Nuk do të ketë zgjedhje të REJA DERI NË VITIN 2019 (VIDEO)

  • 17 April 2018 - 10:36
Nuk do të ketë zgjedhje të REJA DERI NË VITIN 2019 (VIDEO)

Partitë në opozitë, LDK-ja dhe VV-ja, nuk po dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje të reja, meqë në duart e tyre nuk dëshirojnë të mbesin temat e nxehta, si krijimi i Asociacionit të komunave serbe, përmbyllja e dialogut me Serbinë, si dhe valët e para të arrestimeve nga Gjykata Speciale. LDK-ja në muajin maj të vitit 2019 do t'i ketë zgjedhjet e brendshme partiake, ku partia do të ketë një kryetar të ri, i cili do të jetë edhe kandidati i tyre për kryeministër. Kurse VV-ja tërësisht është e hendikepuar pas ndarjes së një grupi të deputetëve dhe sigurisht pas skandaleve që iu zbardhën, ku një pjesë e tyre punojnë ekskluzivisht për mafio-oligarkët e nëntokës kriminale", tha analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

S ado që opozita parlamentare e Kosovës e ka gojën plot duke përkuar zgjedhje të parakohshme, veprimet konkrete për ta materializuar një kërkesë të tillë, për t'i marrë mandatin kësaj qeverie dhe shkuarjen e shpejtë në zgjedhje, nuk po e merr përsipër asnjë subjekt. Analistët politikë, por edhe qytetarët nuk shohin zgjedhje të reja deri në vitin e ardhshëm, së paku deri në vjeshtën e vitit 2019. Kësaj qeverie do t'i mbetet në dorë mbajtja e stabilitetit në vend gjatë fillimit të arrestimeve të para nga Gjykata Speciale, sikurse edhe momenti tjetër shumë kritik, ai i bërjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Të dyja këto tema të nxehta opozita e tanishme me dëshirë nuk do të donte t'i ketë barrë mbi vete, prandaj edhe bën zhurmë kot për zgjedhje të reja e nuk merr veprime. Po ashtu problem tjetër është vetë brishtësia e partive politike në organizimin e tyre të brendshëm dhe frika e deputetëve për të mos i rizgjedhur më dhe kështu humbin një mandat dhe privilegjet e tjera që i presin.


Temat e nxehta "ftohin" opozitën Analisti Bislim Aliu hezitimin e shkuarjes së shpejtë në zgjedhje e sheh edhe tek fakti që, sipas tij, partitë tona janë tërësisht të përçara ndërmjet vete dhe në anën tjetër secila prej tyre i ka problemet e veta të brendshme."Kështu që asnjëra parti e vetme nuk është e interesuar që të ketë zgjedhje para vjeshtës së vitit 2019. Këtë mendim e ka si pozita ashtu edhe opozita, pasi që edhe ajo nuk po tenton ta rrëzojë qeverinë! Ky mosunifikim i partive tona vetëm sa po e fuqizon Beogradin brenda Kosovës. Në anën tjetër edhe interesi i 120 deputetëve në Kuvend është që të mos e ndërpresin mandatin e tyre, pasi që deputetët duhet të ushtrojnë detyrën e tyre të paktën për 2 vjet, që të konsiderohet se e kanë realizuar një mandat të plotë! PDK, AAK, NISMA dhe AKR nuk dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje të reja, meqë ato ende po dëshirojnë të menaxhojnë me resurset e vendit dhe me miliona të buxhetit, por me të mirat tjera të vendit", u shpreh ai."Kurse partitë në opozitë, LDK-ja dhe VV-ja, nuk po dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje të reja meqë në duart e tyre nuk dëshirojnë të mbesin temat e nxehta, si krijimi i Asociacionit të komunave serbe, përmbyllja e dialogut me Serbinë, si dhe valët e para të arrestimeve nga Gjykata Speciale. Partitë opozitare, LDK-ja dhe VV-ja, nuk janë të gatshme që të shkojnë në zgjedhje të reja para vjeshtës të vitit 2019, meqë si njëra si tjetra po mundohen të jenë lidere në opozitë, e në anën tjetër si njëra si tjetra i kanë problemet e veta të brendshme. LDK-ja në muajin maj të vitit 2019 do t'i ketë zgjedhjet e brendshme partiake, ku partia do të ketë një kryetar të ri, i cili do të jetë edhe kandidati i tyre për kryeministër. Kurse VV-ja tërë- sisht është e hendikepuar pas ndarjes së një grupi të deputetëve dhe sigurisht pas skandaleve që iu zbardhën ku një pjesë e tyre punojnë ekskluzivisht për mafio-oligarkët e nëntokës kriminale", shpjegoi më tutje Aliu për "Kosova Sot". "As mafio-oligarkët e nëntokës kriminale nuk po angazhohen për zgjedhje të reja, pasi që ato po dëshirojnë që të jenë mbi ligjin dhe as pozita dhe as opozita nuk po ua 'prishin tymin e duhanit' duke i lejuar që ata të vazhdojnë edhe më tej të jenë mbi ligjin", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

