Thaçi tallet, Kosovës i errësohet rruga evropiane (Video)

  • 19 April 2018 - 08:12
Thaçi tallet, Kosovës i errësohet rruga evropiane (Video)

DEPUTETËT, ANALISTËT DHE QYTETARËT KRITIKOJNË ASHPËR REAGIMIN E PRESIDENTIT

Qarri: Ngritja e çfarëdo akuze gjyqësore ndaj Thaçit nënkupton edhe fundin e karrierës së tij politike

Analistët politikë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe qytetarët, e kanë cilësuar si një lloj tallje të presidentit me opinionin publik, derisa ai ka reaguar ndaj të gjeturave të Raportit të Progresit të publikuar dy ditë më parë nga KE-ja. Ata theksojnë se zyrtari më i lartë i shtetit, presidenti Thaçi, por edhe zyrtarët e tjerë shtetërorë që shprehen kritikë ndaj këtij raporti, nuk kanë të drejtë kur thonë se qytetarët janë lodhur nga raportet e Bashkimit Evropian, por e vërteta është krejtësisht tjetër. E vërteta është se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga mospuna e institucioneve, në mesin e tyre edhe nga klani i kreut të Republikës, Thaçi, dhe bandat e tjera të pushtetit, të cilat e kanë shtrirë sundimin duke dalë mbi ligjin në çdo sektor. Deputeti i LDKsë, Armend Zemaj, tha se është shumë evidente që Raporti i Progresit këtë vit ka treguar edhe mangësitë edhe përparësitë e Kosovës që janë shënuar në periudhën e vlerësuar dhe me këtë realitet të argumentuar Kosova detyrimisht duhet të përballet, institucionet duhet t'i marrin tepër seriozisht këto të gjetura."Ndërhyrjet e presidentit, kryeministrit, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe depërtimin e 6 shtetasve turq, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tyre dhe e cila e ka lënduar seriozisht edhe fushën e sundimit të rendit e të ligjit në Republikën e Kosovës, mbi të gjitha është bërë pengesë për atë, për heqjen e ndikimit politik dhe tregimin e vullnetit politik se duhet të luftohen krimi i organizuar dhe korrupsioni", u shpreh ai. 

Presidenti joserioz

Sipas Zemajt, liderët në vende të adresimit të kritikave duhet vetë të jenë autokritikë. "Qasja e tyre, ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë, e ka sjellë Kosovën deri në këtë masë që rrezikon edhe vitin 2018, që po shihet se do të mund të kalojë me vështirësi drejt liberalizimit të vizave dhe drejt integrimeve evropiane", tha ai për "Kosova Sot". Një opinion të ngjashëm e ka edhe deputeti Ali Lajçi nga VV-ja. "Konsideroj që nuk është aspak serioze ajo që e ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi, sepse qytetarët e Kosovës nëse i ka lodhur dikush, i ka lodhur krimi dhe korrupsioni që ka kapur të gjitha institucionet dhe që një pjesë të madhe, të konsiderueshme, të përgjegjësisë e ka edhe vetë presidenti, sepse ai e pati premtuar liberalizimin e vizave që në mandatin e parë si kryeministër vendi, i bëri dy mandate kryeministër, një mandat zëvendëskryeministër dhe tani po adreson kritika ndaj BE-së nga pozita e kryetarit të shtetit", u shpreh ai."Dihet mirëfilli që kjo është një qasje joserioze, ngase edhe ashtu Hashim Thaçi asnjëherë nuk ka treguar seriozitet në qasjen e tij karshi detyrave reale në krye të shtetit", tha Lajçi për "Kosova Sot". 

