Kuçi: Pushteti krijoi klientelën (Video)

  • 22 December 2017 - 12:36
Kuçi: Pushteti krijoi klientelën (Video)

Politologu Gurakuç Kuçi pohon se vetë qëndrimi i gjatë në mizori dhe vetëm në ndërrimin e mizorive nga stadi i armiqve të jashtëm në stadin e mizorisë së "miqve" të brendshëm krijon ndjesi të pafuqisë në popull dhe humbje të shpresave edhe për ndryshime të shpejta. Madje, ai thotë se kjo gjendje në Kosovë po prodhon edhe shoqëri shumë të rrezikshme. "Që nga pas lufta është konsoliduar pothuajse një klasë e njëjtë politike, e cila e mban forcërisht pushtetin, duke e bërë Kosovën një shtet rentier. Buxheti i Kosovës, mbi 1 miliard euro, mbushet nga Doganat. Ndihmat e huaja, remitencat dhe mbushje të tjera të buxhetit, jo drejtpërdrejt nga qytetarët, e bëjnë Kosovën shtet rentier dhe pushtetin të ndarë nga llogaridhënia qytetare. Pastaj pushteti nëpërmjet punësimit militant në administratën publike ka krijuar një klientelë dhe klasë mbrojtëse, të cilët nuk janë kundër pushtetit, sepse do të humbnin pagat dhe vendet e tyre të punës që nuk bëjnë asgjë dhe këtu janë mbi 90 mijë të punësuar, që i bie rreth 90 mijë familje", u shpreh ai. "Nëse i llogarisim me mesataren e banorëve për familje na del klasa mbrojtëse e shtetit rentier dhe pushtetit uzurpokrat. Këtu janë edhe elementët e jashtëm, të cilëve u konvenon ta mbajnë në pushtet një klasë të shantazhueshme, për të shtyrë përpara qëllime të caktuara. Gjitha këto e bëjnë Kosovën një korporatë aksionare vetëm për politiken", tha politologu Gurakuç Kuçi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)