Konfliktet e brendshme, pengesë për partitë

Profesor Muhamet Kelmendi vlerë- son se shkaqet pse nuk do të kemi zgjedhje në këtë vit janë të natyrave të ndryshme dhe të lidhura drejtpërdrejt me interesin individual dhe të partisë. "Opozita, e cila nga natyra është e interesuar për zgjedhje të reja, nuk e ka gjendjen për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Ndërsa, pozita është në gjendje komode, ku për shkak të situatës së opozitës nuk po kërcënohet fare në pushtet. LDKja, VV-ja dhe GDP-ja nuk gjenden mirë. Janë të dobët dhe të pakonsoliduar si parti në terren. Në anën tjetër, janë nën presionin e deputetëve, të cilët nuk kanë interes për zgjedhje, sepse frikësohen se nuk do të fitojnë në zgjedhje të reja. Po kryesisht është GDP-ja që fare nuk ka interes. Te ky grup janë të theksuar të dy faktorët. Ai grup nuk ka parti dhe gjendet në pozitë të disfavorshme. Pa parti, pa degë e nëndegë, kuptohet se me shkuarje në zgjedhje as edhe një deputet nuk e fitojnë. Ndërsa, LDKja, sado që duket unike, ka konflikte të brendshme për pushtet. Tash janë në prag zgjedhjet brenda partisë dhe ka shumë kandidatë të interesuar për kryesi dhe për kryetar. Ka rreziqe edhe të ndarjes së partisë", theksoi Kelmendi. Sipas tij, edhe VV-ja me ndarje ka humbur shumë në numër të deputetëve, por edhe terreni është dobësuar dhe kësisoj të gjitha partive politike realisht u nevojitet kohë për stabilizim dhe për regjenerim. Sipas Kelmendit, edhe ana tjetër e medaljes qëndron tek obligimet e mëdha, që janë si patate e nxehtë e nuk duan t'i marrin partitë tjera politike."Vetëm kjo pozitë mund të ndërtojë Asociacionin, sikundër bëri me demarkacion. Të ndalojë rreziqet në masë nga Gjykata Speciale dhe të krijojë një autonomi për serbët e Kosovës pa u rrezikuar nga zhvillimet në vend. Dhe, lidhur me këtë, faktori i jashtëm është i interesuar për këtë qeveri. Me këtë autonomi serbe do të kemi edhe marrëveshjen e Thaçit me shtetin serb", tha profesor Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Qytetarët, skeptikë për zgjedhjet e shpejta Qytetarë rasti, të anketuar nga gazeta, afatin më optimal për zgjedhje të reja e shohin vjeshtën e vitit 2019, pasi sipas tyre vendi ka shumë obligime të mëdha që tani duhet të kryhen nga institucionet. Sipas Vesel Veselit, ato parti politike që tani po kërkojnë zgjedhje, duke e ditur se nuk është kohë e përshtatshme për mbajtjen e tyre, por kërkesën po e bëjnë për konsum politik, nuk janë serioze dhe si të tilla do të kenë pasoja edhe para elektoratit të tyre."Sigurisht që nuk janë të përgatitura, edhe për shkak të disa momenteve, të disa proceseve para të cilave