Tallje e ulët

Po aq joserioz e shohin reagimin e presidentit Thaçi edhe analistët politikë. Tallje klasike e quan këtë reagim analisti Ali Hertica."Tani deklarimi i Thaçit është reagim tallës dhe shumë qesharak, përpjekje për t'i larë duart e tij nga përgjegjësia e dështimit në këtë agjendë evropiane, sepse vetë Thaçi ishte së paku tri herë lider institucional, i cili kishe vendin e parë në të gjitha institucionet e shtetit, dy herë në krye të Qeverisë së Kosovës dhe njëherë në pozitën e zëvendësit dhe nuk dha kurrfarë progresi në drejtim të përmbushjes më të shpejtë të obligimeve në agjendën evropiane, liberalizimin e vizave dhe as në stabilizimin e shtetit të së drejtës", u shpreh ai."Ngecjet mbeten akoma shumë të theksuara edhe në reformat e kërkuara ndaj nga BE-ja ndaj shoqërisë kosovare. Tallja e Thaçit rreth raportit, se gjoja qytetari është i dëshpëruar nga ky raport, është vetëm një politikë e tij joserioze dhe sjellje paksa naive, sepse vetë Thaçi dhe klientela e tij politike kanë ndikuar në stagnimin e Kosovës drejt progresit, zhvillimit dhe integrimit më të shpejtë në BE", vijoi më tutje Hertica. "Këtë më së miri e dëshmon mungesa e luftës kundër krimit dhe korrupsionit për vite të tëra, pa përjashtuar dukuritë e tjera negative që kulmuan së fundi me përpjekjen e bllokimit të Gjykatës Speciale dhe dëbimin e kundërligjshëm të arsimtarëve turq nga Kosova, me çka u shkelën të drejtat e qytetarit dhe liritë e njeriut", tha Ali Hertica për "Kosova Sot". Edhe analisti Reshat Badallaj konstaton se me këtë reagim presidenti dëshiron t'i fshehë të gjitha dështimet e tij, por edhe të partnerëve në koalicion, sa kanë bashkëqeverisur së bashku. "Hashim Thaçi bëhet joserioz dhe qesharak kur mundohet t´i hedhë pluhur syve popullit në pikë të ditës dhe mundohet të reagojë kundër Raportit të Progresit, kinse e vërteta qëndron krejt ndryshe. Ne do të pyesim publikisht cila është e vërteta sipas tij që thotë se është krejt ndryshe. Brukseli dukshëm ia faturoi dështimet koalicionit aktual qeverisës, kur qartazi ia kujton zgjedhjet e pranverës të vitit 2017 dhe kufizimet në reforma, pikërisht si pasojë e këtyre zgjedhjeve. Populli i ka të qarta se këto zgjedhje dolën me anë të pazareve të kanaleve të nëntokës kriminale, ku as për së afërmi nuk u respektua vota e lirë e qytetarit", potencoi Badallaj për "Kosova Sot".

QARRI: NË MESIN E MBI 42 TË DYSHUARVE ME SIGURI ËSHTË EDHE VETË THAÇI ME TËRË GRUPIN E KLANIT 'PRONTO'

Analisti Gani Qarri thotë se fatkeqësisht qytetarët e Kosovës ka kohë që janë lodhur nga udhëheqësit e tyre të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar dhe kasta aktuale e politikanëve të inkriminuar, e jo dhe aq nga raportet e Bashkimit Evropian, siç po mundohet t'i mbulojë Thaçi aventurat e veta dhe maskaradat e politikëbërjes në Kosovë. "Siç e kam cekur edhe disa muaj më parë, ka të paktën 5-6 vjet që BE-ja vazhdimisht kërkon nga Kosova shkarkimin dhe vënien para drejtësisë të mbi 40 pushtetarëve dhe zyrtarëve më të lartë të inkriminuar shtetërorë, gjë që më 17 prill 2018, në lajmet e mbrëmjes të RTK-së, e vërtetoi edhe Agron Hoti nga Ministria e Integrimit Evropian, i cili për herë të parë pranoi publikisht se si kusht në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar i kemi 42 raste të nivelit të lartë, ku përfshihen edhe politikanë të pushtetit qendror, të cilët janë nën përcjelljen e drejtësisë vendore dhe asaj të BE-së dhe duhet të shkarkohen e vihen para drejtësisë, në mënyrë që edhe vendit tonë përfundimisht t'i mundësohet liberalizimi i vizave dhe avancimi në rrugën drejt integrimit evropian", theksoi ai."Kjo e vërtetë, Thaçit & CO, me siguri u dhemb shumë, sepse jo vetëm që në mesin e mbi 42 të dyshuarve me siguri është edhe ai vetë me tërë grupin e klanit 'Pronto'", tha më tej Qarri. "Ngritja e çfarëdo akuze gjyqësore ndaj Thaçit nënkupton edhe fundin e karrierës së tij politike dhe kjo vetëm sa ka filluar, ani pse tani për tani me akuza shumë më të lehta se që do të duhej në fakt dhe vetëm për pjesëtarët e rangut më të ulët të klanit 'Pronto'", tha analisti politik Gani Qarri.

