteja elektorale, deri në atë masë saqë pritet edhe të blihen votat e qytetarëve. Sipas analistëve, partitë do të provojnë ta zbrazin në këtë raund të dytë gjithë arsenalin e tyre financiar në blerje të votës, ku do të provojnë t'i përdorin edhe paratë e pista të krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale, duke krijuar kështu shpenzime enorme dhe pa kontroll. Partitë pa dallim do të përpiqen të përdorin mafio-oligarkët dhe fondet e tyre kriminale për t'i joshur e për t'i blerë votat e qytetarët me pagesa të majme, të cilëve pastaj ua kthejnë në mënyrat siç dihet tashmë, përmes faljes së tokave e aseteve komunale e qeveritare, ashtu siç edhe e ka përfshirë në programin e tij zgjedhor jo vetëm 15 hektarë në Stacionin e Autobusëve Shpend Ahmeti, për të cilin po akuzohet het nga disa individë politikë, oponentë në ish- Asamblenë komunale, edhe nga vetë zyrtarë menaxhues të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. Ylber Çikaku e ka ngritur si shqetësim dyshimin se Shpendi e ka bërë PAZAR me vëllezërit Devolli, në jahtet e të cilëve edhe u zu duke shëtitur. Po aq dyshime ngritën edhe për tre hektarë toke komunale mbrapa Pallatit të Rinisë, por edhe përmes tenderëve prej disa dhjeta- milionësh për çdo vit, dhe formave të tjera korruptive të paligjshme e tepër kriminale!

Manipulimi i varfërisë

Politologu Adnan Bajrami thekson se në këtë mësymje ndaj votës me çdo çmim, ndër subjektet kryesore politike që do të turret për shkak të tronditjes në humbjen e parë do të jetë Lëvizja "Vetëvendosje" me kandidatët e vet. " Me balotazh gara më interesante është në kryeqytet, edhe në Prizren. Humbja e Lëvizjes 'Vetëvendosje' në Prishtinë krijon përqasje brendapërbrenda Lëvizjes dhe një ndarje të madhe të këtij subjekti, prandaj do të përdoren të gjitha metodat nga ana e Lëvizjes për ta fituar Prishtinën, ku sigurisht se dot ketë edhe blerje votash", u shpreh ai. "Vetë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një emision nxjerr 10 mijë euro për bast, a thua se sa para jep për vota tani shtrohet si pyetje ? Do të mundohen të manipulojnë me qytetarët këto ditë të ftohta, dhe një këmbim i votës do të jetë i barabartë me një metër dru, mirëpo qytetarët duhet të mendojnë dy herë edhe të mos bien pre e këtyre matrapazëve, sepse 4 vjet janë të gjatë për t'i humbur", tha Adnan Bajrami për "Kosova Sot".  

Image

 

