Agim Kuleta zgjedhet kryesues i Kuvendit të Prishtinës (VIDEO)

  • 18 January 2018 - 11:19
Agim Kuleta zgjedhet kryesues i Kuvendit të Prishtinës (VIDEO)

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Ai është votuar nga 27 asambleistë, kurse, kundër kandidati i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shefki Gashi është votuar nga 19 asambleistë.

Image

 

Ja fjalimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Të nderuar anëtarë të Kuvendit Komunal, Kryetar Ahmeti, drejtorë

Të nderuar përfaqësues të mediave dhe ju të pranishëm

Fillimisht dua të ju falënderoj të gjithë ju, anëtarë të këtij kuvendi, që më dhatë besimin për të qenë Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Gjithashtu, dua të ju uroj secilin prej jush, pavarësisht subjektit politik që i takoni, për rezultatin në zgjedhje dhe detyrën e re, si anëtar të këtij kuvendi.

Kjo përbërje e Kuvendit është reflektim i asaj që kanë zgjedhur qytetarët e Prishtinës.

Këta qytetarë, gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre të votës, janë përcaktuar për njerëz të ndryshëm dhe subjekte politike të ndryshme. Ata kanë vendosur ta votojnë dikë, qoftë për shkak të personalitetit të tij, qoftë për shkak të përkatësisë partiake apo edhe për të shkak të të dyjave bashkë. Pra, ata kanë votuar ndryshe nga njëri- tjetri.

Por, pavarësisht nga ky fakt, prapa këtyre përzgjedhjeve të ndryshme nga qytetarët tanë, qëndron motivi i njëjtë. Ata e duan një qytet të zhvilluar, funksional dhe të bukur. Prandaj ne, si përfaqësues të tyre, sa herë që të thirremi në interesat e votuesve tanë, duhet ta kemi të qartë se po thirremi në interesat e të gjithë qytetarëve të Prishtinës. Kjo, edhe duhet të na bëjë të përgjegjshëm për punën dhe veprimet tona të përditshme.

Unë, jam i bindur se edhe secili prej jush pajtohet me faktin se gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha e më të rëndësishme se sa ato që mund të na ndajnë. Ne na bashkon interesi i Prishtinës dhe qytetarëve të saj, ndërsa mund të ndajë mënyra se si e shohim realizimin e këtyre interesave. Prandaj, duke besuar fuqishëm në këtë, si kryesues i këtij Kuvendi, do të përpiqem maksimalisht që ta kryejë punën time në mënyrë sa më profesionale. Do të jem i hapur dhe bashkëpunues me secilin prej jush, në funksion të mbarëvajtjes së punës në këtë institucion dhe në të mirë të qytetarëve e komunës sonë të përbashkët.

Por, për këtë qëllim, unë nuk do të kërkoj nga ju unitet me çdo kusht. Sepse kusht për të arritur një unitet përmbajtësor është pikërisht që të mos ketë kushte. Gjithashtu, është edhe një arsye pse unë kurrë nuk do të kërkoj unitet me çdo kusht.

Sepse, jo gjithmonë, mospajtimet janë shkaktare të ndasive midis njerëzve. Ndasitë shpesh herë janë pasojë e unitetit të rrejshëm e të detyrueshëm. Atij uniteti ku palët e kundërta pajtohen që të mos dalin në publik kundërshtimet, gjë që krijon një paqe të rrejshme publike, e cila, në realitet, nuk sjellë tejkalim të interesave të kundërta por pakësim të asaj që mund të dëgjohet në publik, jashtë rrethit të tyre.

Ajo e cila unë besoj se është kryesorja në funksionimin e mirë të këtij kuvendi, është baza mbi të cilën ngriten qoftë uniteti qoftë ndasitë. E kjo bazë përbëhet nga parimet, konstruktiviteti, qëllimi i mirë, përgjegjësia dhe ndershmëria. Kur këto ekzistojnë tek secili prej nesh, atëherë mungesa e unitetit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe mungesë bashkëpunimi.

Përkundrazi, nënkupton që përmes kundërshtimeve e debateve konstruktive, të përgjegjshme e qëllimmira të përsoset një projekt dhe të nxirret një rezultat edhe më i mirë.

Pra, më mirë një pluralizëm i sinqertë se sa një unitet i rrejshëm! Këtë gjë, besoj do ta kemi parasysh secili prej nesh gjatë punës sonë të përbashkët në këtë institucion.

Të nderuar anëtarë të këtij kuvendi,

Qytetari ynë, sot, ka më së shumti nevojë për punë me nderë dhe përkushtim në punë. Duke besuar se i kemi këto dy cilësi edhe na ka zgjedhur ne, prej shumë kandidatëve të tjerë që i ka pasur para vetes. Prandaj, kjo nevojë e qytetarit duhet të jetë detyrë për ne, të cilën, uroj që ta kryejmë sa më mirë që është e mundur.

Faleminderit edhe njëherë dhe punë të mbarë për të gjithë!

(Kosova Sot)