KELMENDI: ME SHUMICË GJEJMË GJYQTARË DHE PROKURORË QË KANË TË KALUAR TË PISTË DHE QË DUHET TË JAPIN PËRGJEGJËSI PËR PUNËN E TYRE

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se të vetmen gjë pozitive që e ka vlerësuar Raporti i Progresit është "dhurimi" i 8000 hektarëve tokë Malit të Zi me ratifikimin e Demarkacionit, derisa korpusi tjetër i vlerësimeve është negativ dhe për këtë nuk ka të drejtë kur reagon Hashim Thaçi."Në Kosovë nuk kemi asnjë fushë që funksionon si duhet dhe konform ligjeve që i ka Republika e Kosovës. Gjendja ekonomike është shqetësuese dhe papunësia e skllavërimi i masave të punësuara ka arritur pikën e vlimit të tyre. Skllavëria dhe krimi e korrupsioni janë në piedestal dhe pa ndonjë perspektivë të shërimit të tyre", u shpreh ai. "Gjyqësori është i mbushur gjithashtu me forca jo të shëndosha dhe së bashku me prokurorinë janë hallka më e rëndë e sistemit. Në polici, sidomos në nivel qendror, si në drejtorinë qendrore, janë të ulur njerëz me të kaluara antishqiptare .Me shumicë gjejmë gjyqtarë dhe prokurorë që kanë të kaluar të pistë dhe që duhet të japin përgjegjësi për punën e tyre", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

ALIU:HASHIM THAÇI ME DEKLARATAT E TIJ PO TALLET ME POPULLIN DHE SHTETIN E KOSOVËS

Tallje e quan reagimin e presidentit edhe Bislim Aliu. "Z. Thaçi thotë se edhe qytetarët janë lodhur me raportet e Bashkimit Evropian, kur ato gjithmonë e paraqesin gjendjen reale dhe tregojnë të metat dhe ato duhet të përmbushen. Por, mua po më duket se qytetarët Kosovës më tepër janë lodhur nga klani i kreut të shtetit, z. Thaçi, dhe bandat e tjera të pushtetit, të cilët e kanë shtrirë pushtetin duke dalë edhe mbi ligjin në çdo sektor. Dhe, mu për këtë, vetëm vitet e fundit nga Kosova janë larguar jo më pak se 200.000 kosovarë", vlerësoi ai."Raporti është pritur nga qytetarët se në Kosovën tonë ka shumë mangësi dhe parregullsi që edhe Komisioni Evropian i ka cekur, si: mungesa e sundimit të ligjit, pastaj përpjekja e shfuqizimit të Gjykatës Speciale dhe rastin e skandalit të dëbimit të dhunshëm të shtetasve turq nga Kosova, duke shkelur ligjet, Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut! Dhe në këto dyja rastet kryesore protagonisti kryesor është presidenti i Kosovës", tha Aliu për "Kosova Sot". "Me të vërtetë Hashim Thaçi me deklaratat e tij po tallet me popullin dhe shtetin e Kosovës, duke reaguar edhe për Raportin e Progresit", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".