jemi nuk është e dobishme që të mbetemi për momentin pa institucione, kështu që këto institucione që janë le ta vazhdojnë punën, le t'i kryejnë disa detyra që i kanë para vetes, disa procese që janë të domosdoshme për momentin e pastaj sido që vijnë rrethanat nuk bëhet nami edhe po të shkojmë në zgjedhje të reja dhe kush fiton ia paftë hairin", tha Veseli. Edhe Daut Gashi tha se zgjedhjet duhet të bëhen me qëllim të përmirësimit të jetës politike dhe të qeverisjes më të mirë në vend, mirëpo edhe sipas tij tani, në këtë kohë me plot probleme që presin zgjidhje dhe tema të tjera të hapura si obligime serioze për shtetin, zgjedhjet nuk do të ishin zgjidhja më e mirë. "Sa u përket zgjedhjeve, ato bëhen me qëllim të përmirësimit të jetës politike edhe ekonomike dhe në të gjitha sferat tjera në Kosovë. Ne deri sot nuk kemi parë këso ndryshimesh pozitive, derisa partitë politike që kanë ardhur në pushtet kanë premtuar plot gjëra dhe nuk i kanë realizuar asnjë prej tyre. Edhe tani konsideroj që kishin me qenë të nxituara, të papërgatitura mirë dhe nuk do të kishin efekt, mirëpo sa i përket pushtetit që është tani, koalicioni aktual e ka humbur legjitimitetin dhe nuk mund të marrë vendime të mëdha. Janë zotuar se do të marrin vendime të mëdha, por unë mendoj që këta e kanë humbur legjitimitetin, nuk i kanë votat, i kenë vetëm 52 vota, çerekun e Parlamentit, dhe nuk mund të marrin vendime të mëdha, me 52 vota kurrfarë vendimi të madh për të mirën e qytetarëve të Kosovës, sepse në dëm të qytetarëve, sipas të gjitha gjasave, kanë bërë lëshime mjaft", theksoi Gashi, sipas të cilit ideale do të ishte një marrëveshje konsensuale për zgjedhje në vitin 2019. Mirëpo, qytetari Ragim Millaku thekson se edhe fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit që vjen mund të ishte kalendar i përshtatshëm për zgjedhjet e reja, nëse partitë politike merren vesh, por jo që tani të ndodhin ato dhe të bllokohet jeta politike dhe institucionale në vend. "Kosova si shtet ka marrë disa obligime të mëdha që ka para vetes, si në planin e brendshëm edhe në atë në koordinim me ndërkombëtarët dhe janë disa procese të cilat duhet të kryhen nga këto institucione para se të shkohet në zgjedhje të reja. Unë konsideroj se kërkesa tani për zgjedhje të reja është kërkesë joserioze. Lë të kryhen disa detyra të cilat janë me interes për shtetin dhe pastaj le të shkojmë edhe në zgjedhje të parakohshme", potencoi Millaku. Sipas tij, kohë ideale për të shkuar në zgjedhje mund të jetë edhe fundi i këtij viti, tetori ose nëntori.

BADALLAJ: PËR ZGJEDHJE TË REJA VENDOSIN BANDAT E MAFIO-OLIGARKËVE TË NËNTOKËS KRIMINALE!

