Republika e Hiçkokut (Video)

  • 18 February 2018 - 12:12
Republika e Hiçkokut (Video)

NJË DEKADË ZHYTJE NË BOTËN E KRIMIT

Analistët dhe qytetarët alarmojnë për kriminalizimin e shtetit

Isak Rrahmani (59),jurist nga Prishtina, tha për "Kosova Sot" se as regjisori me nam botëror, Alfred Hiçkoku nuk ka mundur që ta parashohë një Kosovë të tillë në 10- vjetorin e saj të pavarësisë, që është e shkatërruar nga kjo klasë politike kriminale

Askush nuk e kishte menduar se qytetarët e Kosovës, pas aq shumë vuajtjesh, do ta presin ditëlindjen e 10-të të pavarë- sisë së vendit në një shtet kriminal, ku nëntoka udhëheq çdo institucion, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror.

Fatmir Gashi(55), banor nga Prishtina, për gazetën " Kosova Sot " tha se në 10- vjetorin e pavarësisë kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar. "Shpresuam se do të jetë ndryshe, por për fat të keq me Kosovën po sundojnë grupacione të vogla mafiozësh, që për fatin tonë të keq nuk është dashur që të jenë aty, por shpresojmë se ata nuk e kanë gjatë. Ngase, po u vazhdua kësisoj me imigrimin, Kosova për pesë vjet do të ketë vetëm 500 mijë banorë, sepse e tërë rinia do ta braktisë Kosovën", tha ai. "Çdo njeri kur zgjohet në mëngjes e ka synim të vetëm se si të ikë nga Kosova. E tërë kjo vjen si pasojë e politikës që shërben vetëm për interesa klanore dhe familjare, ngase pushtetarët tanë nuk mendojnë se si të hapen vende të reja pune, se si të zhvillohemi e të arsimohemi dhe të investohet për shëndetësi. Kur atyre u vjen nevoja për ndonjë shërim, pushtetarët tanë i hipin aeroplanit dhe shkojnë për shërim jashtë atdheut, kurse popullata e gjorë dhe e varfër bredh spitaleve tona, ngase asnjë nga mjekët nuk i marrin në dorë për kontrollim e shërim, sepse nuk kanë barna e as para", vijoi më tej Gashi.

Kurse Isak Rrahmani (59), jurist nga Prishtina, tha për "Kosova Sot" se as regjisori me nam botëror, Alfred Hiçkoku nuk ka mundur që ta parashohë një Kosovë të tillë në 10- vjetorin e saj të pavarësisë, që është e shkatërruar nga kjo klasë politike kriminale. " Kosova po sundohet nga kjo klasë politike kriminale, që e ka katandisur Kosovën më keq, madje edhe se në kohën kur këtu na sundonte okupatori i Serbisë. E them lirshëm se këtu nuk ka qenë më keq te ne, sepse janë pushtetarët tanë ata që e shkatërruan dhe e plaçkitën ekonominë tonë, duke e rrënuar përtokë", tha ai.

Ndërsa, Adem Hoti (60) nga Bradashi i Podujevës, një arsimtar i papunë me 6 anëtarë të familjes që jeton me ndihmën sociale, për gazetën "Kosova Sot" thotë se pushtetarët tanë po punojnë vetëm për interesa të veta dhe shikojnë se si të pasurohen sa më shumë e më shpejt, e sa për qytetarët tanë ata nuk qajnë hallin fare. "Askush nuk jeton në një vend ku nuk ka ligj dhe ku ka vetëm krim të organizuar dhe korrupsion", potencoi ai. 

Me këta udhëheqës nuk ka shpresë

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, analist, tha për " Kosova Sot" se Kosova po hyn në 10- vjetorin e çlirimit të vendit me një hendek të madh, sepse qytetarët tanë nuk janë më optimistë sikurse që kanë qenë pas çlirimit të vendit. "Derisa nuk ka një përjashtim nga politika dhe një rënie të kastës së oligarkëve, duke filluar që nga presidenti, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kyeqeveritari Ramush Haradinaj dhe sejmenët e tyre, kasta politike në Kosovë do të jetë kësisoj me shpresa të vogla", theksoi ai. "Nëse edhe eventualisht do të ketë një liberalizim të vizave, Kosova do të bëhet një 'top-lajm' në mediet botërore për migrime, për kërkesa për të dalë jashtë dhe e tëra kjo do të vlerësohet si një degradim i jetës në Kosovë. Ndaj, mendoj se kjo duhet që t'u faturohet njerëzve të politikës, që kanë qenë konsistentë në veprimet e tyre për ta gllabëruar shtetin", u shpreh ai.

"Askush nuk dëshiron që ta kalojë jetën në një vend ku perspektiva është e mbyllur. Askush nuk dëshiron që përjetësisht të mbetet në mëshirën e atyre që kanë përvetësuar çdo të mirë materiale", tha Skënder Mulliqi për "Kosova Sot"

Ndërsa, analisti Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se fenomeni i krimit të organizuar dhe korrupsionit të shfaqura pas luftës, e dëmtuan Kosovën dhe popullin e saj. "I dëmtuan proceset demokratike e zhvillimore, e sollën gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike, i varfëruan qytetarët dhe e zbehën shumë imazhin e vendit në sytë e botës demokratike. Këto fenomene nuk u luftuan kurrë sa duhet", potencoi ai. "Do të duhej që të bëhet një spastrim në mbarë aparatin shtetëror, por edhe partiakë nga elementët, të cilët janë të implikuar në një formë apo tjetër në korrupsion. Ka vërshuar ekonomia informale dhe kontrabandimet e ndryshme, të cilat po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës edhe ashtu të varfër", vlerëson analisti Mulliqi.  

Mjerimi s'ka fund

Kurse, analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot" tha se mjerimi social gjithnjë po merr përmasa alarmante. "Nëntoka kriminale dhe e krijuar për privatizimin e shtetit mund të pësojë ndëshkime penale vetëm kur populli e kupton thellësisht një- mendësinë e planeve të liderëve. Pra, janë vetëm qytetarët që mund të ndërmarrin ndryshime drastike", u shpreh ai. "Pavarësia me këta liderë nuk e ka asnjë kuptim. Tash, kur kemi këtë përvjetor, çfarë arsyeje bazike kemi të festojmë, kur territori vazhdimisht po cenohet e ngushtohet, kur pushteti po reduktohet e keqtrajtohet si dhe kur ekonomia po na minimizohet. Të gjithë politikëbërësit duhet parashtruar këtë pyetje-në çka konsiston për ju pavarësimi i vendit. Meqë ju pothuaj asnjërin prej atributeve të lartcekura s'i keni realizuar sa për të qenë funksionale për shtetin tonë", ka theksuar Haziri.

"Korrupsioni është problem i madh për shtetin. Me këta njerëz aktualë, organet e rendit do të kenë punë edhe 30 vjetët e ardhshëm", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot" 

Ndërsa, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Blerim Burjani tha për " Kosova Sot " se urgjentisht duhet të diskutohet në Kuvend tema e funksionimit të rendit dhe ligjit në Kosovë. "Kuvendi duhet të propozojë masa adekuate konkrete, duke e detyruar këtë Qeveri, e cila ka probleme të mëdha me organet e rendit, ose një pjesë e madhe e tyre janë përfitues material", potencoi ai. "Më së miri do të ishte të jepet votë mosbesimit, këtë vit priten zgjedhje të sërishme të jashtëzakonshme", ka thënë Burjani.

(Kosova Sot)