Zhgënjimi nga kryetari

Analisti Gani Qarri thekson se qytetarët e ngritur dhe votuesit e vetëdijesuar të Kosovës ka kohë që janë lodhur me kastën e deritanishme të udhëheqësve të inkriminuar, ndaj me arsye vazhdojnë të mbeten edhe më tej në kërkim të një alternative politike dhe politikëbërë- sish të tjerë, kandidatë të rinj ,që dallojnë nga ata të deritanishmit, për shumëçka, e sidomos për qeverisje me sinqeritet e ndershmëri dhe që nuk janë të njollosur si të mëparshmit në llumin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai thotë se kjo ishte arsyeja kryesore edhe para katër vjetësh, kur u zgjodh pikërisht Shpend Ahmeti kryetar i Prishtinës, i cili fitoi nga bindja dhe mendimi i arsyeshëm i qytetarëve se ai si njeri i shkolluar në Universitetin e Harvardit dhe qëndrimin relativisht të gjatë në SHBA, përveç kualifikimit,atje ka marrë edhe mësime nga kultura amerikane e qeverisjes dhe do të sjellë risi jo vetëm për Prishtinën, por do ta reformonte edhe VV-në, politikën në kryeqytet dhe vetë partitë në vend, kryetarët dhe kryesitë e të cilave takohen çdo ditë dhe gravitojnë gjatë gjithë vitit në kryeqendrën e vendit. Sidoqoftë, ka ndodhur e kundërta, mashtrimi i qytetarëve dhe zhgënjimi i tyre. "Edhe kryetari i deritanishëm, pa asnjë liri veprimi dhe i vënë direkt nën dirigjimin rigoroz punistokomunist të VV-së, nuk mundi kurrë të veprojë i pavarur, as të bëjë pothuajse asnjë hap përpara, përveç ndoshta plotësim-detyrimit nga partia për inicim të lidhjeve me mafiooligarkitë më të përfolura në vend të përmendura tashmë dhjetëra herë dhe në dhjetëra shkrime të ndryshme në "Kosova Sot". Ndaj, e gjithë kjo u kthye në bumerang të merituar për Lëvizjen 'Vetëvendosje', të cilës në garën që pritet të ashpërsohet edhe më tepër për balotazh, edhe nëse tenton t'i 'blejë' votuesit a t'i përvetësojë me pagesë votat e qytetarëve të gatshëm për tregtimin e tyre, siç duket, nuk do të mund t'i ndihmojnë më as petro-dollarët e shumtë të ekstremizmit islamik, as eurot e mafio-oligarkëve të Kosovës dhe rrezikon seriozisht ta humbë edhe bastionin e vetëm-Prishtinën", tha Qarri për "Kosova Sot".

Tenderët, si karrem për vota

Analisti Faton Mehmeti po ashtu pohon se balotazhi do të jetë më i ashpër sesa raundi i parë i zgjedhjeve, madje se pritet të shtohen edhe shantazhet, presionet dhe përpjekjet për manipulim të votave. "Kjo s'ka dyshim se do të ndodhë, duke ditur mendësinë që kanë partitë politike te ne. Gjithashtu pritet të shtohen edhe premtimet për tenderë. Partitë politike do t'i fusin në përdorim edhe shërbimet e tyre sekrete, e të cilat përmes formave jo të ndershme do të mundohen të vjedhin vota, të kërcënojnë njerëz dhe disa edhe t'i joshin me premtime të rreme. Prandaj, qytetarët duhet të jenë sa më të vëmendshëm, sa më të dinjitetshëm që mos të shesin votën e tyre, mos të bien pre e mashtrimeve të partive politike, të cilat të gënjejnë dhe nuk e kanë problem aspak", theksoi ai. "Besoj se do të ketë parregullsi të shumta në balotazh si pasojë e tensionit, në veçanti në qytetet e mëdha, aty ku secila parti pritet të tregojë forcën e saj për të dëshmuar se ka nën kontroll qytetet më të mëdha. Grupet e mëdha kriminale, siç janë Devollët, pritet të shtojnë buxhetin për të përkrahur njerëz, të cilët janë vartës të tyre e prej të cilëve marrin tenderë dhe tokë për të ndërtuar bizneset e tyre të pandershme. Ka edhe shumë Devollë të tjerë, e të cilët janë krimi dhe zhvatësit më të mëdhenj të vendit, së bashku me partitë politike", potencoi Mehmeti .

 