Analisti politik Reshat Badallaj konsideron se partitë politike në Kosovë realisht nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje të reja, sepse e kanë kuptuar mirë se populli është i prekur thellë me premtimet boshe, rrenat, mashtrimet, tradhtitë ndaj elektoratit dhe të atdheut."E keqja më e madhe në Kosovë është se edhe opozita nuk ka dallim fare nga këta, pra të mos harrojmë se janë të njëjtit banditë, vagabondë dhe hajna", u shpreh ai. Badallaj thotë se tani edhe zhurmës së LDK-së nuk ia vë askush fare veshin."Për zgjedhje të reja vendosin bandat e mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale që e vodhën Kosovën deri në palcë. Këta kryebanditë, banditë, vendosin për zgjedhjet ashtu si u konvenon atyre. Sepse këta e kanë kapur shtetin për fyti, nuk njohin as ligje e as shtet", vlerësoi ai për "Kosova Sot".

HERTICA: KËRKESAT E PARTIVE POLITIKE PËR ZGJEDHJE JANË VETËM LOJË

Edhe analisti Ali Hertica konsideron se kërkesat e tanishme të partive politike për zgjedhje janë vetëm lojë, ngase asnjë prej tyre nuk duan t'i marrin në zgjidhje temat e mëdha që gjenden para qeverisë së tanishme."Tani thuajse asnjë subjekt politik nuk e ka të qartë se si po vendoset politika, si po rrjedhin zhvillimet në jetën e përditshme të politikëbërjes dhe qeverisjes së vendit, sepse tani shteti ka disa çështje madhore për të marrë vendime madhore për të ardhmen e vendit, siç është tani tema më serioze, formimi i komunave serbe, ku cilado parti që do të ishte në pushtet do të duhej të vendoste këtë fat, e që historia do ta dënojë në të ardhmen", tha Hertica për "Kosova Sot". Sipas tij, edhe subjektet e vogla politike, si NISMA, AAK-ja,VV-ja e përçarë dhe GDP-ja nuk janë konsoliduar për të llogaritur rezultat pozitiv. "Disa subjekte politike që po heshtin dhe asnjëra nuk ka interes për zgjedhje deri në vitin e ardhshëm, por po presin se kush do të jetë viktima e këtij procesi të ndjeshëm vendimmarrës", tha Ali Hertica për "Kosova Sot"

BURJANI: FATI I JETËGJATËSISË SË KËSAJ QEVERIE ËSHTË NË DUART E PDK-SË!

Sipas analistit politik Blerim Burjani, zgjedhjet nuk pritet të ndodhin shpejt, këtë vit, pasi shumica e partive politike, sado që flasin, nuk janë të përgatitura si dhe sa duhet."Kanë ndodhur zhvillime jopozitive si në VV, pastaj Grupi i Pavarur ende s'ka organizim politik, PDK-ja gjendet jo mirë dhe pritet të mbahet konventa e përgjithshme, partitë si NISMA dhe AAK-ja janë parti të vogla e të parëndësishme, prandaj vetëm nëse ndodhin çudira mund të rikthehen e të vijnë në pushtet me ndonjërën prej partive të mëdha, përderisa edhe alternativë tjetër s'ka.Tash për tash LDK-ja është i vetmi subjekt politik të cilit i konvenojnë zgjedhjet e reja , të tjerave nuk iu konvenojnë në asnjë variant, prandaj këtu është poenta pse nuk rrëzohet kjo qeveri edhe ashtu e rrëzueshme", tha Burjani për "Kosova Sot". Sado që qeverisja është joefikase dhe e dobët, Burjani mendon se opozita nuk do ta rrëzojë atë, por do ta lërë të ballafaqohet edhe me temat e nxehta që ka në dorë."Tash çështja është se mund të bllokohet edhe solucionin për Asociacionin e komunave serbe edhe lufta antikorrupsion, ndonëse nuk po shkon kurrqysh apo fare", theksoi ai. Sipas tij, fati i jetëgjatësisë së kësaj qeverie është në duart e PDK-së dhe kurdo që PDK-së i konvenon e rrëzon atë.