Kamera e sigurisë regjistron momentin e rrëzimit të avionit rus (VIDEO)

  • 12 February 2018 - 19:16
Kamera e sigurisë regjistron momentin e rrëzimit të avionit rus (VIDEO)

Momenti tragjik i rrëzimit të avionit me 71 persona në bord në Rusi, është kapur nga kamerat e sigurisë. Aktualisht janë gjetur dy kutitë e zeza, ndërsa autoritetet po hetojnë për dyshimet se mjeti fluturues mund të jetë rrëzuar, për shkak të ndonjë problemi teknik, gabimit njerëzor dhe kushteve të këqija të motit.

Në momentin e përplasjes ora shënon 14:27, me orën lokale të Moskës.

Avioni “Antonov An-148” u nis nga aeroporti Domodedovo në 14:21 me 65 pasagjerë në bord dhe 6 anëtarët e bordit, dhe po drejtohej për në Orsk në afërsi të kufirit mes Rusisë dhe Kazakistanit.

Ai u zhduk nga radarët disa minuta pasi u ngrit në ajër. Pas rrëzimit në qiell është parë një re e madhe tymi të zi.

Autoritetet po hetojnë për të zbuluar shkaqet e kësaj tragjedie, ndërsa po merret në konsideratë keqfunksionimi teknik, kushtet e këqija të motit dhe gabim i mundshëm i pilotëve.

Një dëshmitar tha për mediat ndërkombëtare se ka parë një avion të kapluar nga flakët në qiell, që lë të dyshohet se një nga motorët mund të ketë shpërthyer në fluturim.

“Fillimisht diçka shpërtheu poshtë krahut të avionit, i cili mori zjarr. Më pas një tjetër shpërthim u dëgjua dhe avioni ra me shumë shpejtësi në tokë”, thotë një dëshmitar. Megjithatë komiteti investigative i Rusisë njofton se pilotët nuk kanë raportuar ndonjë gabim teknik ose ndonjë problem tjetër.

Megjithatë, mësohet se janë gjetur të dy kutitë e zeza të avionit, me anë të cilave pritet të zbulohet arsyeja e rrëzimit.

Ndërkohë, kompania “Saratov Airlines” ka vendosur të pezullojë fluturimet me “Antonov An-148” në pritje të rezultateve të hetimeve lidhur me shkaqet e aksidentit tragjik.

(Kosova Sot)