Qytetarët i besojnë Brukselit, jo Presidencës kosovare

Gazeta ka zhvilluar biseda me qytetarë rasti, të cilët për aq sa kanë informacione dhe kanë përcjellë edhe përmbajtjen e raporteve të Progresit nga vitet e kaluara, theksojnë se KE-ja vazhdimisht ka hartuar raporte reale me monitorimin e gjendjes në terreninstitucionet e Kosovës, por dështimi në përmbushjen e kërkesave të caktuara vjen kryesisht nga neglizhenca dhe lufta e brendshme politike për pushtet, që po zhvillohet në mes të partive politike, duke lënë anash agjendën e rëndësishme të perspektivës evropiane. "Konsideroj se Raporti i fundit i Progresit apo raporti i vendit, siç quhet, reflekton në mënyrë të saktë realitetin dhe atë se sa kanë punuar institucionet e Kosovës në zbatimin e detyrave që ndërlidhen me agjendën evropiane. Do të thotë që Qeveria e Kosovës e ka të qartë, ka disa dokumente shumë të rëndësishme strategjike, sikur që është agjenda e reformave evropiane, si dhe MSA-ja, në të cilën janë të përcaktuara qartë detyrat dhe obligimet në të gjitha fushat në të cilat ka të bëjë me zbatimin e MSA-së dhe ERA-s dhe konsidero se lufta e brendshme politike, konstelacioni i forcave politike, polarizimi i madh ka ndikuar që agjenda evropiane të ngecë", tha Lulëzim Krasniqi, që është edhe njohës i agjendës së integrimeve evropiane. Ai nuk i jep aspak të drejtë mënyrës se si ka reaguar presidenti i vendit ndaj të gjeturave në këtë raport."Konsideroj se reagimi i presidentit nuk është i bazuar në leximin e saktë të Raportit të Progresit. Raporti i Progresit është një raport, i cili në mënyrë goxha empirike e matë zbatueshmërinë e detyrave dhe obligimeve që i kemi përmes MSA-së, ne kemi një plan kombëtar të zbatimit të MSA-së, e kemi Agjendën e Reformave Evropiane - ERA, si dy dokumente të rëndësishme strategjike, të cilat Qeveria e Kosovës duhet t'i implementojë me prioritet. Pjesë e rëndësishme të këtyre dokumenteve janë të përfshira në planin legjislativ të Parlamentit të Republikës së Kosovës, i cili, siç e dimë të gjithë, për shkak të polarizimeve politike, situatës së komplikuar, nuk është realizuar në masën e duhur, apo të themi është realizuar në masën minimale dhe ne pastaj çuditemi pse në raportin e vendit - Progresit të BE-së, këto janë evidentuar si dështime", tha Krasniqi për "Kosova Sot". Po kështu mendon edhe qytetari Shaban Maloku. "Evropa ka plotësisht të drejtë, sepse ne nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë si duhet, prandaj edhe për ata ka ardhur raporti si ka ardhur. Ka kohë që ka plot premtime dhe ato nuk u realizuan deri më tani, por tani mbetet ta shohim a e kanë përnjëmend tash apo e kanë për shaka sikur në të kaluarën. Nëse ndodh ajo që nuk do të jenë prapë seriozë ka me qenë keq, sepse edhe për 2019 do të shtyhet liberalizimi i vizave. Pa i kryer detyrat që i kanë marrë, pa miratimin e ligjeve, pa luftimin e korrupsionit 100% nuk ka liberalizim të vizave", theksoi Maloku. Ndërsa Jonuz Mehmeti thotë se qytetarët janë të lodhur jo me raportet reale të BE-së për Kosovën, por me mospunën e institucioneve të vendit. Ai nuk i jep aspak të drejtë qëndrimit kritik të presidentit Thaçi në raport me të gjeturat e konstatuara. "Besoj që BE-ja ka të drejtë kur bie këso raportesh dhe këso konstatimesh për Kosovën. Jemi shtet i ri, jemi shtet akoma i pakonsoliduar si duhet... Presidenti premtoi shumë, por nuk u realizuan ato", u shpreh ai. Sipas Mehmetit, një prej veprimeve që ka ndikuar te BE-ja në ngadalësimin e këtij procesi mund të jetë edhe tentativa për bllokimin e Gjykatës Speciale.

(Kosova Sot)