Parregullsi të shumta

Analisti politik Ymret Reshiti vlerë- son se vetë fakti që edhe balotazhi është në vazhdën e kontinuitetit të aktiviteteve të filluara për raundin e parë të zgjedhjeve, si proces i pritshëm edhe për balotazh, gara gjithsesi që do të vijë duke u ashpërsuar, veçmas tani kur bëhet fjalë për votat me çdo çmim në mes të rivalëve dysh për kryetar komunash. "Sikur në zgjedhjet nacionale, sikur në ato lokale, nuk kemi konkurrim të programeve të partive politik, por kemi 'luftë politike' të pakompromis për marrjen e pushtetit. Prandaj, kjo 'ashpërsi e luftës politike' aspak nuk korrespondon me pretendimet e partive politike, se ata po ofrojnë ofertën më të mirë qeverisëse për qytetarin sesa partia rivale", theksoi Reshiti. Ai ka pohuar se parregullsitë, që do të vazhdojnë ta përcjellin këtë proces, gjithsesi do të jenë të natyrave nga më të ndryshme, deri te tentativat po edhe realizimi i qëllimit të blerjes së votës. "Zgjedhjet në Kosovë tash e sa kohë i përcjellin një mori parregullsish, siç janë blerjet e votave, vjedhjet e votave, kushtëzimet, mospastrimi i listave të votuesve, shantazhi dhe një mori manipulimesh të tjera. Garat elektorale në raundin e balotazhit paraqesin " ajsbergun"e luftës së pistë politike në mes partive rivale, ku nuk kursehet asgjë në shërbim të qëllimit politik. Partitë politike në garat elektorale të raundit të balotazhit rrisin koston milionëshe të shpenzimit të parave , edhe pse burimi i tyre i financimit nuk zbulohet kurrë. Zakonisht, janë milionat e oligarkisë kriminale ato që shpenzojnë partitë politike në fushata zgjedhore në këmbim të favoreve për oligarkët. Partitë politike shpenzojnë miliona euro për të "manipuluar" mendjet e qytetarëve të Kosovës, në vend se ata miliona të shpërndahen për nevojat e qytetarëve", tha Reshiti për "Kosova Sot".

Votuesit manipulohen lehtë

Edhe Hidajet Ahmeti pohon se partitë politike, që janë futur në balotazh, do të abuzojnë me të gjitha mekanizmat institucionalë dhe jashtë-institucionalë, për marrjen apo mbajtjen e pushtetit. "Aty ku tentohet të vazhdohet pushteti do të abuzohet me mekanizmat e pushtetit, që është bërë traditë në Kosovë, duke filluar nga propaganda, presioni e shantazhi ndaj zyrtarëve të administratës, punëtorëve shëndetë- sorë dhe duke përdorur operatorët ekonomikë, të cilët kanë fituar tenderë si në bahçe të babës", ka thënë ai. "Vota e pastër qytetare do të tentohet të manipulohet në forma të ndryshme, pasi në shoqëritë në tranzicion, votuesi manipulohet lehtë e kollaj. Gjykoj se duhet të këtë plotësim-ndryshim në Ligjin për zgjedhjet lokale, e posaçërisht për rastin e balotazhit, pasi raundi i parë është matja reale e partisë politike dhe e kandidatit për kryetar. Kurse balotazhet janë bërë arenë pazaresh politike, sikur votuesi të ishte pronë e ndonjë partie politike", tha Ahmeti për "Kosova Sot".

Garë e ngushtë

Politologu Gurakuç Kuçi thotë se gjithsesi që në balotazh do të ketë situata të tensionuara dhe garë shumë të nxehtë për të parin e komunave të caktuara, madje me tentativa edhe për ndonjë blerje të votave, por ai thotë së kjo tendencë e blerjes mund të ketë një ndikim minimal, aty ku rezultati është tepër i ngushtë, dhe jo atë maksimumin që mund ta paramendojë dikush, sepse blerjet e tilla janë të pamundura. " Balotazhi që do të mbahet tash në shumë komuna ka bukur shumë afërsi të votave në mes të kandidatëve, por ka edhe komuna të cilat janë në distancë të madhe të votave. Në këtë rast do herë ka pasur probleme, ku është dyshuar edhe për blerje të votave, madje edhe janë gjykuar njerëzit për këto raste, për shkak të blerjes së votave, e kjo mund të ndodhë tek ato komuna ku kandidatët e dinë që për pak vota nuk mund t'ia arrijnë qëllimit të tyre, dhe vetëm atëherë ata devijojnë te kjo masa tjetër, që të marrin iniciativë edhe për disa blerje të votave, që t'i bëjnë votat tamam. Por, nuk mund t'i blejnë ato vota në kuptimin që ta blejnë komplet masën e votës deri në 50%, por është një masë e vogël e votave që iu nevojitet vetëm sa për ta kaluar pragun e nevojshëm. Në këtë rast te fondet e partive politike dhe harxhimet e tyre e dimë që ka një rregull nga KQZ-ja ku lejohet për shpenzime për fushata deri në 0.50 euro për kokë banori dhe jo çdo herë ka pasur një transparencë në këto shpenzime", theksoi Kuçi. 

(Kosova Sot)